Ndërlidhjet

VV: Gazin lotsjellës e kemi nga policia


Foto nga seanca e Kuvendit të Kosovës
Foto nga seanca e Kuvendit të Kosovës

Në tri seanca radhazi, partitë politike opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë hedhur në sallën e Kuvendit nëntë bombola me gaz lotsjellës.

Opozita po pamundëson mbajtjen e seancave të parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë, me të cilat marrëveshje komunave me shumicë serbe u ofrohet një shkallë e gjerë autonomie.

Opozita po ashtu kundërshton edhe marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Në subjektin politik Lëvizja Vetëvendosje, vazhdojnë të thonë se gazin lotsjellës e kanë siguruar me ndihmën e Policisë së Kosovës dhe se një pjesë të tij e kanë marrë edhe nga protestat e kaluara [në muajin janar], pasi gazi i hedhur nga policia nuk ka shpërthyer.

Frashër Krasniqi, zyrtar për marrëdhënie me media në Lëvizjen Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë se tashmë nuk e kanë problem që të sigurojnë gaz lotsjellës.

“Ato [bombola] nuk janë blerë, sepse është e vërtetë se nuk ekzistojnë në treg. Nga policia i kemi siguruar, sepse edhe kur i kemi marrë në rrugë, ato kanë qenë të policisë, të hedhura në drejtim të protestuesve. Por, ka pasur gatishmëri edhe prej policisë për të ndihmuar, nga segmente të caktuara, jo nga të gjithë, por nga ata që nuk janë dakord me ‘Zajednicën’ e të gjitha këto procese që po ndodhin”, tha Krasniqi.

Naim Maloku, njohës i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, tha për Radion Evropa e Lirë se deklaratat e zyrtarëve të Vetëvendosjes nuk qëndrojnë kur thonë se disa bombola me gaz janë mbledhur nga protestat dhe ato po shfrytëzohen.

“Jo, ajo nuk mund të ndodh në atë masë që mos të shpërthejë. Ekziston një probabilitet i caktuar për shembull, 1 në 100 mijë; disa mund të jenë më defekt dhe mos të aktivizohen kur t’u hiqet siguresa. Ato janë të rrezikshme të mbahen pa siguresë”, tha Maloku.

Kurse, Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, duke mos dashur të flasë shumë për këtë çështje, thotë se janë duke bërë hetime lidhur me pretendimet e opozitës, se gazi lotsjellës është marrë nga Policia e Kosovës.

“Ekziston dyshimi për mundësinë e posedimit dhe përdorimit të këtij gazi lotsjellës nga mbledhja e mbeturinave plastike të mbetura nga gazi lotsjellës i përdorur më parë nga Policia e Kosovës. Mbetet të hetohet dhe verifikohet nga ekspertët dhe njësitet relevante policore”, tha Hoxha.

Maloku mendon se gazi lotsjellës, i cili po hidhet në Kuvendin e Kosovës, mund të sigurohet vetëm nga Policia e Kosovës, ose nga Policia e Shqipërisë.

“Nuk e besoj se ata mund të sigurojnë përbërje të tillë që të krijohet një bombolë me gaz lotsjellës, sepse duhet të ketë përbërës, helme luftarake, e pastaj të gjendet përqindja e cila është aq e vogël sa që të shkaktojë vetëm lotsjellës. Nuk ka rrugë tjetër veçse nga Policia e Kosovës ose nga ajo e Shqipërisë.. ose vjen nga ndonjë polici e rajonit”, tha Maloku.

Lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, zyrtarët në partinë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk kanë dashur të flasin.

Të tri partitë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë ritheksuar se do të vazhdojnë të bllokojnë punën e Kuvendit të Kosovës, përderisa, siç po pretendojnë ato, kryeministri Isa Mustafa të mos i tërheqë nënshkrimet nga Marrëveshja me Serbinë për Asociacionin e Komunave Serbe dhe ajo me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Në të kundërtën, opozita kërkon dorëheqjen e zotit Mustafa dhe gjithë Qeverisë së Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG