Ura e "barrikaduar" në Mitrovicë
Në Mitrovicë tashmë ka filluar revitalizimi i urës kryesore mbi lumin Ibër, për ç'gjë është arritur pajtueshmëria në kuadër të bisedimeve në Bruksel. Bashkimi Evropian, përkatësisht Zyra e BE-së në Kosovë, është kompetente për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Revitalizimi i urës do të zgjasë deri në qershor 2016, kur ura e Mitrovicës do të hapet për lëvizje të plotë, për këmbësorë dhe automjete, ka njoftuar Qeveria e Kosovës. Të dyja anët e urës janë mbyllur me barriera deri në përfundimin e punimeve. Punët ndërtimore në këtë urë do të kryhen duke iu qasur vendit të punimeve përmes rrugës nga ana jugore. Gjatë kohës së revitalizimit, njëra anë e urës do të ketë qasje për kalimtarët.