Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka nisur serinë e takimeve me liderët e partive politike në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e krizës politike të krijuar me bllokadën e punës së Kuvendit.
Gjatë pasdites, Jahjaga ka pritur në një takim të përbashkët kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Në takim ka marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Partitë e koalicionit qeverisës nuk i kanë dhënë shumë shpresë opozitës se do t’i plotësojnë kushtet e parashtruara për zhbllokimin e Kuvendit.
Kryeministri Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike, ka vlerësuar me këtë rast se në Kosovë nuk ka krizë politike, por ka një tentativë të opozitës që të marrë pushtetin me mjete jo demokratike.
“Nuk kemi krizë parlamentare as institucionale. Kemi tentim që të pengohet me dhunë. Ne përkrahim çdo iniciativë që ndërmerr Presidentja, por mendojmë që opozita të veprojë vetëm sipas ligjeve dhe Kushtetutës”, ka thënë Mustafa.
Edhe zëvendëskryeministri Hashim Hashi, kryetar i Partisë Demokratike, ka shprehur mendimin e njëjtë me Mustafën, duke e fajësuar opozitën për gjendjen e krijuar.
“Nuk ka krizë politike. Nuk ka krizë institucionale. Ka përpjekje për të penguar fizikisht funksionimin e institucioneve përmes veprimeve të dhunshme të opozitës. Do respektojmë të gjitha marrëveshjet e arritura deri këtu. Ata që kanë vërejtje, mund të diskutojnë në Parlament”, ka thënë Thaçi.
Ftesës së presidentes, i janë përgjigjur pozitivisht edhe partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma për Kosovën, të cilat pritet të takojnë presidenten të martën.
Por, këto subjekte politike janë zotuar se nuk do të zmbrapsen nga kërkesat e tyre si kusht për zhbllokimin e Kuvendit.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se dialogu ndër partiak i ndërmjetësuar nga presidentja mund të ketë sukses vetëm nëse kryeministri Isa Mustafa i tërheq nënshkrimet nga marrëveshja me Serbinë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ajo me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.
“Dalja nga kjo situatë politike në të cilën jemi është shumë e qartë dhe kjo nuk është çështje e diskutimit. Pra, nëse ka reflektim nga ana e kryeministrit apo nga ana e qeverisë dhe nëse ata e thonë se do të tërhiqen nga marrëveshjet atëherë mbase edhe mund t’i diskutojmë modalitetet e tërheqjet”, ka thënë Ymeri.
Përmes një deklarate presidentja Jahjaga kishte njoftuar se do të shfrytëzoj autoritetin kushtetues që ka, për garantimin e funksionimit të institucioneve demokratike në vend.
“Shpresoj që kjo iniciative e imja të ndihmojë që shqetësimett'i adresojmë me pjekuri politike dhe duke dëshmuar angazhimin tonë që të jetësojmë përkushtimin tonë për një demokraci parlamentare që fuqizon institucionet, forcon besimin e qytetarëve në perspektiven e vendit të tyre dhe krijon pajtimin bazik për rrugën tonë përpara”, ka deklaruar Jahjaga.
Nismës së presidentes, i ka dhënë mbështetje edhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar.
Raportet ndërmjet forcave politike në opozitë dhe atyre në pushtet kanë pësuar tensionim më të madh që prej arritjes së marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe.
Marrëveshja është arritur më 25 gusht, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas opozitës, kjo marrëveshje e defunksionalizon shtetin dhe i hap rrugë ndarjes së Kosovës.
Po ashtu, tri partitë opozitare vazhdojnë të kërkojnë tërheqjen edhe të nënshkrimit nga marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.
Tërheqja e nënshkrimeve, nga kryeministri Isa Mustafa dhe Qeveria e Kosovës janë cilësuar të papranueshme.