Rekomandimi për hapjen e kapitullit 35 të negociatave me Serbinë, për anëtarësimin e sajnë Bashkimin Evropian, të cilin Komisioni Evropian dhe Këshilli Evropian për Punë të Jashtme ia kanë paraqitur Këshillit të ministrave të Bashkimit Evropian, është pritur me reagime të ndryshme në Kosovë dhe në Serbi.
Kapitulli 35 ka të bëjë me çështjen e normalizimit të marrëdhënieve të Serbisë me fqinjët, gjë që për Serbinë nënkupton praktikisht normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Autoritetet e kësaj të fundit presin që Bashkimi Evropian të mbetet konsistent në qasjen ndaj rajonit.
Ardian Arifaj, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se Kosova pret që Bashkimi Evropian të kërkojë zbatimin e kritereve që i vë para tërë rajonit, përfshirë edhe Serbinë.
“Për Kosovën, çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që hapen mundësi për një tejkalim të mirëfilltë të politikave të kohës së (Slobodan) Milosheviqit. Bashkëpunimi rajonal është një prej kushteve kryesore për integrim në BE. Kosova vazhdimisht po tregon që është e gatshme, e interesuar që të bashkëpunoj në nivel rajonal dhe presim që kjo ta karakterizoj edhe rajonin, në këtë rast, më saktësisht, edhe Serbinë”, tha Arifaj.
Në anën tjetër, autoritetet e Serbisë kanë shfaqur brengosjen lidhur me Kapitullin 35 dhe rreth asaj se farë do të nënkuptojë ky kapitull lidhur me Kosovën.
Aleksandar Vuçiq, kryeministër i Serbisë, ka theksuar se politika me të cilën ai e ka marrë besimin e popullit, është politika për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Ai pret që hapja e kapitullit të ndodhë deri në fund të këtij viti dhe ka bërë me dije se e autoritetet serbe kanë parë draftin e platformës për kapitullin 35, por nuk ka treguar se kush apo cili vend anëtar i BE-së ua ka dhënë atë.
“Tashmë kjo është çështje e tyre e brendshme dhe nga ne nuk do ta kuptojnë kurrë se kush na e ka dhënë draftin. Na e kanë dhënë miqtë dhe ne kemi mundë të shohim se sa është e keqe kjo letër. Në përputhje me këtë, unë nuk kam të drejtë ta ndryshoj drejtimin e lëvizjes së Serbisë dhe nuk do ta bëj këtë".
"Si kryeministër, nëse shoh se po vendosen kushte të pamundura dhe kushte që Serbia nuk mund t’i plotësojë, sepse do ta shkelte flamurin tonë ngjyrë kuq, kaltër dhe bardh, atëherë unë në këtë nuk do të marr pjesë. Atëherë do të jetë koha për zgjedhje”, ka theksuar kryeministri serb, Vuqiç.
Ndonëse, sipas zyrtarëve serbë, në kapitullin 35 nuk përmendet në mënyrë eksplicite njohja e Kosovës nga Serbia, ata kanë shfaqur brengosjen se ky kapitull nënkupton këtë fakt.
Sipas medieve në Serbi, Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka theksuar se autoritetet serbe do t’i dërgojnë porosi të qartë Bashkimit Evropian se “për Beogradin është e papranueshme që në tavolinën e bisedimeve të jetë çështja statusit të Kosovës, e jo normalizimi i i marrëdhënieve me Prishtinën”.
Por, sipas Arifajt, Serbia çdo ditë e më shumë është duke lëvizur drejt njohjes së Kosovës dhe pranimit të realitetit të ri në Ballkanin Perëndimor.
“Pjesë e këtij realiteti të ri është shteti i Kosovës dhe Serbia duhet, jo vetëm ta pranoj këtë realitet, por duke e pranuar atë, të pranojë edhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të pranojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Të pranojë që Kosova është shtet, që funksionon si shtet dhe mos ta kundërshtojë këtë”, tha Arifaj.
Rekomandimi për hapjen e kapitullit 35 të negociatave me Serbinë, ka ardhur në prag të takimit në Bruksel të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të ftuar në një darkë joformale nga Federica Mogherini, shefe e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, e cila edhe ndërmjetëson bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.