Moska mund të humbasë goxha ndikim në Lindjen e Mesme, pasi vendet atje kanë reaguar me zemërim ndaj bombardimit të objektivave të opozitës siriane.
Turqia, Arabia Saudite, Katari, Jordania dhe shumë shtete të tjera i kanë bërë thirrje Moskës që të ndalojë fushatën e sulmeve ajrore, që ka nisur më 30 shtator. Sulmet kanë kryesisht në shënjestër opozitën sekulare dhe të moderuar të Sirisë, pavarësisht këmbënguljes së Kremlinit se ai është duke bombarduar vetëm luftëtarët e Shtetit Islamik (IS).
Analistët thonë se zemërimi ndjehet thellë në kryeqytetet arabe, sepse shtetet arabe kanë kërkuar për kohë të gjatë dorëheqjen e presidentit sirian, Bashar al-Assad, si hap i parë drejt fundit të luftës civile në Siri.
“Është pothuajse pajtim i plotë se qeveritë arabe janë kundër fushatës ruse. Shumica e objektivave ruse, përfshirë Ushtrinë e Lirë Siriane dhe shumicën e grupeve opozitare islamike, janë myslimanë sunitë dhe pjesa më e madhe e shteteve arabe kanë popullsi shumicë sunite”, thotë Paul du Quenoy, profesor i historisë në Universitetin Amerikan të Bejrurtit.
Arabia Saudite dhe shtetet e tjera të Gjirit Arab, së bashku me Turqinë, kanë dhënë miliona dollarë për grupet opozitare sunite që kërkojnë rrëzimin e regjimit të Assadit. Ky regjim i takon komunitetit alavit të Sirisë, një sekt ky fetar që është degë e Islamit shiit.
Më 5 tetor, dhjetëra klerikë islamikë të Arabisë Saudite u kanë bërë thirrje vendeve arabe dhe myslimane që “të japin gjithë mbështetjen morale, materiale, politike dhe ushtarake” për xhihad ose luftë të shenjtë kundër Qeverisë së Sirisë dhe aleatëve të saj kryesorë, Rusisë dhe Iranit.
Zemërimi për pozicionin e Moskës mund të përkthehet në humbje diplomatike dhe ekonomike për Rusinë, e cila ka investuar shumë në ndërtimin e lidhjeve të saj me shtetet arabe.
Një prej qëllimeve të Moskës, gjatë ndërtimit të këtyre lidhjeve, ka qenë inkurajimi i investimeve arabe në Rusi, të cilat sot janë shumë të rëndësishme për Moskën, pasi ekonomia e saj është tronditur nga çmimet e ulëta të naftës dhe sanksionet e Perëndimit në lidhje me Ukrainën.
“Këto lidhje tani mund të tronditen mirë nga ndërhyrja e Rusisë në Siri”, thotë du Quenoy.
Në të njëjtën kohë, Moska ka interesa të fuqishëm financiarë në botën sunite, të cilën e konsideron si treg fitimprurës për eksportimin e teknologjisë bërthamore ruse – sidomos në Egjipt, Jordani dhe Turqi.
Deri më tash, vetëm një kryeqytet arab, Kajro, ka kursyer kritikat për Moskën.
“Besojmë se ndërhyrja ruse do të ndikojë në luftën kundër terrorizmit në Siri dhe do të ndihmojë në eleminimin e tij”, ka thënë më 4 tetor ministri i Jashtëm i Egjiptit, Sameh Shukri.
Boris Zilberman, analist rajonal në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, me seli në Uashington, thotë se Kajro duket se e konsideron më të rëndësishëm bashkëpunimin me Rusinë sesa përmbysjen e Assadit.
“Ky është rezultati i marrëveshjeve që Rusia ka nënshkruar së fundi me Egjiptin për bashkëpunim ekonomik, tregti me armë dhe i marrëveshjes eventuale për bashkëpunim në energjinë bërthamore civile”, thotë Zilberman.
Marrëdhëniet diplomatike dhe ekonomike midis Moskës dhe Kajros kanë lulëzuar prejse janë ftohur lidhjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Egjiptit, për shkak të përmbysjes ushtarake të ish-presidentit Mohammad Morsi në vitin 2013.
Por, nëse zemërimi në shtetet arabe është i madh, ai është edhe më i madh në Turqi, një tjetër vend që është afruar me Rusinë, viteve të fundit.
Ankaraja, e cila vetë ka kryer sulme ajrore kundër Shtetit Islamik, në kuadër të fushatës ajrore që udhëheq SHBA-ja në Siri dhe Irak, është tërbuar nga aeroplanët rusë, që shkelin vazhdimisht hapësirën e saj ajrore, përgjatë kufirit me Sirinë.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë më 6 tetor se vendi i tij “nuk mund të durojë” inkursionet dhe nëse Rusia “humb një mike si Turqia”, ajo “do të humbasë shumë”.
Më 7 tetor, kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, ka thënë se Turqia “nuk do të bëjë asnjë lëshim në lidhje me sigurinë e kufijve dhe të hapësirës ajrore”.
Aaron Stein, studiues jorezident në Këshillin Atlantik, me seli në Uashington, thotë se Ankaraja është e zemëruar sepse i sheh inkursionet ruse si paralajmërim për të mos e sfiduar Moskën në Siri.
“Aleati historik i Turqisë (Rusia) është duke shkelur qëllimisht hapësirën ajrore turke, padyshim për t’i dërguar mesazh Turqisë”, thotë Stein.
Ai shton se thellimi i konfliktit në Siri mund ta bëjë të vështirë për Ankaranë dhe Moskën që të zhvillojnë marrëdhënie më të ngushta politike në të ardhmen, pavarësisht lidhjeve të përzemërta midis Erdoganit dhe presidentit rus, Vladimir Putin. Por, Stein parashikon se asnjëra palë nuk do të nxitojë për të reduktuar lidhjet ekonomike.
Turqia është një treg i madh për eksportet e gazit rus nga tubacioni nën Detin e Zi dhe një shtet kryesor tranzit në planet e Rusisë për transortimin e gazit në Evropën jugore. Në të njëjtën kohë, vizitorët rusë përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të industrisë së turizmit në Turqi.
Rusia ka thënë më 7 tetor se nuk pret që zemërimi turk për shkak të inkursioneve, të pengojë dy vendet nga formalizimi i planeve për një tubacion të ri gazi nën Detin e Zi.
Tubacioni, i emëruar Rrjedha Turke, do të shtrihet nga Rusia në buzë të BE-së, përkatësisht në kufirin turko-grek. (v.tela)