Ndërlidhjet

Parashikimi i motit për bombardimet ruse në Siri


Parshikimet e motit në Rusi të përshtatshme për bombardime në Siri
Parshikimet e motit në Rusi të përshtatshme për bombardime në Siri

Televizioni shtetëror i Rusisë e ka filluar praktikën e shndërrimit të parashikimeve të motit për promovimin e operacioneve ushtarake të Rusisë në Siri.

Sipas një parashikimi të tillë, klima e butë vjershtore e Sirisë është perfekte për sulme ajrore.

Derisa Rusia po i vazhdon sulmet ajrore në Siri, presioni i Kremlinit për mbështetje vendëse për këtë ofensivë ushtarake është përhapur edhe një një fushë të pazakonshme: në parashikimin e motit.

Më 3 tetor, kanali televiziv i udhëhequr nga shteti, Rossiya-24, e ka transmetuar një parashikim gjithpërfshirës të motit, duke i përshkruar kushtet aktuale klimatike në Siri si “shumë të favorshme” për fushatën e bombardimeve.

“Tetori në Siri në përgjithësi është periudhë e përshtatshme për fluturime”, tha moderatorja e parashikimit të motit, duke qëndruar pranë diagramit ku ishin të detajizuara temperaturat mesatare, të reshurat, shpejtësia e erës dhe numri i ditëve me re në muajin tetor, në këtë vend të Lindjes së Mesme.

“Shiu bie vetëm njëherë në 10 ditë dhe të reshurat më intensive, deri në 18 milimetra, zakonisht janë vërejtur në pjesën veriore, ku po vazhdojnë operacionet nga forca ajrore e Rusisë”, ka thënë moderatorja dhe ka shpjeguar se “kjo nuk do të ndikojë seriozisht në bombardime”.

Sipas parashikimit efektiv tre minutësh, i shoqëruar me pamjet e Ministrisë së Mbrojtjes ku shiheshin bombat duke e qëlluar tokën dhe duke shkaktuar re të mëdha të tymit, temperaturat e buta vjeshtore në Siri, rrjedhimisht, janë perfekte për sulme ajrore.

“Temperatura mbi 35 gradë konsiderohet kritike për fluturime, por termometri rrallëherë e arrinë këtë nivel në tetor në Siri”, tha prezntuesja e motit në televizion dhe i ka siguruar shikuesit se shtimi i reve, që ndodhë me afrimin e dimrit, nuk do të duhej t’i pengonte sulmet ruse.

Nëpërmjet diagramit është shpjeguar se retë zakonisht ndodhen në nivelin 4-10 kilometra mbi tokë, që është lartësi më e madhe se “ajo për bombardime optimale”.

Rusia papritmas, më 30 shtator, i ka filluar sulmet ajrore në Siri, duke thënë se po i sulmon militantët e Shtetit Islamik dhe ekstremistët e tjerë. Kjo paraqet ofensivën më të madhe ushtarake ruse jashtë ish-Bashkimit Sovjetik, prej vitit 1991, kur ky vend u shpartallua.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e vet në koalicionin, i cili ndërmerr bombardime kundër caqeve të grupit ekstremist, Shteti Islamik, thonë se shumica e sulmeve ruse i kanë qëlluar kundërshtarët e moderuar të qeverisë së Sirisë dhe kanë shprehur shqetësim se qëllimi i vërtetë i Moskës është forcimi i presidentit, Bashar al-Assad, të cilin Rusia e ka mbështetur gjatë luftës civile.

Nga kjo luftë, prej vitit 2011, janë vrarë afro 250 mijë vetë.

Ka pasur edhe raporte për viktima civile nga sulmet ruse, për të cilat presidenti, Vladimir Putin, ka thënë se do të zgjasin “aq gjatë sa ofensivat e ushtrisë së Sirisë”.

Në raportin për parashikim të motit, Televizioni shtetëror rus ka tërhequr vërejtjen lidhur me kërcënimin nga stuhia e rërës, duke përkujtuar kalimthi se ka pasur raste kur kjo stuhi i ka paralizuar forcat e Shteteve të Bashkuara gjatë Luftës së Gjirit.

Parashikimi, megjithatë, i ka përshkruar stuhitë e rërës si “paraqitje e rrallë” në këtë periudhë të vitit në Siri dhe ka paraparë se Rusia do të jetë në gjendje “ta përfundoj shpejt operacionin”.

“Natyra vetëvetiu na detyron ne në shpejtësi”, ka konstatuar me seriozitet udhëheqësi i emisionit.

Kjo nuk është hera e parë që Televizioni i Rusisë e ka përfshirë politikën në parashikimin e motit.

Në dhjetor të vitit 2013, moderatori i motit në kanalin Rossiya-24, Vadim Zavodchenko, i pat fajësuar protestat Euromaidan në Kiev të Ukrainës, për fillimin e dimrit dhe u ka tërhequr vërejtjen protestuesve “për rritjen e shpejtë të infekcioneve virale respiratore në Kiev”.

Në janar të vitit 2014, ai përsëri u pat tërhequr vërejtjen demonstruesve, duke u thënë atyre se rrezikojnë të sëmuhen nga kanceri, nga thithja e tymit helmues të gomave të djegura të veturave në barrikadat e protestuesve.

Në muajin prill, moderatori Zavodchenko, e komentoi konfliktin në pjesën lindore të Ukrainës në mënyrë tejet të maskuar duke thënë se “retë po tubohen në qiell” në atë rajon dhe ka veçuar se “një ciklon ka shkaktuar erëra të stuhishme, me gjasë erëra të ndryshimit në Donjeck të Ukrainës, gjatë fundjavës”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG