Ndërlidhjet

Statuti i Asociacionit do të vonojë


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Në marrëveshjen për formimin e Asociacionit apo Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila është nënshkruar me 25 gusht, është paraparë që statuti i këtij asociacioni të aprovohet brenda 4 muajve, ose më së largu me 25 dhjetor.

Por, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, thonë se vështirë se një gjë e tillë do të bëhet deri me 25 dhjetor.

Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë të gjitha gjasat që miratimi i statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të shtyhet përtej afatit kohor të paraparë.

“Në marrëveshje parashihet që brenda 4 muajve nga nënshkrimi i marrëveshjes, do të aprovohet statuti. Megjithatë, për shkak të disa problemeve teknike, ne besojmë se do të shtyhet ai afat, sepse ne, tash për tash, jemi duke punuar që ta dërgojmë dekretin në Gjykatën Kushtetuese, që ajo ta japë mendimin e vet lidhur me këtë marrëveshje, për asociacionin".

"Pa e marrë atë (mendimin e Gjykatës Kushtetuese), ne nuk do të lëshohemi në përpilimin e statutit”, tha zëvendësministri Gecaj.

Në anën tjetër, Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovë i Qeverisë së Serbisë, ka theksuar se është e rëndësishme për autoritetet e Serbisë që, ditë më parë, sipas tij, disa zyrtarë të lartë evropianë, kanë theksuar se 25 dhjetori është afati i fundit për miratimin e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Kjo nuk ka qenë një porosi për ne, por për ata njerëz tjerë, të cilët me shumë pak dëshirë po i qasen këtij procesi. Por, marrëveshja ekziston dhe gjërat që mbase nuk u pëlqejnë disa njerëzve, duhet të zbatohen. Bashkimi Evropian është garantues i asaj marrëveshje, ndërkaq ne jemi plotësisht të gatshëm të punojmë për zbatimin e asaj, për të cilën është arritur marrëveshja me 25 gusht”, ka thënë Gjuriq.

Por, Gecaj thotë se pa marrjen e mendimit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, për ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e marrëveshjes, nuk do të punohet për statutin e Asociacionit.

Sipas tij, pasi të përfundojë ky proces, atëherë ekipi menaxhues, i formuar në vitin 2013, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës do ta përpilojnë statutin e Asociacionit.

“Çështja e statutit do të jetë një sfidë e ardhshme. Nëse merremi vesh, atëherë ne mund të merremi vesh për 15 ditë. Por, nëse nuk merremi vesh, kjo do të zgjasë. Pra, afati kohor nuk nënkupton se ne do ta dëmtojmë procesin dhe për shkak të afatit kohor ne të nxjerrim çfarëdo".

"Ne e kemi marrëveshjen kornizë. Nëse në kuadër të kësaj marrëveshje kornizë ne merremi vesh shumë shpejt, ne mundemi edhe në afat të caktuar që ta realizojmë këtë”, tha zëvendësministri Gecaj.

Ai ka shtuar se, megjithatë, ekzistojnë edhe probleme tjera.

Sipas tij, ekipi menaxhues për përpilimin e statutit të Asociacionit, përbëhet nga katër anëtarë dhe udhëheqës i saj ishte caktuar Ljubomir Mariq.

Por, përderisa ai aktualisht është ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, të qenit udhëheqës i ekipit menaxhues, sipas tij, paraqet konflikt interesi.

Gecaj ka theksuar se pas mendimit të Gjykatës Kushtetuese, do të duhet të gjendet një formulë e re për ekipin menaxhues, sepse ky ekip përbëhet nga katër përfaqësues të komunave veriore, ndërkohë që në Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, shumica e atyre komunave janë në pjesën jugore të lumit Ibër.

Ky fakt, sipas Gecajt, duhet të reflektojë edhe në ekipin menaxhues, i cili siç ka theksuar ai, duhet të ketë përfaqësues edhe nga këto komuna.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG