Ndërlidhjet

Zhbllokimi i Kuvendit - mes zbatimit të ligjit dhe zgjedhjeve


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi
Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi

Insistimi i opozitës që kryeministri Isa Mustafa të tërheqë nënshkrimet nga marrëveshja me Serbinë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit si kusht për zhbllokimin e punës së Kuvendit, e ka vënë Kosovën në një krizë serioze, thonë analistët politik.

Sipas tyre, nëse pushteti lëshon pe ndaj këtyre kërkesave, atëherë do të krijohej edhe një precedent për të ardhmen.

Analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka përmendur disa mundësi ligjore që parashihen për zhbllokimin e punës së Kuvendit.

Një prej mundësive, parashihet me anë të rregullores së punës së Kuvendit, sipas të cilës, kryetari i Kuvendit duhet të përkujdeset për zbatimin e saj.

Kurse masë tjetër është ajo e ndërhyrjes së presidentes.

"Në rast të parregullsive serioze, është kryetari i Kuvendit ai që është përgjegjës për mbarëvajtjen e punimeve dhe rregullin e seancës, duke kërkuar ndërhyrjen e policisë së Kuvendit për ta zhbllokuar punën në mënyrë që seanca të vazhdoj normalisht punimet. Si masë e dytë është ajo e ndërhyrjes së presidentes, e cila ka obligim të garantoj funksionimin kushtetues të institucioneve", ka thënë Krasniqi.

Tek ndërhyrja e presidentes si një mundësi për zhbllokim të Kuvendit, Albert Krasniqi nuk beson se mund të realizohet.

Nëse do të ketë nevojë për ndërhyrje politike, atëherë këtë mund do të mund ta bënte vetëm bashkësia ndërkombëtare, thotë ai.

Ndërkaq, njëri nga gazetaret që ka përcjellë për një kohë të gjatë punimet e Kuvendit të Kosovës, tani kryeredaktor në Tribuna Channel, Agron Halitaj thotë se në sistemet parlamentare, opozita mund ta bllokoj punën e Kuvendit vetëm në rastet kur koalicioni qeverisës e humb fuqinë numerike në organin përfaqësues.

Por, në Kuvendin e Kosovës, vijon Halitaj, pozita nuk e ka humbur shumicën, përderisa opozita është dukshëm më e vogël.

Në këto rrethana, më së shumti do të sfidohet kreu i Kuvendit, ka thënë Halitaj, pasi ai është i obliguar të kujdeset për rend e rregull në mbledhje.

"Kryetari Kadri Veseli i ka vetëm dy zgjidhje dhe cilëndo ta zgjedh nuk është e favorshme, nëse i kërkon sigurimit që t’i largojë deputetët nga foltorja atëherë gjasat për të shpërthyer tensionet si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit janë më së evidente. Por, nëse vendos ta respektoj vullnetin e opozitës, atëherë do ta bllokoj Qeverinë në përmbushjen e obligimeve si ndaj qytetarëve ashtu edhe në raport me ndërkombëtarët", ka thënë Halitaj për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Halitaj nuk pret që presidentja të arrijë të vendos dialogun ndërmjet pozitës dhe opozitës për të garantuar funksionimin e institucioneve siç parashihet edhe me Kushtetutën e Kosovës.

Një rol të tillë të ndërmjetësimi politik, ai më shumë e sheh tek faktori ndërkombëtar.

"Zgjidhja nuk besoj se mund të jetë në zyrën e Presidentes, por në zyrat e përfaqësive diplomatike. Ata tashmë kanë dëshmuar se mund t’i thyejnë blloqet, pavarësisht kauzave që mund të kenë", ka deklaruar Halitaj.

Në anën tjetër, Albert Krasniqi thotë se ka edhe një mundësi tjetër në bazë të cilës, qeveria do të mund ta ri-legjitimonte fuqinë e vet duke kërkuar mocion të votëbesimit në Kuvend.

"Një mocion i votëbesimit do të shërbente si një konfirmim për qeverinë nëse e ka mbështetjen e Kuvendit për këto marrëveshje. Mirëpo në krejt këto rrethana që janë krijuar dhe nëse asnjë prej këtyre masave nuk prodhon efekt, atëherë edhe zgjedhjet e parakohshme nuk janë opsion që duhet përjashtuar", ka theksuar Krasniqi.

Mes opsionit të rritjes së tensioneve dhe zgjedhjeve, analistët thonë se mund të përdoret edhe shembulli i Greqisë ku kryeministri grek ishte detyruar të çoj vendin në zgjedhje duke dhënë dorëheqje pas marrëveshjes me Bashkimin Evropian.

Megjithatë, tërhiqet vërejtja se as zgjedhjet nuk do të mund të ishin garantuese të zhbllokimit të institucioneve, nëse edhe pas tyre pozita dhe opozita do të mbeteshin njësoj siç janë tani.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG