Ndërlidhjet

Opozita nuk tërhiqet nga bllokada, seanca thirret për të enjten


Opozita në Kuvendin e Kosovës, foto nga arkivi
Opozita në Kuvendin e Kosovës, foto nga arkivi

Opozita paralajmëron vazhdimin e dramës së bllokimit të punës së Kuvendit të Kosovës.

Tërheqja e nënshkrimeve të kryeministrit Isa Mustafa nga marrëveshja me Serbinë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit, janë vënë nga opozita si kushte të panegociueshme për zhbllokimin e punës së Kuvendit.

Ndërkohë që nga partitë në pushtet përsëriten thirrjet që situata e rënduar politike të tejkalohet përmes dialogut.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka ftuar sërish opozitën që t’i shfrytëzojë seancat parlamentare për debat dhe të mos i bllokoj ato. Këto komente, Veseli i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku nuk po merrnin pjesë deputetët opozitarë.

Duke iu referuar paralajmërimeve të opozitës për bllokim të punës së Kuvendit edhe në seancat e radhës, Veseli ka deklaruar se Kuvendi është vendi i debateve, pavarësisht se a pajtohet çdo herë pozita e opozita apo jo.

“Kërkoj nga opozita që t’i drejtohet foltores dhe aty të e thotë atë çfarë kanë për të thënë. Nëse ata e bllokojnë foltoren është në dëmin e tyre, sepse qytetarët i kanë zgjedhur që të flasin në Kuvend, dhe jo ta bllokojnë atë”, është shprehur Veseli.

Tutje, ai ka folur edhe në lidhje me mundësinë e organizimit të një takimi ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës.

Ndonëse e ka ofruar edhe gatishmërinë e tij që të ndihmojë në organizimin e mundshëm të një takimi të tillë, Veseli ka thënë se këtë çështje do të duhej ta merrte përsipër presidentja, si përfaqësuese e unitetit të popullit.

"Do të ishte mirë që veçanërisht nga presidentja e vendit të kishte një ftesë të tillë në mënyrë që liderët politik të bisedojnë. Ka çka të bisedohet dhe kështu të tejkalohet çdo keqkuptim i mundshëm", ka theksuar Veseli.

Në anën tjetër, partitë opozitare kanë njoftuar të martën se për dhjetë ditë të peticionit kundër marrëveshjes me Serbinë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit, janë mbledhur mbi 101 mijë nënshkrime të qytetarëve.

Sipas përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje, Nol Nushi mbledhja e nënshkrimeve kundër këtyre marrëveshjeve do të vazhdojë.

Tri partitë opozitare, ku përfshihen Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma, ka nënvizuar Nushi, vazhdojnë të kërkojnë tërheqjen e nënshkrimeve nga marrëveshjet e fundit, ose bllokada e institucioneve do të vazhdoj.

"Duke e parë numrin e madh të nënshkrimeve kundër këtyre marrëveshjeve, një kryeministër normal do të duhej të reflektonte dhe të tërhiqte nënshkrimin nga këto marrëveshje. Prandaj edhe ne sot bashkërisht këtu i bëjmë thirrje kryeministrit që të tërheq nënshkrimet nga këto marrëveshje. Po nuk e bëri këtë atëherë do të ishte më së miri që të ofronte dorëheqje fare nga qeveria", ka thënë Nushi.

Kërkesën për tërheqjen e nënshkrimeve nga marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi, qeveria e Kosovës dhe partitë e koalicionit në Kuvend e kanë cilësuar të papranueshme.

Një gjendje e tillë përplot tensione, ka dështuar tashmë dy seanca të Kuvendit në të cilat ishte paraparë që kryeministri i Kosovës të raportonte në lidhje me marrëveshjet e arritura me Serbinë në Bruksel.

Veprime të tilla bllokuese opozita ka paralajmëruar edhe për seancën e radhës, të caktuar për ditën e enjte, edhe pse në atë mbledhje nuk do të ketë raportim nga kryeministri dhe as qeveria.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG