Ndërlidhjet

Kusari-Lila: Puna ime si kryetare, pengon dikë


Mimoza Kusari-Lila
Mimoza Kusari-Lila

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se është e bindur që vetëm puna e saj si kryetare i ka penguar dikujt ose ka qenë shkak të iniciojë planet për ekzekutimin e saj.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Kusari-Lila, për rreth dy muaj keni mbrojtje të afërt nga Policia Speciale e Kosovës. Pse?

Mimoza Kusari-Lila: Mbrojtja e afërt është përcaktuar për sigurinë time nga drejtoria e Policisë së Kosovës për arsye të kërcënimit, që është vlerësuar që ka ardhur si rrjedhojë e një informacioni që Policia e Shqipërisë ia ka përcjellë Policisë së Kosovës për urdhër ose për porosi të vrasjes së kryetares së Komunës së Gjakovës, gjegjësisht të ekzekutimit.

Informacionet kanë qenë shqetësuese, natyrisht për policinë dhe janë marrë masat e duhura. Kjo çështje është e hapur, ka më shumë se dy muaj. Do të thotë, që nga fundi i korrikut të këtij viti kur ka ardhur informacioni, por nuk kam ndonjë informatë lidhur me procesin e hetimeve.

Ajo çka dihet është se personat që kanë angazhuar persona nga Republika e Shqipërisë, në fakt ndërmjetësit, janë nga Komuna e Gjakovës. Ngjarja apo biseda për porosinë, vrasjen ose ekzekutimin ka ndodhur në Gjakovë, përderisa nuk dihet se kush janë ata ideatorë të këtij akti tepër të rëndë dhe të pakuptimtë në këtë situatë të cilën gjendemi ne ose shteti, ose edhe vetë rrjedhoja e ngjarjeve të cilat lidhin udhëheqësinë komunale të Gjakovës.

Radio Evropa e Lirë: A keni ndonjë informacion se ku ka arritur ky proces? Çfarë janë duke bërë autoritetet e rendit, Prokuroria Speciale e Kosovës që ka marrë përsipër këtë rast?

Mimoza Kusari-Lila: Nuk kam informata. Unë kam pasur seancën dëgjimore me prokurorin special në muajin gusht. Prej asaj kohe nuk kam pasur asnjë informacion tjetër shtesë. Më kanë kërkuar të dhëna, informacione, natyrisht përshkrimin e rastit, dyshimet e mia dhe të tjera. Por që nga ai moment nuk kam pasur as kontakt më prokurorin special apo me hetues për diçka të re në raport më rastin.

Radio Evropa e Lirë: Sipas jush, a është heshtur ky rast?

Mimoza Kusari-Lila: Unë shpresoj të mos jetë heshtur, sepse po e vërejmë tani nga opinioni publik reagimin e përgjithshëm mbi shëmtinë e këtij rasti. Gjegjësisht, mbi atë se sa e ulët dhe e rëndë është vetëm të mendohet, se jo më të planifikohet një vepër e tillë. Por që besoj sinqerisht që edhe hetuesia, dhe Prokuroria Speciale, do t'i japin fund hetimit, natyrisht me rezultate konkrete.

Konsideroj se ky është një aksion [hetime] që duhet të përfshihen të dy shtetet, gjegjësisht Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës. Pasi kemi të bëjmë me iniciatorë nga Kosova dhe ekzekutues nga Shqipëria. Besoj se në të dy vendet duhet të ekzistojnë pistat e hetimeve dhe të izolimit të autorëve.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Kusari-Lila, thuhet se ju i njihni ndërmjetësuesit që kanë porositur personat nga Shqipëria për ekzekutimin tuaj fizik. A e dini se kush janë ata? A i keni takuar ndonjëherë? A bëhet fjalë për ndonjë konflikt?

Mimoza Kusari-Lila: Unë jam afërsisht e informuar mbi personalitetin e ndërmjetësuesve apo ndërmjetësve, por që asnjë lidhje ose informatë tjetër nuk kam ose nuk mund ta mendoj për këtë rast. Do të thotë, asnjë formë e veprimtarisë time, përveç punës që ushtroj si kryetare e komunës; nuk besoj që mund të ketë shkas tjetër.

Do të thotë, unë jam thellësisht e bindur që vetëm puna ime si kryetare i ka penguar dikujt ose ka qenë shkaku i kujtdo që i ka shkuar ndërmend, si autor ose ideator i këtij rasti, të iniciojë një akt të tillë. Por, në asnjë formë tjetër nuk kam paraparë rrugë të tjera që hetimet mund të çojnë ose do të mund të çonin në pozita tjera të mia.

Kjo me të vërtetë është shqetësuese për shumë arsye. Arsyeja e parë është që të gjinden forma, të paguhen vrasës për të vrarë të vetmen kryetare femër në Kosovë. Së dyti, që dikush mendon që me eliminim fizik mund të arrijë qëllimet e veta, çfarëdo qofshin ato. Dhe së treti, ku në asnjë formë personale nuk kam targetuar ndonjë rast, përveç në aspektin parimor.

Do të thotë në Kosovë, sot, 16 vjet pas luftës, ende dikush mendon që për parime dhe për ushtrim të mirëfilltë të detyrës, mund ta sanksionojë me vdekje një udhëheqës të zgjedhur nga populli.

Radio Evropa e Lirë: Pra, mendoni që kjo ka të bëjë me politikën?

Mimoza Kusari - Lila: S'e kisha thënë domosdoshmërisht. Tash, mbetet fjala e fundit të jepet nga hetuesia dhe prokuroria. Unë mendoj që ka të bëjë me pozitën të cilën unë e ushtroj.

Radio Evropa e Lirë: Thuhet gjithashtu se këta persona, që ju thoni se janë të paguar, kanë hyrë në Kosovë disa herë dhe nuk janë identifikuar në kalimet kufitare. Ju dini diçka për këtë?

Mimoza Kusari - Lila: Unë mund të flas vetëm nga ajo se çfarë kam pasur me bisedat me prokurorin special dhe me hetuesit. Është e vërtetë që hyrje-daljet në Kosovë nga Republika e Shqipërisë mund të bëhen edhe pa u evidentuar. Komuna e Gjakovës në vete ka një kufi prej 54 kilometrash me Republikën e Shqipërisë, çfarë ka bërë që këta njerëz, gjegjësisht personat në fjalë, mund të hyjnë ose edhe kanë hyrë pa u evidentuar nga policia.

Ka ardhur në vëmendjen time që njëri nga dy të porositurit ka qenë në Gjakovë edhe pas denoncimit të rastit, gjegjësisht edhe pas zbulimit të rastit është kthyer prapë dhe është vërejtur në qytet, por nuk ka qenë i evidentuar në policinë kufitare.

Do të thotë kjo është një prej informatave shqetësuese, natyrisht për secilin individ, jeta e të cilit mund të kërcënohet. Por besoj që një mobilizim edhe njëherë, i të dy organeve të drejtësisë, të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, mund ta sjellë në përfundim këtë rast jo të lehtë për mua personalisht, por natyrisht edhe për të gjithë qytetarët e Komunës së Gjakovës dhe të Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: A e keni mbrojtjen e afërt ende?

Mimoza Kusari - Lila: Jo. Ka dy ditë që nuk e kam mbrojtjen e afërt. Kam kërkuar vetë. Arsyeja ka qenë që filloi të duket absurde që unë të endem me mbrojtjen e afërt përderisa ka pasur mundësi për t'u mbyllur rasti. Me iniciativën time dhe me vlerësimin e policisë që rreziku nuk është në shkallën çfarë është vlerësuar në fillim, unë kam nënshkruar që nuk ka nevojë të më përcjellë policia në mbrojtje të afërt.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG