Ndërlidhjet

Kosovë: Vetëm një mësimdhënës për fëmijët e komunitetit rom


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Në Kosovë, shpesh raportohet se fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas janë shumë pak të integruar në sistemin arsimor, të paktën sipas udhëheqësve të organizatave që merren me këtë çështje.

Por, më pak raportohet për faktin se fëmijët e këtyre komuniteteve nuk kanë mundësi të vijojnë mësimin në gjuhën amtare. Ata mësimin e vijojnë në gjuhën shqipe dhe atë serbe.

E vetmja mundësi që iu është dhënë disa fëmijëve janë dy orë në javë mësim vetëm në gjuhën rome, për gjuhën, historinë dhe kulturën rome.

Në mbarë Kosovën është vetëm një mësimdhënës që ka arritur të mbledhë disa fëmijë dhe ka formuar katër klasa në nivel vendi, që t'ua mësojë gjuhën rome, thotë Osman Osmani, drejtor i organizatës joqeveritare "Nevo Koncepti’’.

"Mësimin e rregullt fëmijët e vijojnë të gjithë në gjuhën shqipe dhe serbe, ndërkaq vetëm 1 herë në javë, nga dy orë u mësohet për gjuhën, historinë dhe kulturën rome".

"Në kuadër të Ministrisë së Arsimit ka edhe mësimin fakultativ të gjuhës rome,dhe kjo zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Arsimit të Prizrenit në katër shkolla fillore, ku për fëmijët e komunitetit rom, por edhe të komunitetit ashkali dhe egjiptas, i ofrohet mësimi 2 herë në javë për gjuhën, kulturën dhe historinë", tha Osmani.

Ndërkaq, Avdullah Mustafa nga organizata ‘’Roma and Ashkali Dokumentacion Center’’, thotë se në Mitrovicën veriore janë 200 fëmijë të komuniteteve RAE që ndjekin mësimin në gjuhën dhe sistemin serb, derisa 50 fëmijë në pjesën jugore që ndjekin mësimin në gjuhën shqipe.

Ai thotë se në gjuhën amtare nuk është e mundur të vijohet mësimi.

"Në gjuhën rome nuk ka mësim, por nuk ka as material e as kuadro. Janë disa kurse në kuadër të projektit në gjuhën rome. Në këtë kurs kemi mësuar fëmijët në gramatikën e gjuhës rome, meqë edhe kjo gjuhë ka shumë dialekte".

E në Zyrën për Qeverisje të Mirë, në kuadër të kryeministrisë së Kosovës, Habit Hajredini, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se janë duke ndarë bursa për studimet post-diplomike dhe doktoraturë për komunitetet RAE, në mënyrë që të dalin kuadro, që në të ardhmen t'i mësojnë fëmijët.

"Për fëmijët e komuniteteve RAE, mund të themi se Ministria e Arsimit dhe institucionet tjera kanë punuar në këtë drejtim dhe është zhvilluar kurrikula dhe kjo ka hyrë në fuqi dhe është duke u punuar në ngritjen e pedagogëve. Po investohet edhe në nxënës dhe studentë, duke iu dhënë lehtësira në regjistrim edhe në shkallë universitare".

"Kemi ndarë edhe bursa për nivele master dhe doktoraturë për të marrë edukimin e duhur në mënyrë që të dalin pedagogë që të japin dije te fëmijët e komuniteteve RAE", tha Hajredini.

Sidoqoftë, në Kosovë aktualisht jetojnë rreth 9 mijë romë, mbi 14 mijë egjiptas dhe 15 mijë ashkalinjë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG