Ndërlidhjet

Integrimi i fëmijëve të komuniteteve RAE në arsim


Foto nga arkivi, Prishtinë, 8 prill 2015
Foto nga arkivi, Prishtinë, 8 prill 2015

Në Kosovë aktualisht jetojnë rreth 9 mijë romë, mbi 14 mijë egjiptas dhe 15 mijë ashkalinjë.

Fëmijët e këtyre komuniteteve janë shumë pak të integruar në sistemin arsimor të Kosovës, thonë udhëheqës të organizatave që merren me këtë çështje.

Fëmijët nga komuniteti egjiptas dhe ai ashkali, vijojnë mësimin në gjuhën shqipe, derisa ata nga komuniteti rom. në gjuhën serbe.

Osman Osmani, drejtor i organizatës ioqeveritare "Nevo Koncepti’’, ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë arsyen e mosintegrimit të fëmijëve në sistemin arsimor.

"Ka përparime, por ka edhe sfida me të cilat përballen fëmijët e komuniteteve RAE . Prindërit e hedhin topin tek institutcionet e Kosovës dhe e kundërta. Problemi është i dyanshëm. Edhe pse kemi rregullore për qasjen e fëmijëve në shkollimin e obligueshëm, prindërit e fëmijëve nuk janë të informuar dhe nuk janë të vetëdijshëm sa i rëndësishëm është arsimimi i tyre", thotë zoti Osmani.

Sipas tij, as institutcionet e vendit nuk po bëjnë aq sa duhet për t'i integruar fëmijët e komuniteteve RAE, në sistem arsimor parauniversitar.

"Unë nuk kam pasur rastin të shoh që të dërgojnë punëtorët socialë, të ndihmojnë familjet e fëmijëve, që t'i regjistrojnë fëmijët në shkolla. Pastaj shkollat nuk kanë informata se sa fëmijë duhet t'i regjistrojnë në klasën e parë".

"Pastaj, edhe pse me ligj arsimimi fillor është i obligueshëm, komunitetet nuk janë të njoftuara, pasi që afatet e regjistrimit nuk janë shumë publike. Ka shumë prindër që nuk i dijnë afatet, nuk e dijnë se fëmija në moshën 6 vjeçare duhet të jetë në klasën e parë", thotë zoti Osmani për programin tonë.

Por, drejtori i Departamentit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Alush Istogu e thotë të kundërtën.

Ai i shpjegon mundësitë e krijuara për fëmijët e komuniteteve RAE për integrimin e tyre në sistemin arsimor.

"Ne kemi formuar komisione të përbashkëta në mes të shkollave, komunave si dhe komuniteteve, që të evidentohet çdo fëmijë që nuk është i përfshirë në sistemin arsimor".

"Ne kemi të integruar në sistemin e arsimit parauniversitar fëmijë të komuniteteve RAE, gjithashtu ka kuota dhe kemi shpallë konkursin me një organizatë hungareze, për dhënien e bursave për nxënës të shkollave të mesme. Kemi përgatitur edhe tekstet shkollore për të gjitha komunitetet, përfshirë këtu edhe për ato RAE në institucionet tona shkollore, në kuadër të arsimit parauniversitar të integruar,sikur për çdo nxënës tjetër", thotë zoti Istogu.

Bekim Syla, nga organizata joqeveritare e komuniteteve RAE ka bërë të ditur se fëmijët e atyre familjeve që janë riatdhesuar nga vendet e Bashkimit Evropian, janë ata që më së paku janë kyçur në sistem arsimor.

"Këta që janë kthyer nga vendet e rajonit, janë më të integruar, por fëmijët e kthyer prej vendeve evropiane, janë shumë pak të integruar. Kemi biseduar me zyrtarë në Qeverinë e Kosovës, me ambasadën gjermane, por fëmijët e kthyer nga BE-ja janë të zhgënjyer dhe shumë pak po integrohen".

"Ndërkaq, fëmijët që kanë lindur në Kosovë të komuniteteve RAE janë të integruar, posaçërisht nga komuniteti egjiptas. Edhe në fakultete janë të kyçur", thotë zoti Syla.

Sipas zyrtarëve të organizatave joqeveritare që merren me të drejtat e komuniteteve, rreth 90 për qind e komunitetit rom janë të papunë dhe jetojnë nga asistenca sociale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG