Ndërlidhjet

Degradimi i jetës institucionale


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Në Kosovë aktualisht është duke ndodhur degradimi i jetës institucionale dhe një largim nga normaliteti, për shkak të raporteve ndërmjet partive në pushtet dhe atyre opozitare, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, deputetët e opozitës patën bllokuar vazhdimin e seancës, për shkak të propozimit për shtyrjen e raportimit të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, për marrëveshjet e arritura me Serbinë në dialogun e Brukselit.

Opozita gjithashtu ka paralajmëruar se nuk do të ketë normalitet në Kosovë, përderisa kryeministri të mos heqë dorë nga marrëveshjet e arritura me Serbinë.

Njohësit e zhvillimeve politike thonë se përderisa ekzekutivi i vendit nuk po e reflekton as minimumin e transparencës për gjërat e rëndësishme që kanë të bëjnë me vendin, në anën tjetër, partitë opozitare, sipas tyre, po zgjedhin mënyrat e gabuara dhe me qasje bllokuese, për ta kundërshtuar koalicionin qeverisës.

Albert Krasniqi, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se sjellja e opozitës nuk konsiston me demokracinë, por as jotransparenca e ekzekutivit.

“Ne e kemi kundërshtuar bllokimin që është bërë nga partitë opozitare në Kuvend dhe nuk mendojmë se është mënyra e duhur për t’i zgjidhur problemet, me të cilat po ballafaqohet vendi e as për të pasur një rezultat një rezultat më të mirë në procesin e dialogut nëpër të cilin po kalon Kosova me Serbinë në Bruksel”.

“Në anën tjetër, pakënaqësitë tona janë edhe ndaj ekzekutivit, ndaj partive të cilat qeverisin me vendin, për shkak se edhe qeveria e kaluar, por edhe kjo e tashmja janë treguar të pasinqerta dhe kanë treguar çakordim sa përket koordinimit të procesit dhe komunikimit qoftë me publikun, qoftë me partitë opozitare”, tha Krasniqi.

Artan Muhaxhiri, analist i çështjeve politike, thotë se për degradimin e jetës institucionale përgjegjëse janë edhe partitë në pushtet, por edhe ato opozitare. Ekzekutivi sipas tij, për sa i përket transparencës, po tregohet i mbyllur.

“Gati nuk e ka as minimumin e transparencës dhe të shpjegimeve të informatave, të cilat ajo është e obliguar që t’ia paraqesë opinionit. Mirëpo, në anën tjetër, e kemi një opozitë, e cila për fat të keq, është duke i zgjedhur mënyrat e gabuara për ta luftuar koalicionin, sepse me një qasje të tillë bllokuese, ajo së pari, nuk mund ta ketë përkrahjen e qytetarëve, por as përkrahjen e partnerëve tanë të rëndësishëm ndërkombëtarë”.

Por, çfarë sinjalesh po dërgojnë partitë politike, qoftë ato në pushtet e qoftë ato në opozitë dhe a mund të degradojë edhe më tutje jeta institucionale në Kosovë?

Krasniqi thotë se tensionet që patën nismat në procesin e konstituimit të institucioneve, si dhe nga ngërçi institucional gjashtë mujor, tashmë janë përshkallëzuar dhe është vështirë të parashihet se si do të përfundojnë.

“Tash është vështirë që të mund të dalim në një përfundim dhe ta dimë se si kanë për të rrjedhur ngjarjet. Mirëpo, e dimë që ky proces nuk do të na çojë askund në këtë mënyrë”.

Muhaxhiri vlerëson se opozita duhet të jetë më e ndjeshme ndaj reagimit të medieve dhe shoqërisë civile, të cilat në vazhdimësi janë duke e kundërshtuar përdorimin e dhunës në protesta dhe në bllokimin e institucioneve.

“Ka sinjale që gjendja mund të përshkallëzohet, por gjithashtu, ka sinjale që një sjellje e tillë mund t’i sjellë vetëm dëme opozitës. Nëse opozita synon të veprojë në mënyrë dogmatike, mendoj se do ta bëjë një gabim, sepse, në fakt, më shumë i bën dëm kauzës së saj sesa që i bën dobi. Pra, lufta politike duhet të bëhet brenda institucioneve dhe brenda sistemit politik të Kosovës”.

Muhaxhiri ka shtuar se qasja e opozitës është e vonuar dhe se kjo po përsëritet.

Sipas tij, ajo është dashur që protestat dhe presionet t’i bëj para nënshkrimit të marrëveshjeve në Bruksel dhe jo më pas, sepse, siç tha ai, është absurde të pritet që këto marrëveshje, sado të kenë elemente të dëmshme, të anulohen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG