Ndërlidhjet

Bisedime shkaku i moszbatimit të marrëveshjeve


Edita Tahiri
Edita Tahiri

Në mungesë të zbatimit të disa prej marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel gjatë këtij muaji do të ketë takime të nivelit teknik.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë, se më 28 dhe 29 shtator do të mbahen takimet e radhës në nivelin teknik.

Ministrja Tahiri thekson se në këto takimi kryesisht do të bisedohet për problemet gjatë moszbatimit të marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovë dhe Serbisë.

Sipas saj, temat që do të diskutohen do të jenë rreth marrëveshjeve për lëvizjen e lirë, qarkullimi me tabelat “provë”. Po ashtu edhe çështja e mosrespektimit të marrëveshjes për njohjen e diplomave, funksionimi i zyrave ndërlidhjes në Kosovë dhe Serbi, si dhe marrëveshjen që Kosova nuk e po e zbaton, që ka të bëjë më kadastrën.

“Serbia ka kaq vite që nuk i ka hequr këto tabelat ‘prova’, ne do taparalajmërojmë Bashkimi Evropian, ose ata do t’i heqin këto tabela ose ne do të marrin vendim që t’i vendosim edhe ne tablat ‘prova’ për automjetet që vijnë nga Serbia”, thotë Tahiri.

Ministrja Tahiri sqaron për Radion Evropa e Lirë se lidhur me moszbatimin e marrëveshjeve të arritura nga ana e Serbisë, autoritet e Bashkimit Evropian janë njoftuar në vazhdimësi.

“Ndëshkimi që i është bërë Serbisë për mosrespektim cilësor të marrëveshjeve, është bllokimi që i është bërë Serbisë për hapjen e bisedimeve për integrime evropian. Serbia është dashur që në janar të vitit 2014 të niste bisedimet për anëtarësim. Siç e dini, deri sot e kësaj dite nuk ka mundur t’i hapë bisedimet dhe kjo ndërlidhet dhe është kushtëzim, sepse nuk i ka zbatuar siç duhet marrëveshjet”, thekson Tahiri.

Dialogu politik dhe ai teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duhet të sjellë rezultate konkrete dhe nuk duhet të ketë vonesa në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, konsideron Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika.

Ai thekson se për moszbatimin e marrëveshjeve, Prishtina dhe Brukseli zyrtare duhet të bëjnë më shumë presion në Beograd.

“Prishtina duhet ta mobilizoj sa më shumë jo vetëm Komisionin Evropian dhe ndihmuesin e bisedimeve, por edhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, kështu që të bëhet presion mbi Serbinë që mos të fillohen negociatat pa i zbatuar në tërësi marrëveshjet në frymën evropiane”, vlerëson Rashiti.

Vazhdimi i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura, është potencuar si një nga prioritetet politike, jo vetëm për Kosovën, por edhe Serbinë për vitin 2015.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, nga Bashkimi Evropian është vënë edhe si një nga parakushtet e rrugëtimit të tyre në proceset integruese evropiane.

Prishtina dhe Beogradi kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizim marrëdhëniesh më 19 prill 2013, në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG