Ndërlidhjet

Pak kush po e lufton korrupsionin


Ilustrim @Shutterstock
Ilustrim @Shutterstock

Kosova nuk po arrin që të tregojë e dëshmojë rezultate të duhura në luftimin e dukurive negative, siç është korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Kështu deklaroi ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.

Ambasadori O’Connell, në një debat të organizuar nga Lëvizja “Fol”, me ç’rast është publikuar një hulumtim në perceptimin e qytetarëve për nivelin e korrupsionit, tha se korrupsioni në institucione është duke ngufatur Kosovën dhe zhvillimin e saj në aspektin ekonomik dhe atë të demokracisë.

“Kosova ka mungesë të rezultateve konkrete në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Edhe më tutje, Kosova nuk ka demonstruar përkushtim për të konfiskuar pasurinë e paligjshme të fituar për mes veprave penale”.

“Prandaj, luftimi i korrupsionit duhet të fillojë brenda institucioneve dhe shembulli duhet të jepet së pari nga aty. Është e patolerueshme që të shohim skandalet e njëpasnjëshme të përfshirjes në afera të dyshimta korruptive të zyrtarëve të institucioneve dhe në të njëjtën kohë mos të shohim ndëshkimet e tyre”, tha ambasadoriO’Connell.

Ambasadori tha se korrupsioni në Kosovë mund të ndërpritet dhe Kosova mund të përparojë nëse zbatohen praktikat e ndëshkueshmërisë dhe llogaridhënia.

Ai tha po ashtu se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të kërkojnë llogari nga udhëheqësit e institucioneve për punët që bëjnë.

“Kjo duhet të ndryshojë nga të rinjtë e Kosovës, të cilët duhet t’i thonë stop praktikave të deritashme. E ardhmja e Kosovës varet nga niveli i respektimit të ligjit, varet drejtpërdrejtë nga luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar".

"Në këtë drejtim, përveç arritjes së rezultateve është shumë e nevojshme që në këtë proces të punës të sigurohet transparenca para publikut dhe të rritet llogaridhënia”, tha O’Connell.

Ai përmendi tre faktorë që janë duke ndikuar në rritjen e korrupsionit në Kosovë.

“E para është vullneti i pamjaftueshëm për të luftuar korrupsionin qoftë nga institucionet, qoftë nga qytetarët. Sfida e dytë, sa i përket institucioneve anti-korrupsion, Kosova është krahasuar me vendet në rajon dhe në Evropë, por në të njëjtën kohë është e para sa i përket nivelit të korrupsionit”.

“Pra diçka nuk është në rregull, me strukturat për luftimin e korrupsionit sepse përgjegjësia po bartet nga njëri tek tjetri. Sfida e tretë, Kosova ka nevojë për një sistem të pavarur të drejtësisë”, ka theksuar ambasadori O’Connell.

E pranishme në debat, prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, tha se korrupsioni në Kosovë vazhdon të jetë një shqetësim dhe sfidë për shumë institucione.

Ajo tha se lufta kundër korrupsionit do të jetë shumë e gjatë.

Prokurorja Hajdari ka kritikuar kolegët e saj prokurë e gjykatës për mos efikasitet dhe përgjegjësi në punë.

“Jemi të mërzitur, jemi të lodhur nga prokurorët burokratë, të cilët i zhvillojnë hetimet nga zyrat e tyre apo nga kafenetë apo restorantet duke drekuar me politikanë në disa raste edhe me persona të dyshimtë. Jemi të lodhur nga prokurorët, të cilët më shumë kujdesen për interesat e tyre personale, për privilegjet e tyre, sesa për luftën kundër kriminalitetit. Kjo është edhe për ne e papranueshme”, tha Hajdari.

Hajdari ka theksuar edhe mungesën e besueshmërisë së qytetarëve në sistemin e drejtësisë, që sipas saj, është një shqetësim i madh.

“Prokuroria është një institucion i rëndësishëm në luftën kundërkorrupsionit, por nuk është faktor i vetëm, nuk mund të vendoset barra vetëm në shpinën e prokurorisë që ta luftojë (korrupsionin). Qëllimi ynë është luftimi i korrupsionit, qëllim ky që e keni edhe ju shoqëria civile dhe mediet”, tha Hajdari.

Në një hulumtim të Lëvizjes “Fol”, qytetarët janë pyetur për tri problemet kryesore që i shqetësojnë.

Rreth 52.8 për qind e tyre, problem kryesor e konsiderojnë papunësinë, rreth 39.7 për qind e tyre mendojnë se korrupsioni është njëri nga problemet kryesore, si dhe rreth 34 për qind e qytetarëve mendojnë që performanca e dobët e Qeverisë është një nga problemet kryesore në vend.

Sa i përket pranisë së korrupsionit në institucione, rreth 40 për qind e qytetarëve mendojnë se ai është më i përhapuri në Qeverinë e Kosovës.

Ndërsa, 27.9 për qind e qytetarëve mendojnë që korrupsioni është më së shumti i shtrirë në partitë politike, si dhe 26 për qind mendojnë që korrupsioni është i përfshirë në sistemin gjyqësor.

Lëvizja “FOL” tha se hulumtimi është bërë në 38 komuna të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG