Ndërlidhjet

Lugina e Preshevës insiston në Asociacion


Këshilltarët shqiptarë të tre komunave: Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, tërësi kjo e njohur nga shqiptarët e këtyre komunave si Lugina e Preshevës, në jug të Serbisë, do ta sjellin vendimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë shqiptare në Serbi, konfirmojnë zyrtarët shqiptarë të këtyre komunave.

Jonuz Musliu, kryetar i këshillit Nacional të Shqiptarëve (KNSH), i ka thënë Radios Evropa e Lirë se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për takimin e këshilltarëve shqiptarë të tri komunave me shumicë shqiptare në Serbi, takim ky i cili pritet të mbahet të shtunën, në Preshevë.

“Teknikisht gjithçka është përgatitur për takimin e nesërm të këshilltarëve shqiptarë, në orën 11, në Preshevë. Do të bihet një vendim për Asociacionin e komunave me shumicë shqiptare, në Luginë të Preshevës”, theksoi Musliu.

Ndryshe, idenë për formimin e një Asociacioni të komunave me shumicë shqiptare e kishte aktualizuar Musliu në fund të muajit gusht të sivjetmë.

Por, çfarë synohet me formimin e këtij asociacioni?

Kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë shqiptare në Serbi “është iniciativë e këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës” dhe ky organ synohet të jetë analog me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Ajo që po ndodhë në Kosovë për Asociacionin e komunave serbe në Republikën e Kosovës, të ndodhë edhe për shqiptarët në Luginë të Preshevës. Pra, që të themelohet Asociacioni i komunave shqiptare në Luginë të Preshevës, që ta arrijë po atë shkallë të të drejtave sa edhe për serbët në Republikën e Kosovës, gjë për të cilën gjykojmë se është plotësisht e drejtë, plotësisht analoge dhe proporcionale”, tha Mustafa.

Mendim të ngjashëm ka edhe kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, i cili thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për formimi i këtij asociacioni do të jetë në përputhje me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe po ashtu, duke u bazuar, siç thotë ai, “në referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, në platformën politike të shqiptarëve të Luginë së Preshevës, të aprovuar me 14 janar të vitit 2006, si dhe në përputhje parimit të reciprocitetit, duke u bazuar në marrëveshjen fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për formimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Arifi thekson se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë shqiptare në Serbi, nuk e shkel Kushtetutën serbe.

“Në Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe në Ligjin për administrimin lokal thuhet se: tri apo më shumë komuna mund të aprovojnë edhe akte të përbashkëta kur kemi të bëjmë me planifikimin hapësinor apo në bashkëpunim për çështje të kulturës, arsimit dhe kështu me radhë".

"Ky është një vendim i yni ku mendoj se edhe faktori ndërkombëtar, po para së gjithash Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Shqipërisë duhet të na ndihmojnë në këtë drejtim, sepse ky është vetëm një përparim në të drejtat e pakicave në rajonin e Ballkanit perëndimor”, u shpreh Arifi.

Në anën tjetër, autoritetet e larta Serbe kanë kundërshtuar idenë e këshilltarëve shqiptarë të tri komunave: Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për formimin e asociacionit.

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për transmetuesin publik të Serbisë, e ka quajtur veprim të papërgjegjshëm politik dhe të papranueshëm.

“Serbia di si të reagojë - me urtësi dhe mençuri. Nëse është e nevojshme ta tregojë fuqinë, mos keni dert, sepse gjithsesi do ta tregojë”, ka theksuar Vuçiq.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri serb Ivica Daçiq, me tone të ashpra i ka porositur këshilltarët komunalë shqiptarë “të mos luajnë me zjarr”.

“I paralajmërojmë që të shtunën në Preshevë të mos bëjnë ndonjë paralele me Bashkësinë e komunave serbe në Kosovë. I paralajmërojmë që të mos luajnë me zjarr dhe ta respektojnë kushtetutën dhe rendin e Serbisë”, ka thënë Daçiq.

Por, përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në jug të Serbisë, thonë se porositë nga autoritetet e larta serbe, të cilat ata i vlerësojnë si kërcënime, sipas tyre nuk janë për herë të parë.

Musliu thotë se veprimet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk çojnë në drejtim të nxitjes së konflikteve.

“Ne nuk jemi për të hapur zjarre, as fronte e luftëra, por jemi për atë që ta zgjidhim problemin e shqiptarëve. Nuk jemi as kundër t drejtave të serbëve në Kosovë, por jemi që të bëhet një reciprocitet në mes serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Edhe Evropa nuk duhet të luaj me dy standarde, ndryshe për serbët e Kosovës e ndryshe për shqiptarët e luginës së Preshevës”, ka theksuar Musliu.

Kryetari i komunës së Preshevës, Mustafa, thekson se mesazhet kërcënuese nga autoritetet serbe për shqiptarët e Luginës së Preshevës janë rutinë.

“Ne jemi mësuar me deklarata të tilla të Daçiqit. Ne, në këtë drejtim, jemi nën presione të vazhdueshme edhe më parë. Nuk është ky presioni i parë dhe fundit i tij. Por, ne do të vazhdojmë me iniciativën tonë, sepse është një iniciativë e këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës".

"Në këtë drejtim, fjalën e lirë dhe mendimin e lirë të këshilltarit, të zgjedhur nga vota e popullit, nuk mund ta pengojë askush. Deklaratat kërcënuese të Daçiqit nuk më bëjnë përshtypje”, tha Mustafa.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Bujanocit, Arifi, nuk dëshiron t'i komentojë deklaratat e autoriteteve serbe.

“Unë nuk dua t’i komentojë deklaratat e Daçiqit dhe Vuçiqit, sepse nuk janë deklaratat e para. Ne nuk po aprovojmë ndonjë dokument për shkelje të drejtave të serbëve të Kosovës apo të serbëve lokal, këtu në Bujanoc, por ne po i kërkojmë të drejtat tona”, theksoi Arifi.

Përfaqësuesit e shqiptarëve të tri komunave, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, kanë paralajmëruar se në takimin e së shtunës, pas vendimit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë shqiptare në Serbi, do ta formojnë edhe një grup punues ekspertësh për përgatitjen e statutit të këtij Asociacioni.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG