Ndërlidhjet

Kosova apo vendet e rajonit atraktive për investitorë?


Ilustrim
Ilustrim

Që Kosova të jetë më atraktive sesa vendet tjera të Ballkanit Perëndimor për investitorët e huaj, duhet të bëhen reforma rrënjësore të politikave ekonomike, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve, të cilët mbrojnë interesat e investitorëve.

Promovimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor për investime ndërkombëtare, nga qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian, janë parë si mundësi për zhvillimin ekonomik dhe garanci për stabilitet social në këto vende.

Për këtë në sesionet e Samitit të Ballkanit Perëndimor në Vjenë është themeluar edhe Forumi i Investimeve i Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor.

Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian në Kosovë, Shpend Balija, thotë për Radion Evropa e Lirë, se për të zgjedhur investitorët Kosovën para vendeve të rajonit, duhet që institucionet të marrin hapa konkretë në zbatimin e ligjeve dhe përmirësimin e politikave fiskale.

“Problematik dhe sfidë kryesore mbetet harmonizimi dhe zbatimi i ligjeve, të cilat janë në fuqi, e të cilat nuk po zbatohen. Ka disa lehtësia fiskale, mirëpo mendoj se ka ende shumë hapësirë që të përmirësohen gjërat dhe për këtë arsye, ngritja e çështjeve nga investitorët e huaj është serioze dhe ashtu duhet të merren edhe nga ministrat relevantë”, thekson Balija.

Si pikë konkurruese për investitorët e huaj, shton Balija, mund të përdoren pagat e ulëta në Kosovë, krahasuar me vendet e rajonit.

“Diçka që e bën Kosovën më atraktive është pikërisht fuqia punëtore, e cila është më e lirë sesa në rajon dhe kjo mund të përdoret si avantazh, i cili dërgon drejt konkurrueshmërisë dhe krijimit të sektorëve konkurrentë, të cilët kanë përparësi".

"Dhe, pastaj, me kalimin e kohës, me zhvillimin ekonomik dhe ngritjen e kapaciteteve prodhuese, Kosova do të jetë në gjendje që të ketë Bruto Produktin Vendor më të lartë për kokë banori dhe inkasimi buxhetor do të jetë më i lartë”, vlerëson Balija.

Pakoja e re fiskale, e cila ka hyrë në fuqi nga 1 shatori i këtij viti, nga përfaqësues të komunitetit të biznesit edhe ekspertë të çështjeve ekonomike, po vlerësohet se do ta bëjë Kosovën një vend më atraktiv për investitorët e huaj, në veçanti në sektorin e prodhimit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova ka nevojë për investime të huaja, por për t’i pasur këto investime dhe për të tërhequr fonde nga mekanizmat ndërkombëtarë, në Kosovë duhet të sundojë rendi dhe ligji.

“Është shumë e vërtetë që në Kosovë agjenda politike është e stërngarkuar. Nga e kaluara kemi një bagazh të ngarkuar me një imazh mjaft negativ, por të mos mendohet se vendet tjera dallojnë në këtë drejtim. Për këtë arsye edhe është një tentativë e Bashkimit Evropian që të ketë një përmirësim gjeneral të aspektit ekonomik dhe të bërit biznes në të gjitha këto vende të Ballkanit Perëndimor”, thekson Gërxhaliu.

Niveli i lartë korrupsionit, mungesa e politikave më të favorshme fiskale, evazioni fiskal, jostabiliteti me energji elektrike janë disa nga faktorët që, sipas raporteve të bëra nga organizatat ekonomike, janë identifikuar si problemet më të mëdha që kanë ndikuar që shumë investitorë të mos e shtrijnë kapitalin e tyre në Kosovë.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, në pesë muajt e parë të këtij viti, investimet e huaja kanë arritur në gati 160 milionë euro, përderisa në vitin e kaluar investimet e jashtme kanë qenë 151 milionë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG