Ndërlidhjet

Sylejmani: Atletika e Kosovës, pa shtigje


Halil Sylejmani
Halil Sylejmani

"Atletika është dhe do të jetë mbretëreshë e sporteve, por fatkeqësisht në Kosovë nuk kuptohet kështu", thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Halil Sylejmani, kryetar i Federatës së Atletikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Sylejmani, javë me parë Federata e Atletikës së Kosovës, është pranuar në Federatën Ndërkombëtare të Atletikës si anëtare e barabartë. Çfarë momenti është ky për federatën që ju drejtoni?

Halil Sylejmani: Që në fillim të them se, me të drejta të kufizuara, Federata e Atletikës e Kosovës ka qenë e pranuar me 15 prill të këtij viti, në Pekin të Kinës. Kështu, me 19 gusht 2015 është pranuar me të drejta të plota, si anëtare e barabartë me simotrat në botë. Në këtë kongres, i cili ishte i 15-i me radhë, pas diskutimit të shkurtë, u hodh në votim, i cili ka qenë me kod, ekskluzivisht i mbyllur, i fshehur, 187 kanë qenë për, kurse 13 kundër.

Nuk mund të themi se kush ka votuar ose jo, por unë kam qenë prezent në mesin e 213 shteteve anëtare të IAAF-it (Federatës Ndërkombëtare të Atletikës), ku edhe Kosova u bë e barabartë. Disa urime shumë të sinqerta na janë bërë menjëherë pas pranimit të atletikës sonë. Kryetari i Federatës Evropiane të Atletikës, në gjuhën shqipe na tha “Mirë se vini në familjen e madhe të atletikës”.

Në gjuhën shqipe na i tha këto fjalë. Ishte shumë interesante, sepse besoj që atletika është dhe duhet të jetë - fatkeqësisht në Kosovë jo shumë - mbretëreshë e sporteve. Unë mendoj që jo vetëm për atletikën, por është moment tërësisht për Kosovën, sepse kur e shohim flamurin, himnin dhe prezencën e vet delegacionit në kongres dhe të pjesëtarëve të atletikës, mendoj se një gjë të tillë nuk mund ta bëjë një apo 10 ambasador. Ke punë me 213 shtete dhe aty je prezent, tregon se ekziston. Por, duhet punë, që ne të tregojmë se jemi sikur të tjerët.

Radio Evropa e Lirë: Kur jemi këtu, që të tregojmë se jemi si të tjerët, siç thoni ju, së fundmi keni qenë edhe në Pekin, në kampionatin botëror të atletikës. Por, pse Kosova është përfaqësuar atje vetëm me një atlet?

Halil Sylejmani: Federata Evropiane (e atletikës) ka pasur në Bled të Sllovenisë një Kongres, që ka qenë zgjedhor dhe unë kam qenë i ftuar si kryetar i Federatës së Atletikës të Kosovës. Mirëpo, fatkeqësisht, Ambasada sllovene nuk ma dha vizën me kohë, sepse shumë shpejt nevojitej viza.

Më refuzuan dhe unë nuk isha prezent (në Bled). Nuk është pranuar në Federatën Evropiane në Bled dhe ne nuk kemi pasur kohë që të kualifikohemi, që të shkojnë më tepër atletë me kualifikim. Andaj, së paku një atlet, me disa kushte të përkufizuara, ka të drejtë ta përfaqësoj shtetin në këtë kampionat botëror.

Radio Evropa e Lirë: Nëse sot do të mbahej një kampionat i tillë, çfarë janë mundësitë e atletëve të Kosovës për pjesëmarrje në të?

Halil Sylejmani: Ne kemi atletë mjaft. Por, më cilësorët duhet të tregojnë disa rezultate, sepse atletika është me kualifikime, e ka normën dhe atleti duhet ta ketë normën minimale. Unë besoj që për një kampionat botëror, së paku tre apo katër atlet i plotësojnë normat.

Ne, për herë të parë, morëm pjesë me një atlet në kampionatin botëror. Por, dhëntë Zoti, ne do të marrim pjesë edhe në lojërat ballkanike dhe ato evropiane. Vlen të ceket se ne jemi të pranuar edhe në Federatën Mediterane (Mesdhetare) të Atletikës, në të cilën na kanë pranuar po ashtu në Pekin.

Tash vetëm duhet të shkojmë të nënshkruajmë një kontratë me kryetarin e Federatës Mediterane të Atletikës dhe ne t’i bëjmë garat gradualisht. Ende nuk mund të them se do të bëjmë bujë, apo ta quajmë “bum”, që të jemi në elitën më të madhe, sepse jemi një vend i vogël dhe tashmë dihet se gjatë 25 vjetëve kemi qenë të shkelur. Ne e kemi mbajtur gjallë, po nuk ka pasur kushte as minimale.

Radio Evropa e Lirë: Por sot, cilat janë kushtet aktuale për zhvillimin e atletikës në Kosovë dhe a ka infrastrukturë të mjaftueshme për një gjë të tillë?

Halil Sylejmani: Kemi entuziast, atletë dhe trajner, njerëz që janë marrë me atletikë që e herët e deri sot. Por, kushtet, them, nuk janë absolutisht të mira. Një shteg i atletikës në Mitrovicë, sivjet është në rinovim dhe nuk kemi marrë pjesë në gara fare. Çfarë të themi për Prishtinën?

Unë e dëgjova kryetarin e komunës së Prishtinës, zotin Shpend Ahmeti, kur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ka ndarë 3 milionë (euro) për të rregulluar çështjen e stadiumit, ai e përmend se do të ketë disa kushte të mira futbolli.

Nuk jam kundër asnjë sporti tjetër, por atletika është mbretëreshë e sporteve. Ka harruar, me qëllim apo pa qëllim, por nuk i përmendi shtigjet e atletikës. Dikur edhe unë kam qenë atlet dhe kam ushtruar në ato shtigje. Besoni që para disa viteve kanë qenë kushtet ma të mira se sa sot që i ka Prishtina, si kryeqytet.

Dikur i ka pasur qindra atletë klubi i atletikës së Prishtinës, e sot nuk i ka ndoshta as 10. Falë Zotit që e dëshirojmë dhe e duam shumë atletikën, ata që merren me atletikë, sepse kushtet janë minimale. Them minimale, ku nuk mund ta hedhësh shtizën, sferën apo të kërcesh e të tjera. Të vraposh, ekziston një mundësi, sepse vrapimet mund të bëhen edhe jashtë. Mirëpo, matja dhe përvoja bëhen në shteg. Shtigjet ku matet forca, teknika, dhe të gjitha çështjet, nuk i ka.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG