Ndërlidhjet

BE-ja nuk do të lejojë diskurs nacionalist


Bruksel
Bruksel

Ashpërsimi, kohët e fundit, i diskursit politik nga ana e autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë, reflekton mosdurimin e ndërsjellë dhe mundësinë e betejës së gjatë ndërmjet dy vendeve, lidhur me mospajtimet e vazhdueshme që kanë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Polemikat, së fundmi, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndërmjet ministrave të Jashtëm të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, janë kritikuar se diskursi i tyre bart edhe fjalor nacionalist.

Artan Muhaxhiri, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se ashpërsimi i diskursit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe polemikën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit, pasqyron situatën reale të mosdurimit të dy vendeve.

“Në fakt, është e kuptueshme se shtrëngimi i duarve dhe ndonjë buzëqeshje që ndoshta bëhet në Bruksel, është më shumë formalitet se sa që është ndonjë përafrim real në mes përfaqësuesve të dy vendeve”.

“Mirëpo, kjo është e kuptueshme edhe për faktorin ndërkombëtar, sepse prapë se prapë, ata nuk janë aq naivë sa të mendojnë që disa takime në Bruksel, mund të ndikojnë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë Muhaxhiri.

Ismajl Hasani, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se diskursi i ashpër i kohëve të fundit, kryesisht është nxitur nga autoritetet serbe dhe kjo, sipas tij, ndodhi edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Ministri i Jashtëm, Daçiq, e ka nxitur dhe e ka pasuar ministri i punëve të Jashtme i Kosovës, zoti Thaçi, me kundërpërgjigje. Është një gjë e rastit, e cila nuk lë shije të mirë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, sidomos në kohën kur neve na duhet më tepër se çdo herë lobimi për t’u anëtarësuar në UNESCO. Përndryshe, fjalori ballkanik është i njohur edhe në instanca ndërkombëtare. Njerëzit tashmë njohin edhe mënyrën e komunikimit të ballkanasve”, vlerëson Hasani.

Të dy këta njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se me gjithë diskursin e ashpër ndërmjet dy vendeve, kjo atmosferë nuk do të bartet edhe në takimin e Brukselit, i cili pritet të zhvillohet më 25 gusht, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, dhe kryeministrir të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Analisti Muhaxhiri vlerëson se politikanët e Ballkanit, në përgjithësi, ia përshtatin sjelljet dhe qëndrimet e tyre politike bashkëpunëtorëve.

Në këtë rast, sipas tij, bashkëpunëtorët e politikanëve të Kosovës dhe Serbisë janë nga Bashkimi Evropian dhe këta të fundit, siç thotë ai, nuk ua ofrojnë luksin autoriteteve të dy vendeve që të sillen ashpër.

“Në fakt, unë besoj se në Bruksel do të jetë krejtësisht ndryshe. Thaçi dhe Daçiqi, mirëpo edhe Mustafa dhe Vuçiqi, pra, të katër aktorët kryesorë, e dinë dhe e kanë të qartë se nuk mund të ketë një mosmarrëveshje të tillë të madhe në raport me kërkesat e Brukselit ndaj Kosovës dhe Serbisë".

"Pra, sigurisht që do ta ndryshojnë qasjen dhe do të jenë shumë më të qetë kur kanë të bëjnë me kërkesat e Mogherinit dhe të BE-së, në përgjithësi”, konsideron Muhaxhiri.

Edhe analisti Hasani vlerëson se në bisedimet e takimit të ardhshëm të Brukselit, të cilin e lehtëson Zyra e shefes së Diplomacisë Evropiane, Federica Mogherini, nuk do të lejohet diskursi i ashpër.

“Zyra nuk duron përplasje dhe fjalor nacionalist. Në instancën e fundit, pala e Serbisë dhe ajo e Kosovës po shkojnë për problemet, për të cilat janë zotuar me marrëveshjen e prillit”, shton Hasani.

Ndryshe, Muhaxhiri theksonse me përdorimin e diskursit të ashpër, politikanët e Kosovës dhe Serbisë, përveç tjerash synojnë pikë politike edhe tek elektorati i tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG