Ndërlidhjet

Problemi i 300 pjesëtarëve të paintegruar të "Mbrojtjes Civile"


Mbrojtja Civile
Mbrojtja Civile

Procesi i integrimit në institucionet e Kosovës të pjesëtarëve të së ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”, strukturë kjo e paligjshme në veri të vendit, ka filluar dhe po zhvillohet në mënyrë korrekte.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Aleksandar Jabllanoviq, kryetar i Listës Serbe, subjekt ky politik, i cili e përfaqëson bashkësinë serbe në Kuvendin e Kosovës, si dhe është pjesë e koalicionit qeverisës në vend.

E ashtuquajtura “Mbrojtja civile”, në veri të Kosovës ishte paraqitur në vitin 2012 dhe funksiononte në kuadër të katër komunave paralele, të financuara nga Beogradi zyrtar.

Jabllanoviq, ka theksuar se, procesi i integrimit të pjesëtarëve "Mbrojtjes civile", po zhvillohet.

"E di që ky proces po zhvillohet. Nuk po zhvillohet në mënyrë krejtësisht të thjeshtë, sepse pikë së pari, kemi të bëjmë me një numër i madh të njerëzve, por gjithsesi që gjithçka po shkon në drejtim të integrimit definitiv”, tha Jabllanoviq.

Ai shtoi se mbi 100 pjesëtarë të “Mbrojtjes civile”, tashmë janë përzgjedhur për t'u integruar në institucione, por sipas tij ende nuk kanë filluar punën.

“Ata njerëz ende nuk kanë filluar të punojnë. Ende po bëhet përzgjedhja e tyre në kuptimin që kush dhe në cilin vend pune do të marrë përsipër detyrën. Por, më 1 shtator gjithçka duhet të përfundojë zyrtarisht. Do të thotë, më 1 shtator ata duhet të fillojnë që zyrtarisht t’i marrin pagat”, tha Jabllanoviq.

Megjithatë, sipas tij, procesi i integrimit të pjesëtarëve të “Mbrojtjes civile” do të përfundojë vetëm atëherë kur do të integrohen të gjithë ata pjesëtarë të kësaj strukture, për të cilët është zotuar Qeveria e Kosovës dhe siç ka thënë ai, kjo duhet të ndodhë brenda 3 vjetësh.

Muaj më parë, ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, pati theksuar se bazuar në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, “Qeveria e Kosovës është zotuar për të integruar 483 individë që kanë qenë pjesëtarë të kësaj strukture”.

Por, përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës kanë deklaruar edhe më parë se kjo strukturë ka pasur mbi 700 pjesëtarë.

Mbetja jashtë integrimit në institucione të Kosovës e mbi 300 pjesëtarëve të së ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”, sipas kryesueses së Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së veriut, Ksenija Bozhoviq, do të jetë çështje problematike.

“Në qoftë se nuk gjendet zgjidhja për ata që mbeten jashtë, natyrisht që do të ketë probleme. Në qoftë se për ta nuk ka zgjidhje, nuk është në rregull që njerëzit të mbesin në rrugë. Unë pres që për të gjithë ata të gjendet zgjidhja”, theksoi Bozhoviq.

Sipas saj, ngjashëm kanë mbetur të pa integruar në sistemin e Kosovës edhe një pjesë e ish-pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilët jetojnë në veri të Kosovës, të cilët, sipas saj, në vazhdimësi kanë protestuar ndaj situatës në të cilën janë gjetur.

Por, Jabllanoviq, është shprehur optimist se do të gjendet një zgjidhje edhe për pjesëtarët e “Mbrojtjes civile” të cilët mbesin jashtë integrimeve.

“Mendoj se është e pritshme se do t’iu dilet në ndihmë edhe atyre njerëzve që nuk janë përfshirë në procesin e integrimit, sepse ata njerëz mund të përdoren dhe janë të dobishëm për shkak se dinë të punojnë punë të ndryshme. Atyre duhet ofruar shansin, sepse me siguri që ata nuk do të bëhen barrë e asnjë institucioni ku do të punonin”, tha Jabllanoviq.

Ndryshe, pjesëtarët e të ashtuquajturës “Mbrojtja civile”, në nëntor të vitit 2012, publikisht kishin mbajtur ushtrime simuluese të reagimit ndaj zjarrit, në veri të Mitrovicës.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës patën deklaruar atë kohë se nuk kishin marrë asnjë kërkesë për organizimin e ushtrimeve të tilla.

Kohë më parë, Lista Serbe, përmes një komunikate kishte theksuar se "“Mbrojtja civile” nuk ka qenë kurrë dhe nuk është strukturë paralele”.

Por, kjo strukturë, është konsideruar nga institucionet e Kosovës si një formacion ilegal i sigurisë për të cilin në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel është arritur marrëveshja që të shpërndahet dhe të vijon më pas procesi i integrimit.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, patën theksuar se integrimi i pjesëtarëve të të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile”, do të bëhet duke respektuar ligjet e Kosovës, përkatësisht Ligjin për shërbimin civil të Kosovës, ku janë parë të gjitha normat për integrim, përfshirë edhe verifikimet përkatëse të sigurisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG