Sistemi i drejtësisë në Kosovë, ende vazhdon të kërkojë rrugën e duhur për të luftuar korrupsionin, thanë të martën drejtuesit e Institutit të Kosovës për Drejtësi.
Ata kanë publikuar një raport lidhur me zbatimin e planit të veprimit për luftën kundër korrupsionit. Gjatë prezantimit të raportit, ata theksuan se “luftimi i korrupsionit në Kosovë mbetet prioritet absolut i shpallur në letër nga të gjitha institucionet relevante që kanë për mandat parandalimin dhe luftimin e korrupsion”.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, tha në një konferencë me gazetarë se në Kosovë ka dokumente e ligje të cilat mundësojnë luftimin e korrupsionit, por ato nuk po zbatohen në praktikë.
“Sistemi i drejtësisë në Kosovë është duke persekutuar figura të ndryshme, por nuk është duke luftuar asesi korrupsionin. Mungesën e rezultateve të luftës kundër korrupsionit e kemi pothuajse të evidentuar në të gjitha raportet ndërkombëtare”, tha Musliu.
Musliu tha se organet kompetente vazhdojnë të përballen me presione të ndryshme në mënyrë që të dëshmojnë se janë duke punuar, por në fund rezultatet e paraqitura rezultojnë të jenë të pakta.
“Me aq raste dhe aq persona që kanë qenë në fillim të planit të veprimit të pazgjidhura, me aq raste dhe persona jemi në qershor të vitit 2015. Pra, kemi mbi 20 muaj që nuk kemi lëvizje fare në drejtim të zgjidhjes së rasteve të korrupsionit. Po ashtu, edhe nga këto rastet e zgjidhura të korrupsionit, gjysma e tyre janë raste të hedhura poshtë apo të pushuara”, u shpreh Musliu.
Këshill Prokurorial i Kosovës më 4 nëntor 2013, ka miratuar Planin e Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial në luftën kundër korrupsionit.
Musliu nuk ka përjashtuar mundësinë e ndikimeve politike në sistemin e drejtësisë.
“Ma përktheni ndryshe një rast: një kallëzim penal që ngrihet ndaj një ministri për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe vendimin e prokurorit për hedhjen e këtij kallëzimi penal, me arsyetimin ku shkruhet se hidhet kallëzimi penal sepse i njëjti (ministri) gëzon imunitet nga ndjekja penale’".
"Kjo është sqaruar edhe me akt-gjykim të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2011 që askush prej ministrave dhe zyrtarëve të lartë shtetëror nuk gëzon imunitet nga ndjekja penale për vepra penale të korrupsionit”, tha Musliu.
IKD gjatë monitorimit të zbatimit të Planit të Veprimit për luftimin e korrupsionit, përmend faktin se ende nuk ka kategorizim të lëndëve të korrupsionit, të cilat duhet të ndiqen dhe cilat duhet të jenë prioritet.
“Perceptimi lidhur me korrupsionin në Kosovë, mbetet i përhapur në shumë fusha, ku prokurimi publik mbetet një ndër sfidat kryesore dhe një problem serioz që duhet të adresohet urgjentisht. Ndërkohë, besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë si asnjëherë më parë ka shënuar rënie të madhe”, thuhet në raportin e IKD-së.
Nga ana tjetër, prokurorët në Kryeprokurorinë e Shtetit nuk kanë dashur në komentojnë lidhur me raportin e IKD-së.
Prokurori Besim Kelmendi tha për Radion Evropa e Lirë, se pas shqyrtimit të raportit të IKD-së do të vendoset për të dhënë ose jo ndonjë prononcim lidhur me të.
Lorik Bajrami nga Organizata për Demokraci dhe Anti-Korrupsion "Çohu", mendon se problemi më i madh në Kosovë me rastet e dyshuara të korrupsionit qëndron te lëndët që kanë të bëjnë me nivelin e lartë politik.
“Unë mendoj se institucionet e Kosovës, gjithë ai mekanizëm institucional i cili është i thirrur për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin, kanë dështuar jo vetëm në adresimin e çështjes së korrupsionit të nivelit të ulët, mirëpo kanë dështuar posaçërisht me adresimin e korrupsionit të nivelit të lartë ose ndjekjen dhe gjykimin e zyrtarëve të lartë publik që janë të involvuar në korrupsion”, tha Bajrami.
Organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare kanë thënë se mungesa e vullnetit politik në luftën kundër korrupsionit, mos-koordinimi dhe mos-bashkëpunimi efikas dhe efektiv në mes të agjencive dhe institucioneve ekzistuese dhe atyre të pavarura në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, ndikon drejtpërdrejtë në mungesën e rezultateve në luftimin e kësaj dukurie në Kosovë.