Ndërlidhjet

Selimi: Kosova po anëtarësohet në UNESCO


Prishtinë
Prishtinë

Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi ka hedhur poshtë deklaratat e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, sipas të cilave, Organizata e Kombeve të Bashkuar, ka refuzuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në UNESCO.

Selimi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se deklaratat e tilla janë plotësisht të pasakta.

Sipas tij, pritjet janë që në muajin tetor komiteti ekzekutiv i UNESCO-s të japë rekomandimin pozitiv për anëtarësimi e Kosovës në UNESCO.

Selimi ka theksuar se këtë gjë e di mirë Serbia dhe po mundohet të bëjë propaganda dhe ta mjegullojë situatën.

“Kosovës nuk ju ka refuzuar kërkesa nga OKB-ja, sepse Kosova nuk ka bërë kërkesa në OKB. OKB-ja ka refuzuar të jetë ndërmjetësuese në komunikim midis Parisit dhe Prishtinës gjë që tash ka hapur dyer të reja për komunikim direkt midis Kosovës dhe UNESCO-s. Nuk ka asnjë fije dyshimi se kërkesa e Kosovës do të shqyrtohet në komitetin ekzekutiv në tetor”, ka thënë Selimi.

Reagimi i zyrtarit të Qeverisë së Kosovës ka pasuar deklaratat e ministrit të jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq për mediat serbe se Kombet e Bashkuara tashmë kanë refuzuar aplikimin e Kosovës për t’iu bashkuar UNESCO-s.

Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se Kombet e Bashkuara nuk kanë pranuar që UNESCO-s t'ia procedojnë kërkesën e Kosovës për pranim në këtë agjenci.

Zoti Daçiq i ka thënë gazetës Blic, botimi i së mërkurës, se para UNESCO-s nuk do të arrijë propozimi i Kombeve të Bashkuara për shqyrtim të kërkesës së Kosovës, por se ky është vetëm hapi i parë.

"Tash mund të pritet që Kosova me kërkesën e saj për pranim t'i paraqitet direkt UNESCO-s", tha Daçiq.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Organizatën për Edukim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO), ndërkohë që autoritetet e Serbisë po ashtu kanë konfirmuar se janë duke bërë betejë për ta bllokuar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Afrim Hoti, profesor i të drejtës ndërkombëtare, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se në kuptimin procedural, Kosova ka gjasa jashtëzakonisht të mira që të bëhet pjesë e UNESCO-s, por edhe për faktin se kjo e fundit ka interes që të promovojë vlerat për të cilat edhe është themeluar si organizatë.

“Nuk ka ndonjë dispozitë juridike që parasheh ose që kërkon në mënyrë të prerë të qenit anëtar në OKB për të aplikuar për anëtarësim në UNESCO. Mbi këtë bazë, mungesa e kësaj dispozite e lë rrugën e hapur dhe jep dritën jeshile që Kosova të aplikojë dhe sipas mendimit tim, në këtë drejtim mbase edhe jemi të vonuar".

"Kosova, tashmë ka 110 njohje nga vendet anëtare të OKB-së, nga totali prej 194 shtete. Mendoj se gjasat janë shumë të mira dhe unë jam shumë optimist për anëtarësimin”, është shprehur Hoti.

Pas aplikimit të Kosovës në UNECO, në tetor të këtij viti, në këshillin ekzekutiv të kësaj organizate do të votohet për rekomandimin pozitiv për Kosovën, ku nevojiten 51 për qind e votave.

Më pas, në nëntor, në konferencën e përgjithshme, do të nevojiten dy të tretat e votave të atyre që janë prezent dhe votojnë, në mënyrë që Kosova të jetë pjesë e UNESCO-s.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG