Ndërlidhjet

Davutoglu: Sulme ajrore në Siri, jo trupa të këmbësorisë


Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, ka thënë se sulmet ajrore të Turqisë kundër militantëve të Shtetit Islamik dhe të Partisë Punëtore të Kurdistanit (PPK) në Siri dhe Irak, mund “ta ndryshojnë lojën” në rajon.

Davutoglu ka thënë në një takim me editorët e gazetave turke se tash atje ekzistojnë “kushte të reja”.

“Prania e Turqisë, që mund ta përdorë forcën e saj në mënyrë efektive, mund të çojë në pasoja të cilat mund ta ndryshojnë lojën në Siri, Irak dhe gjithë rajonin”, tha zoti Davutoglu, raporton gazeta Hurriet.

Pastaj, kryeministri i Turqisë theksoi se “ne dëshirojmë që secili t’i lexojë dhe kuptojë këto kushte të reja të krijuara nga operacionet tona në Siri dhe Irak, përsëri në mënyrë korrekte dhe rrjedhimisht, t’i shqyrtojnë pozicionet e tyre”.

Por, Ahmet Davutoglu ka theksuar se nuk ekzistojnë plane për dërgimin e trupave të këmbësorisë brenda në Siri.

Ai tha se Turqia është pajtuar me Shtetet e Bashkuara se me mbështetje ajrore duhet të ndihmohen kryengritësit e moderuar, që luftojnë kundër forcave militante të Shtetit Islamik (IS) në Siri.

Davutoglu ka theksuar se Turqia është e përgatitur për të punuar së bashku me grupin kurd sirian PYD, që ka lidhje me Partinë Punëtore të Kurdistanit (PPK), nëse nuk paraqet kërcënim për Turqinë, i ndërprenë të gjitha marrëdhëniet me presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, dhe bashkëpunon me forcat opozitare.

Gjatë ditëve të fundit, aeroplanët luftarakë të Turqisë i kanë sulmuar kampet e PKK-së në pjesën veriore të Irakut, duke e shkelur një armëpushim, i cili në masë të madhe është respektuar prej vitit 2013.

Lidhur me këto zhvillime është shprehur edhe Ben Rhodes, zëvendëskëshilltar për siguri kombëtare i presidentit amerikan, Barack Obama.

“Shtetet e Bashkuara, natyrisht, e njohin PKK, në mënyrë specifike si organizatë terroriste”, tha zoti Rhodes në kryeqytetin Najrobi të Kenias, ku ishte së bashku me presidentin Barack Obama.

“Turqia ka të drejtë të ndërmarrë aksion të ndërlidhur me caqet terroriste. Ne sinqershit e çmojmë interesin e tyre për përshpejtimin e përpjekjeve kundër IS-it”, tha Ben Rhodes.

Një zëdhënës i PKK-së ka thënë se janë goditur dy pozicione në Dohuk dhe Irbil, në pjesën veriore të Irakut.

Më herët, militantët kurdë i kanë vrarë dy ushtarë të Turqisë dhe kanë plagosur katër të tjerë, afër qytetit juglindor, Dijarbakir.

Turqia thotë se i ka filluar sulmet ajrore kundër pozicioneve të militantëve të IS-it dhe kundër caqeve të PPK-së në pjesën veriore të Irakut, pas sulmeve aktuale në tokën turke.

Më 20 korrik, nga një sulm vetëvrasës janë vrarë 32 vetë në qytetin Suruc, afër kufirit me Sirinë. Për këtë sulm, në këtë qytet me popullatë shumicë kurde, janë fajësuar militantët e Shtetit Islamik (IS).

Pas sulmit, PKK i ka vrarë dy policë të Turqisë në shenjë të hakmarrjes për atë që ata e shohin si bashkëpunim i Turqisë me militantët e Shtetit Islamik.

Më 23 korrik, nga një sulm i grupit ekstremist, Shteti Islamik, kundër forcave të Turqisë është vrarë një ushtar turk.

Gjatë ditëve të fundit, autoritetet turke i kanë arrestuar qindra mbështetës të Shtetit Islamik, PKK-së dhe grupeve të tjera militante në gjithë Turqinë.

Bastisjet e policisë në Stamboll kanë shkaktuar trazira treditëshe në qarkun Gazi. Së paku një aktivist dhe një polic janë vrarë nga dhuna.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG