Ndërlidhjet

Turqia autorizon sulmet në Siri dhe Irak


Qeveria e Turqisë ka autorizuar serinë e tretë të sulmeve ajrore, si dhe operacionet taktike në tokë, në Siri dhe Irak, duke filluar që nga 25 korriku, u tha gazetarëve kryeministri Ahmet Davutoglu në Ankara.

"Këto operacione nuk janë ‘operacione një-pikëshe’ dhe do të vazhdojnë për aq kohë sa paraqitet kërcënim ndaj Turqisë", Davutoglu.

Përgjatë natës, më 24 korrik, aeroplanët luftarakë të Turqisë, sulmuan kampe të militantëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), nëpër disa lokacione në veri të Irakut.

Malet Qandil, ku lidershipi ushtarak i PPK-së ka bazën, u sulmua gjithashtu.

Por, zëdhënësi i PPK-së në Irak, Zagros Hiwa, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se baza e tyre nuk u qëllua.

Aeroplanët qëlluan strehimet e PPK-së, bunkerës, shpellat, deponitë dhe “pika tjera logjistike”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga zyra e kryeministrit.

Qeveria e Turqisë, e sheh PPK-në si grup terrorist. Pas një vale të dhunës përreth kufirit të Turqisë me Sirinë dhe Irakun këtë jave, ku disa sulme u pranuan nga PPK-ja, por shumica nga grupi militant Shteti Isalmik, qeveria u zotua të ndërmarrë masa.

Pas sulmeve ajrore, PPK tha se armëpushimi për të cilin ishin marrë vesh me Ankaranë, “tashmë ishte i pakuptimtë”.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan filloi bisedimet për paqe në vitin 2012 më kurdët, të cilët janë afro 20 për qind e popullsisë së përgjithshme të Turqisë.

Ata tash e akuzojnë Erdoganin se ka thyer premtimet.

Kryeministri Ahmet Davutoglu tha se operacioni i parë i bombardimeve kundër Shtetit Islamik “100 për qind” e ka arritur qëllimin e tij dhe se “me sukses ka eliminuar shënjestrën”.

Grupi monitorues Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se nëntë luftëtarë të IS-it janë vrarë dhe 12 të tjerë janë plagosur.

Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlut Cavusoglu tha se rajone në veri të Sirisë, që janë pastuar nga militantët e Shtetit Islamik, do të bëhen “zona të sigurta”.

"Kur zona në veri të Sirisë pastrohen nga Shteti Islamik, atëherë zonat e sigurta do të krijohen automatikisht”, tha Cavusoglu.

Sulmet ajrore u urdhëruan pas një sulmi vetëvrasës, për të cilin u fajësua IS-i, që vrau 32 aktivistë në kufirin me Sirinë 20 korrik, si dhe përleshjeve ndërkufitare të 23 korrikut, që të mori jetën e një ushtari turk.

"Turqia do të tregojë reagimin më të fuqishëm në lëvizjen më të vogël që sheh kërcënim”, tha Davutoglu. "Operacioni kundër Shtetit Isalmik ishte i suksesshëm dhe nuk do të ndalojë”.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se situata e sigurisë ka dalur “jashtë kontrollit” ditëve të fundit dhe Turqia është dashur të reagojë.

Turqia kishte hezituar për t’u ngatërruar në luftërat që përfshinë fqinjët e saj në Irak dhe Siri.

Davutoglu gjithashtu tha se autoritetet kanë arrestuar 590 anëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit nëpër Turqi.

Në mesin e të arrestuarve ishte edhe një figurë e lartë e Shtetit Islamik, Halis Bayancuk.

Një anëtare femër e grupit marksist u vra në Stamboll në përleshjet me policinë gjatë bastisjeve, thanë mediat turke.

E përditshmja Hurriyet raportoi se ajo kishte qenë duke përgatitur një shpërthim vetëvrasës.

Erdogani tha se ka informuar presidentin amerikan Barack Obama që Turqia do të marrë masa, gjatë bisedës së tyre telefonike më 23 korrik.

"Gjatë telefonatës tonë më Obamën, përsëriti vendosmërinë tonë në luftën kundër organizatës separatiste dhe Shtetit Islamik”, tha Erdogan."Ne e ndërmorrëm hapin e parë mbrëmë”, shtoi ai.

Pas një kohe të gjatë që nuk ka qenë partnere e gatshme në koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër IS-it, Turqia ka miratuar përdorimin e bazave të saj ajrore dhe avionëve, që koalicioni të mund të bëjë sulme kundër grupit militant.

Kritikët e Erdoganit megjithatë thonë se ai është më shumë i shqetësuar që t’i kontrollojë luftëtarët kurdë sirianë, nën frikën se fitoret që i kanë bërë ata kundër Shtetit Islamik në Siri, mund të “inspirojnë” pakicën 14 milionëshe kurde në Turqi.

"Tani ai i ka të gjitha arsyetimet për t’i sulmuar kurdët, dhe gjithashtu kjo e vë në sy të mirë para SHBA-ve, të cilat do të gëzohen se Turqia po i bashkangjitet koalicionit”, tha Halil Karaveli, ushtrues detyre i kryeredaktorit në revistën The Turkey Analyst.

Turqia njoftoi Kombet e Bashkuara se ajo kishte filluar kryerjen e sulmeve ajrore në Siri kundër Shtetit Islamik, për shkak se qeveria siriane nuk ishte as në gjendje apo e gatshme për të trajtuar grupin radikal islamik.

Në një letër që iu drejtua Sekretarit Gjeneral të Kombëve të Bashkuara Ban Ki-moon dhe Këshillit të Sigurimit të Kombëve të Bashkuara, Turqia citoi Artikullin 51 të Kartës së OKB-së, e cila jep të drejtë individuale apo kolektive për vetëmbrojtje kundër sulmeve të armatosuar, si një arsyetim për aksionet e veta.

"Po shihet se regjimi në Sriri as nuk është në gjendje, as i gatshëm që të ndalojë këto kërcënime që vijnë nga territori i saj, që qartazi e vënë në rrezik sigurinë e Turqisë dhe shtetasve të saj”, shkroi në letër zëvendësambasadori i Turqisë në OKB, Levent Eler.

"Siria është bërë një parajsë e sigurtë për Shtetin Islamik. Ata në këtë territor trajnohen, planifikojnë, financojnë dhe bëjnë sulme jashta kufinjve”, shkroi ai.

Përgatiti: Gresa Kraja

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG