Ndërlidhjet

Marrëdhëniet Kosovë - Greqi, nervozojnë Serbinë


Serbia po reagon me nervozizëm ndaj bashkëpunimit të Greqisë me Kosovën, gjegjësisht, ndaj paralajmërimeve që Athina zyrtare mund ta mbështes kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO dhe Interpol.

Fillimisht ndaj paralajmërimeve të Prishtinës zyrtare për anëtarësim në këta mekanizma ndërkombëtarë, ka reaguar ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, por edhe drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, i cili i ka quajtur cinike kërkesat e Kosovës.

Por, pse i gjithë ky nervozizëm?

Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, thotë se autoritetet e Beogradit i ka kapur paniku.

“Është panik sepse po parashikohet ose ekzistojnë informacione se Greqia mund të jetë vendi i parë, nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e pranojnë Kosovën, që do ta bëjë këtë hap”, theksoi Janjiq.

Sipas tij, reagimet e Daçiqit ndaj mbështetjes së Greqisë për Kosovën, shpalos atë që mund të ndodhë së shpejti në dialogun në Bruksel.

“Këto ditë do të nënshkruhet edhe pika që ka të bëjë me bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare. Do të thotë që Serbia nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, tha Janiq.

Por, si mund të kuptohet fakti që Serbia, me marrëveshjen e Brukselit, vet po i normalizon marrëdhëniet me Kosovën, ndërkaq ua zë për të madhe shteteve tjera kur ato e bëjnë të njëjtën gjë?

Bojan Al Pinta Bërkiq, thotë se bazuar në marrëveshjen e Brukselit, me të cilën Serbia është pajtuar dhe e ka ratifikuar në Kuvendin e saj, ajo nuk do të duhej ta pengonte pjesëmarrjen e Kosovës në iniciativat regjionale dhe të tjera ndërkombëtare.

“Veprimi i Greqisë, në fakt, mund të shikohet si përpjekje që, duke mos e njohur subjektivitetin e Kosovës si shtet i pavarur, megjithatë, e definon dhe e mbron të drejtën e Kosovës që ajo ta ketë zërin e saj në trupat ndërkombëtarë”, thotë Bërkiq, duke shtuar se një gjë e tillë nuk është paralajmërim i njohjes së Kosovës nga Greqia.

Megjithatë, sipas tij, atë që rezoni i autoriteteve serbe në mënyrë arrogante refuzon, është fakti që Greqia, ashtu si çdo vend sovran, ka të drejtë ta pranojë ose jo një vend tjetër.

“Çdo shtet mund të jetë sovran edhe pa pranimin e një vendi tjetër. Pranimi i një shteti tjetër është akt deklarativ dhe nuk është akt konstituiv”, tha Bërkiq.

Ndryshe, tash e 7 vjet, diplomacia serbe ka bërë fushatë për të penguar vendet e botës që ta njohin Kosovën. Por, njohësit serb të zhvillimeve politike, vlerësojnë se ajo fushatë ishte e kotë, sepse deri më tash më shumë se gjysma e vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara e kanë njohur Kosovën.

Dushan Janjiq thotë se të gjitha sukseset e Kosovës, në fakt janë dështime të diplomacisë serbe, por kjo e fundit, megjithatë, siç thotë ai, po vazhdon “të shtijë në këmbën e vet”.

“Kjo është politikë humbëse. Para së gjithash, për shkak se Serbia nuk dëshiron të besoj që beteja në Kosovë është humbur para intervenimit të armatosur të NATO-s. Në fakt, gjatë gjithë kohës po udhëhiqet një politikë që fare nuk po ndryshohet - që nga Milosheviqi e deri më sot”, ka theksuar Janjiq.

Bërkiq, vlerëson që në rast se edhe më tutje do të udhëhiqen beteja të humbura, rezultati do të jetë i njëjtë.

“Çështja është te strategjia se në cilat beteja doni të luftoni, sepse nëse luftoni në betejat që janë paraprakisht të humbura, kjo nuk është gjë e mençur. Duke pasur parasysh se si deri më tash ka ndodhur, duket që betejat janë humbur paraprakisht”, tha Bërkiq.

Janjiq thotë se Serbia ende nuk e pranon faktin që Bashkimi Evropian, zgjidhjen e çështjes me Kosovën, po e bën për shkak të Serbisë.

“Ende nuk është pranuar që problemi i Kosovës po zgjidhet për shkak të Serbisë, por edhe që Serbia nuk mund të menaxhojë me Kosovën, që Serbia nuk mund t’i financojë institucionet paralele serbe në Kosovë, që Serbia nuk mund ta ndalë rrjedhën e historisë dhe pastaj, pasi që ajo dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian, të gjitha ia hedhë atij”, tha Janjiq.

Deri më tash, Kosova ka arritur të bëhet pjesë e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komisionit të Venedikut të Këshillit Evropian, Këshillit për Bashkëpunim Rajonal të vendeve të Evropës juglindore, Unionit Ndërkombëtar të trafikut rrugor, Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe një numër federatash ndërkombëtare sportive.

Tash për tash, nuk është anëtare e Këshillit Evropian, UNESCO-s, Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri të Evropës, si dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG