Ndërlidhjet

Kanceri i gjirit, sfidë për gratë


Ilustrim
Ilustrim

Zyrtarë shëndetësorë thonë se vetëm gjatë vitit 2014, në Kosovë janë regjistruar rreth 800 raste të reja të të sëmurëve me kancer që janë trajtuar në institucione shëndetësore, por nuk dihet numri i saktë i të gjithë atyre që vuajnë nga kjo sëmundje.

Format më të shpeshta të regjistruara në Kosovë, janë kanceri i gjirit te gratë dhe ai i mushkërive te burrat.

Ndërkaq, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, statistikat flasin se numri i rasteve të reja me kancer nuk ka shënuar rritje të dukshme krahasuar me vitin e kaluar, deklarojnë zyrtarë shëndetësorë.

Nga kanceri i gjirit, si sëmundja më e shpeshtë që prek femrat, janë kryer rreth 200 operacione, bën të ditur Shqiptar Demaçi, kirurg torakal në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Mund të hetohet shtim i numrit të pacientëve, por jo alarmante. Ne në klinikë kemi pasur deri në 200 raste të reja të operacioneve të kancerit të gjirit gjatë vitit. Kushtet janë të mira, praktikisht ato që kanë qenë".

"Tani kemi filluar që operacionet t’i bëjmë me heqjen e gjirit me implant të silikonit. Kjo ndodh te rastet e pacienteve të reja, ose kur kanceri është i vogël. Kemi pak telashe me furnizim me këto implante. Përndryshe radioterapia dhe kimioterapia po funksionojnë mirë”, thotë Demaçi.

Ekrem Hyseni, drejtor i Institutit Onkologjik në QKUK, thotë se në tremujorin e parë të këtij viti, janë paraqitur 52 raste të reja me kancer në gji, ndërsa në tremujorin e dytë me kancer në gji janë paraqitur50 gra.

“Këto statistika na bëjnë të kuptojmë që nuk ka shtim të shumtë të rasteve. Kushtet e trajtimit në përgjithësi janë të mira. Radioterapia, kemioterapia dhe terapia hormonale , dhe gjitha këto shërbime ofrohen në Institutin e Onkologjisë, derisa pjesa më e madhe e ilaçeve në këtë gjashtëmujor ka qenë në dispozicion, me disa mungesa, por të gjitha rastet terapinë e fillojnë me kohën që është e paraparë”, thekson Hyseni.

Ndryshe mbi 24,000 vizita mjekësore dhe protokolle terapeutike të zbatuara te pacientët, dhe mbi 3 mijë seanca radio-terapeutike, janë realizuar në Qendrën Klinike Universitare, përkatësisht në Institutin Onkologjik gjatë vitit të kaluar.

Bazuar në të dhënat e fundit rreth incidencës dhe vdekshmërisë së lartë në mbarë botën nga kjo sëmundje, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë tashmë kanë miratuar Planin Nacional për Kontrollin e Kancerit, i hartuar nga Bordi Nacional për Kontrollin e Kancerit të Kosovës.

Ky plan, sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, ka për qëllim zvogëlimin e incidencës së kancerit, ku objektiv kryesor ka parandalimin, zbulimin e hershëm dhe skriningun, diagnostikimin, trajtimin specifik multidisiplinar, trajtimin paliativ dhe rehabilitimin e pacientëve të prekur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG