Ndërlidhjet

Rreth 6 për qind e qytetarëve, me diabet


Kosova nuk ka statistika të sakta se sa qytetarë janë të prekur me sëmundjen e diabetit. Por, sipas profesionistëve shëndetësorë afërisht rreth 6 për qind e popullatës vuajnë nga kjo sëmundje.

Endokrinologja Merita Emini, ka bërë të ditur se diabeti si sëmundje paraqitet si te fëmijët po ashtu edhe te të rriturit.

"Edhe mosha e parë e fëmijëve preken me diabet. 90 për qind e diabetikëve janë pacientë tip 2 e që trajtohen me tableta. Derisa 10 për qind e diabetikëve janë tip 1 e që kanë nevojë për insulinë, dhe në klinikën tonë endokrinologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, nuk ka shumë pacientë, por ne nuk duhet të jemi komod me këto shifra pasi që ne kemi popullatën e re".

Derisa, udhëheqësi i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skender Syla, ka bërë të ditur se mbi 350 milion njerëz vuajnë nga diabeti, dhe çdo vit nga 3.5 milionë njerëz në botë vdesin nga kjo sëmundje.

"Përpos barrës së madhe që shkakton diabeti për individë, gjithashtu i kushton edhe shtetit për trajtimin e personave të prekur nga diabeti. Ne në kuadër të programeve tona kemi vetëdijësimin e opinionit të gjerë publik për diabetin"

"Aspekti i diabetit është ngritur në agjendën më të lartë madje është nxjerrur edhe rezolutë nga Kombet e Bashkuara. Duhet të kontribuojmë në të gjitha mënyrat që kjo sëmundje të parandalohet. Ndonëse trendi aktual i diabetit është në rritje, e njëri nga faktorët është ushqimi i pashëndetshëm".

Ndryshe Tahire Maloku Gjergji, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ka bërë të ditur se diabeti ende nuk ka filluar të raportohet si sëmundje, dhe se Kosova nuk ka statistika të sakta se sa njerëz vuajnë nga diabeti.

"Diabeti ende nuk ka filluar të raportohet si sëmundje, e që është pikë e dobët e punëtorëve shëndetësorë. Instituti Kombëtar punon vazhdimisht në parandalimin e sëmundjes. Në kuadër të parandalimit, instituti bën hulumtime e që target i ka fëmijët. Në Kosovë vetëm 3 për qind e fëmijëve në shkolla kanë rezoltuar me mbipeshë. Po e përmendi këtë shifër pasi që jemi në kohën e duhur për parandalimin e diabetit, e që një ndër shkaktarët është mbipesha".

Ndërkaq, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se Kosovës i mungon sistemi i informimit shëndetësorë, ndonëse kjo është një nga prioritetet e kësaj ministrie.

Izet Sadiku, këshilltar politik i ministrit të Shëndetësisë, thotë se pa një sistem të informimit shëndetësorë nuk mund të ketë as statistika të sakta për sëmundje të caktuara.

"Në Kosovë nuk ka statistika pasi që nuk kemi i sistem të informimit shëndetësorë, e kjo është baza për krijimin e strategjive për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve të ndryshme . Nuk mund të krijohen strategji të tilla nëse nuk ke të dhëna të cilat dokumentojnë se sa është problematike një sëmundje për shoqërinë".

Sidoqoftë, ushqimi i shëndetshëm i pasur me pemë e perime, ka rol kryesor në trajtimin e diabetit.

Kjo u tha nga profesionistë shëndetësorë të mërkurën në një debat të organizuar nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG