Kosova nuk ka statistika se sa qytetarë janë të prekur me sëmundjen e diabetit. Por, sipas profesionistëve shëndetësorë numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore është çdo ditë në rritje.
Diabeti është një sëmundje shumë e përhapur. Rreth 380 milion njerëz në tërë botën vuajnë nga diabeti. Sipas hulumtimeve të bëra, parashihet që deri në vitin 2035 , rreth 500 milion njerëz në botë do të vuajnë nga kjo sëmundje.
Rina Tafarshiku Sejdiu interniste, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se faktorët që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes së diabetit janë të shumta, duke u ndalur tek pesha e rritur e trupit.
"Një prej temave që po i trajton Organizata Botërore e Shëndetësisë bashkë me Federatën Internacionale të Diabetit, është të bëhet prevenca e sëmundjes së diabetit duke u koncentruar në mënyrën e shëndetshme të jetesës që nënkupton ushqimin e shëndetëshëm dhe aktivitetit fizik, Kjo duke e parandaluar mbipeshën e më pas diabetin", ka shtuar ajo.
Ndryshe. diabeti si sëmundje paraqitet si tek fëmiëjt po ashtu edhe tek të rriturit. Shkaktarët e kësaj sëmundje janë të shumta.
"Sa i përket shkaktarëve, predispozita gjenetike ndikon në shfaqjen e sëmundjes, por edhe faktorët e ambientit ndihmojnë shfaqjen e sëmundjes. Diabeti paraqitet si pasojë e dëmitimit të plotë të pankreasit, shkatrrimit të qelizave të pankreasit, ku shkaktohet një rezistencë inzunilike që ndikon në shfaqjen e sëmundjes dhe shkaktohet rritja e glikemisë në gjak", ka thënë Tafarshiku-Sejdiu.
Në anën tjetër, mjekë nga klinika pediatrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thonë se numri i fëmijëve me diabet është në rritje.
Muharrem Avdiu, drejtor i kësaj klinike thekson se kjo sëmundje është mjaftë e rëndë.
"Rastet me diabet tek fëmijët janë në rritje, dhe diabeti tek fëmijët është i rëndë, tip 1 dhe mjekohet vetëm me insulinë".
Por zoti Avdiu thotë se për dallim nga vitet e kaluara, tash në klinikën e pediatrisë fëmijët mund të mjekohen, meqë ka edhe staf profesional por edhe barna të mjaftueshme.
Fakti tjetër është se egziston kuadri profesional në pediatri dhe rastet më nuk dalin për mjekim jashtë shtetit.
"Para disa vjetësh tendenca e prindërve për shërim nga diabeti ka qenë që ti dërgojnë fëmijët jashtë vendit, derisa tash mjekohen në klinikën tonë", ka shtuar Avdiu.
Sidoqoftë frekuenca e pacientëve në QKUK është e madhe dhe në ambulanca specialistike kontrollohe nderi në 30 pacientë në ditë, kanë bërë të ditur zyrtarë shëndetësorë. Endokrinologët kanë bërë të ditur se në repart janë 38 shtretër për njerëzit me diabet që duhet të hospitalizohen.