Ndërlidhjet

Haradinaj: Gjykatën e bëjmë vet, amandamenti çështje e vdekur


"Dyshimet për kinse krime të kryera në Kosovë gjatë luftës së fundit janë ndërkombëtare, por ato duhet të shqyrtohen në Kosovë", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Haradinaj, themelimi i Gjykatës Speciale për krime lufte tashmë është bërë një temë e pashmangshme. Subjekti juaj politik është pozicionuar kundër kësaj gjykate. Cilat janë arsyet kryesore që nuk e mbështetni atë?

Ramush Haradinaj: Ne jemi për Gjykatë për krime lufte, vendore jo selektive. Jemi që kjo Gjykatë për krime lufte, vendore jo selektive e Kosovës, të këtë edhe një dhomë të posaçme që do të trajtonte në mënyrë sepcifike dyshimet e raportit të zotit Dick Marty dhe të gjeturat e hetimeve të zotit ëiliamson.

Por, nuk kemi përkrahur një monstrum ligjor me mënyrën se si i është prezantuar Kosovës, i cili nga ajo nisja e vet, si letërkëmbim është kthyer në një sistem krejtësisht paralel gjyqësor.

Kjo e qet jashtë funksionit sistemin tonë kushtetues e ligjor dhe si i këtillë është i pa absorbueshëm për Kosovën. Por, ne nuk jemi kundër gjykatës, kundër hetimit e shqyrtimit të hetimeve, por jemi që kjo të ndodhë në një gjykatë vendore në Kosovë, ashtu siç ka ndodhur me vendet e tjera të rajonit, Serbinë e vendet e tjera në konflikt.

Këtë e kërkojmë pasi i kemi dhënë mundësinë për shqyrtim të gjithë asaj që ka ndodhur gjatë periudhës së luftës, OKB-së përmes UNMIK-ut, Tribunalit për ish-Jugosllavi do të thotë në Hagë, dhe EULEX-it.

Pra, 16 vite më vonë pas këtyre tri mundësive që ja kemi dhënë bashkësisë ndërkombëtare, ne kërkojmë të drejtën vet ta vendosim një gjyqësor për krime lufte në Kosovë, me një dhomë të posaçme që trajton këto dyshime dhe të gjetura të hetimeve të zotit ëiliamson që do të mund të përballej edhe prej ekspertëve ndërkombëtarë.

Radio Evropa e Lirë: Kongresisti Eliot Engel ju ftoi juve dhe të gjithë deputetët ta mbështesin themelimin e Gjykatës Speciale, duke potencuar se alternativa tjetër do të ishte që kjo gjykatë të bëhet nga Kombet e Bashkuara. Konsideroni se Kuvendi po rrezikon me këtë mospërfillje të thirrjeve ndërkombëtare?

Ramush Haradinaj: E para, ne e kuptojmë ndjeshmërinë e situatës. Pra, nuk është fare pozicioni i Kosovës i tillë që t'i ikë shqyrtimit të çfarëdo dyshimi apo hetimeve. Ajo që ne po bëjmë është nuk po i japim edhe një mundësi OKB-së. Ne ja kemi dhënë dy herë OKB-së mundësinë, një përmes UNMIK-ut 9 vjet, përmes tribunalit për ish-Jugosllavi aq sa ka ekzistuar.

Pra, nuk e kuptojmë fare logjikën si mundet edhe një herë OKB-ja të interesohet për Kosovën, kur i ka pasur dy mundësi për të ndihmuar në rend dhe ligj. Është tejet jo e logjikshme tejet e papranueshme që OKB fare të merret me këtë temë. Kjo është temë ekskluzive e Kosovës, dyshimet janë ndërkombëtare, por duhet të shqyrtohen në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Si i shihni thirrjet e faktorit ndërkombëtar që vet institucionet e Kosovës duhet ta formojnë këtë gjykatë?

Ramush Haradinaj: Të gjithë këta që zakonisht kërkojnë që ne të veprojmë, janë miq të Kosovës dhe ne e kuptojmë shqetësimin e tyre është edhe shqetësim i yni, por mënyra se si të zgjidhjet ky shqetësim, nuk është më involvimi i OKB-së e i mekanizamave të përbashkët të shumë shteteve sepse edhe ata nuk po janë imun as prej korrupsionit, as prej standardit jo kredibil të ligjit.

Përvojat në të kaluarën për këto 16 vjet nuk na bindin ne në Kosovë se gjithçka është në rregull. Për këtë arsye ne duhet t'i marrim përgjegjësitë dhe duhet të fillojmë një ditë dhe unë jam për. Këtë pozicion timin e forcon vendimi i parlamentit.

Parlamenti i ka hedhur poshtë të gjitha angazhimet e Kosovës deri në atë ditë rreth kësaj teme. Pra, çdo gjë që e ka krijuar një materie deri në votim është hedhur poshtë.

Parlamenti e ka mundësinë e rinisjes jo të vazhdimit të kësaj teme, pra kjo nuk mund të vazhdohet, mundet të rinisë, mundet të prodhojë një produkt të ri Kosova, por nuk mundet të insistojë me dhunimin e demokracisë së vet dhe të krijojë destabilitet në vend, që të rikthejë ta zëmë një lëndë që ka vdekur në bazë të demokracisë.

Radio Evropa e Lirë: Qeveria ka paralajmëruar se do ta riprocedojë amendamentin kushtetues, tashmë të rrëzuar nga Kuvendi më 26 qershor, për këtë gjykatë. Si e shihni ju këtë nismë të everisë tash?

Ramush Haradinaj: Nuk e di qeveria a e ka seriozisht, por është gabim nuk mundet me vepru kështu. Do të thotë qeverisë i ka dhënë përgjigje parlamenti për materien me të cilën është prezantuar. Qeveria mund ta nis një propozim të ri, por nuk mundet të vazhdojë ta riprocedojë atë e cila ka vdekur. Parlamenti e ka kthyer në piken zero këtë proces.

Radio Evropa e Lirë: Nëse mund të kalojmë në një çështje tjetër. Kohët e fundit po vërehet një koordinim i disa veprimeve politike të opozitës. Cilat janë qëllimet kryesore që tri partitë opozitare synojnë t’i arrijnë në këtë periudhë, karshi një koalicioni mjaft të gjerë që kanë dy partitë në pushtet?

Ramush Haradinaj: Ky është një drejtim i yni, ndryshimi në Kosovë. Ne mendojmë se nëse nuk ndodh ndryshimi në vend, në Kosovë po përkeqësohet gjendja. Pra qeverisja e zotit Thaçi e keqësoj gjendjen në vend.

Bashkimi me LDK-në dhe qeverisja e zotit Mustafa, po e përkeqëson një gjendje që veç ishte e keqe. Ne i ballafaqojmë këta dhe synojmë ndryshimin, pra synojmë daljen nga kjo gjendje e qeverisjes. Si dalje nga kjo gjendje që është në përkeqësim e sipër e në vështirësim për qytetarët, i mendojmë zgjedhjet.

Radio Evropa e Lirë: Ju kërkoni zgjedhje të reja, edhe pse nuk ka kaluar asnjë vit nga fillimi i mandatit të institucioneve të reja?

Ramush Haradinaj: Ky vit si parametër tregon se çfarë e pret Kosovën nëse vazhdojmë me këtë qeverisje. Për ne është tepër e papranueshme vazhdimi me një kualitet të tillë qeverisës.

Mendojmë se humbjet e Kosovës do të thellohen enorm, edhe humbjet për qytetarët do të thellohen çdo ditë. Ende s’ka një model të qartë, mirëpo vetvetiu një reflektim politik nga të gjithë ne duhet të ndodhë, besoj edhe nga ata që qeverisin sot, duhet ta vlerësojnë se sa gjatë duan të vazhdojnë me këtë situatë, e cila po e përkeqëson gjendjen në vend.

Pra, do të ishte edhe në interesin e atyre që janë në qeverisje sot me marrë një vendim sa më të shpejtë.

Radio Evropa e Lirë: Për fund zoti Haradinaj, ju morët edhe një mandat të ri për të udhëhequr AAK-në. Çfarë ndryshime, çfarë forma mund të presim në AAK?

Ramush Haradinaj: Ajo që dje kam insistuar shumë është që ne shqiptarët kemi shpirt, kemi ndjenja, kemi vlera. Kosova është ndjenjë, është vlerë është shpirti ynë, e subjekti politik AAK, duhet të punojë me shpirt, me ndjenjë, me vlera, që sistemit politik në Kosovë t’ia kthejë besimin, dhe që njerëzit e Kosovës, qytetarët e Kosovës, BE-në me e bë në Kosovë, NATO-n me e bë në Kosovë, me e thellu miqësinë me SHBA-në jo duke shkuar në SHBA, por duke arritë standard të jetës, standard demokracie në Kosovë, si në SHBA, të cilën e aspirojmë. Meqë jemi në prag të 4 korrikut, uroj pavarësinë e SHBA-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG