Ndërlidhjet

Aplikimi për Këshillin e Evropës pret MSA-në


Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, në fund të vitit të kaluar në një nga mbledhjet e Qeverisë së Kosovës, pati deklaruar se në tre muajt e parë të vitit 2015 Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhure ende.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, thonë se Prishtina zyrtare nuk ka aplikuar ende në këtë mekanizëm, pasi fillimisht pritet të bëhet nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.

Ardian Arifaj, këshillitar politik i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, thotë për Radion Evropa e Lirë se në drejtim të anëtarësimit në Këshillin e Evropës janë bërë shumë konsultime dhe analiza për kohën se kur duhet të aplikojë Kosova në këtë mekanizëm evropian, por edhe në organizatat e tjera.

Arifaj thotë se Kosova i ka plotësuar kriteret për aplikim në Këshillin e Evropës.

Është përcaktuar një renditje se si do të bëhet aplikimi për anëtarësim. Përparësi kemi MSA-në, dhe pasi të nënshkruhet MSA-ja, është një konfirmim jo vetëm për ne, por edhe në sytë e organizatave ndërkombëtare e shteteve që na përkrahin, se Kosova është duke ecur me hapa të mëdhenj e të sigurt drejt BE-së dhe e meriton edhe anëtarësimin në organizatat e tjera si Këshilli i Evropës”, thotë Arifaj.

Kosova dhe Bashkimi Evropian (BE), pritet të finalizojnë së shpejti Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA).

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, të njohur shkurt si MSA, Kosova do të fillonte vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Emrush Ujkani, njohës i proceseve integruese, konsideron se Kosova nuk duhet të vonohet për të aplikuar në Këshillin e Evropës.

Për më shumë, ai thotë se nuk duhet pritur as nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim -Asociimit me BE-në.

“Kemi të bëjmë me dy organizata të ndryshme, Bashkimi Evropian, si organizatë më vete dhe Këshilli i Evropës si organizatë më vete. Është e logjikshme që këto dy procese ndërlidhen mes vete, ose e plotësojnë njëra- tjetrën drejt anëtarësimit në BE, por nuk shoh ndërlidhje me faktin që ende nuk kemi Marrëveshjen për Stabilizim- Asociim dhe të mos jemi anëtare të Këshillit të Evropës”.

“Ka shumë shtete që janë anëtarësuar shumë më herët e MSA-në e kanë nënshkruar shumë më vonë”, vlerëson Ujkani.

Ai mendon se anëtarësimi i Kosovës në KE ka pasur mundësi të bëhet dhe më herët, pasi që, siç thotë, votat nga shtetet anëtare të KE-së që mbështesin Kosovën, kanë qenë të mjaftueshme.

“Kosova ka pasur mundësi për ta bërë një gjë të tillë shumë më herët për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, me faktin që kemi pasur numrin e votave të mjaftueshme në KE”, thekson Ujkani.

Por, Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, mendon ndryshe.

Ai thotë se institucionet e Kosovës, para se të aplikojnë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duhet të kenë siguri se do të pranohen në atë mekanizëm.

“Nuk e di nëse kjo çështje lidhet me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Qeveria ka informatë se në rast se aplikon sot, mund të mos pranohet, andaj ata po presin për t’u siguruar që i kanë numrat për të pasur mundësi të aplikojnë. E rëndësishme është që të ketë një siguri për përkrahje dhe më pas të aplikohet”, konsideron Muharremi.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës kohë më parë kanë thënë se në periudhën kohore 2011-2014, Kosova është anëtarësuar në më shumë se 25 organizata ndërkombëtare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG