Vizita në Maqedoni e ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kocias dhe mesazhet që përmes rritjes së besimit mes dy vendeve duhet të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura, ka ngjallur optimizmin për një qasje të re të Athinës zyrtare ndaj çështjes së pazgjidhur të emrit të Maqedonisë.
Derisa drejtuesit e institucioneve tregohen të përmbajtur nga komentet lidhur me vizitën e rrallë të një zyrtari grek në Shkup, njohësit e çështjeve politike, thonë se mesazhet japin shpresë për një fillim të ri në raportet mes dy vendeve.
“Mendoj se është vizita e vetme në dhjetë vitet e fundit që është reale dhe objektive, pasi të gjitha taktizimet, apo gjoja bisedimet kanë qenë vetëm se improvizime që nuk kanë pasur si qëllim zgjidhjen e problemit, por pengimin e zgjidhjes së tij".
"Tani mendoj se kemi një qasje filozofike, reale, objektive pasi së pari duhet të relaksojmë ambientin, t'i afrojmë pozicionet, marrëdhëniet t'i avancojmë dhe problemi të minimizohet dhe jo të maksimalizohet, ashtu siç ka ka bërë deri më tani regjimi i Gruevskit“, thotë Merlel Bilalli, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Fon të Shkupit.
Pas takimit në Shkup, shefat e diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Popovski dhe Nikos Kocias, njoftuan arritjen e marrëveshjes për 11 masave që kanë për qëllim rritjen e mirëbesimit mes dy vendeve në lëmin e arsimit, ekonomisë, tregtisë dhe energjetikës.
Vizita dhe pikat e marrëveshjes vlerësohen pozitivisht edhe nga Nano Ruzhin, njohës i çështjeve politike dhe ish Ambasador i Maqedonisë në NATO.
“Kjo vizitë realizohet në kohën kur dy shtetet ndodhen në krizë, Maqedonia në krizë politike ndërsa Greqia në krizë ekonomike dhe sociale me Bashkimin Evropian. Pra, dy vendet janë të hendikepuara dhe në një situatë të këtillë ato po tentojnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët për dalje nga gjendja e krijuar".
"Pas kësaj vizite mendoj se qeveria greke ka përçuar mesazhin se ka vullnet e dëshirë për të zgjidhur problemet me Maqedoninë dhe vet kryeministri Cipras ishte ai që tha se nuk ka probleme që nuk mund të zgjidhen. Por, mbetet të shihet se sa qeveria jonë nacionaliste është në situatë të pranojë ndonjë kompromis për të zgjidhur kontestin me Greqinë".
"Vlerësoj se raportet mes dy vendeve në të ardhmen do të lëvizin nga pika zero ndërsa për përmirësimin e tyre të plotë apo zgjidhjen e çështjeve të hapura do të nevojitet vendosmëri, guxim dhe lidership nga drejtuesit e institucioneve“, ka deklaruar Ruzhin.
Ndryshe, kontesti rreth emrit tani disa vite ka bllokuar procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.
Greqia kërkon ndryshimin e emrit të shtetit të Maqedonisë ndësa akuzon Shkupin për falsifikimin e historisë, të gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar.
Greqia vlerëson se Maqedonia e tanishme dhe populli maqedonas nuk kanë asgjë të përbashkët me Maqedoninë antike, emrin e së cilës e mban pjesa veriore e Greqisë.