Ndërlidhjet

Mungesë mirëbesimi në raportet Maqedoni - Greqi


Autoritetet maqedonase dhe ato greke, kanë arritur ujdi rreth 11 masave të mirëbesimit në lëmin e arsimit, ekonomisë, tregtisë, energjetikës, të cilat do të kontribuojnë në përforcimin e besimit mes Maqedonisë dhe Greqisë, kanë kumtuar shefat e diplomacisë së dy vendeve Nikolla Popovski dhe Nikos Kocias, pas një takimi në Shkup.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Poposki, para gazetarëve tha se është kontraktuar një qasje e përbashkët aktive për dhënien e kontributit për tejkalimin e dallimeve në shpirtin e vlerave evropiane, megjithëse zgjidhje për çështjen e emrit akoma nuk ka.

“Sot nuk ka zgjidhje për këtë kontest, kjo është e sigurtë, por kemi një qasje e cila do të na mundësojë krijimin e një klimepër afrimin e dy vendeve. Problemi jonë më i madh është mungesa e besimit, veçanërisht në nivel politik, dhe kjo mungesë e besimit të ndërsjellë s'ka se si mos t'ju vendos në pozitë të vështirë për zgjidhjen e një problemi kaq të komplikuar"

"Greqia është pjesë përbërëse e të dyja këtyre familjeve dhe neve si shtet përt'u antarësuar na nevojitet pëlqimi i të gjitha vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së”, është shprehur Popovski.

Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë greke Nikos Kocias, ka theksuar se Greqia është e interesuar që Maqedonia të bëhet pjesë e strukturave euroatlantike.

“Do të bëjmë gjithçka që është e mundur përtë ju ndihmuar në rrugën tuaj drejt BE-së . Besojmë se ekzistimi dhe stabiliteti i këtij vendi paraqet dhuratë për Ballkanin. Ekzistojnë dallime rreth çështjes së emrit, por për çdo problem ekziston dhe një zgjidhje", është shprehur Kocias.

Ai është shprehur optimist për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e emrit, por ka kërkuar nga autoritetet e Shkupit që të shmangin çfarëdolloj përshtypje për keqkuptim.

“Çdokush ka të drejtë ruaj identitetin e vet, por mënyra përmes së cilës e shpreh atë, nuk duhet të krijojë përshtypje se bëhet fjalë për çfarëdo lloj keqpërdorimi”, ka theksuar Kocias.

Shefi i diplomacisë greke është takuar edhe me presidentin e Maqedonisë Gjorgje Ivanov, kryeministrin Nikolla Gruevski dhe zëvendëskryeministrin për Integrime Fatmir Besimi.

Zoti Besimi, për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se vizita e ministrit Kocias paraqet një hap të rëndësishëm në drejtim të përafrimit të raporteve ndër fqinjësore mes dy vendeve.

“Vetë fakti që pas një kohe më të gjatë të një vizite bilaterale nga një ministër grek në Maqedoni, flet për rëndësinë e këtij takimi, gjithashtu me rëndësi janë dhe mesazhet që dolën nga ministri grek për përkrahjen e tij për integrimet euroatlantike të Maqedonisë, si dhe ndërtimi i mirëbesimit për përafrimin e pozicioneve për zgjidhjen e kontestit të hapur që ka Maqedonia me Greqinë, për çështjen e emrit”, tha Besimi.

Ai nuk precizoi modalitetet të cilat do të intensifikonin bisedimet për zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë me Greqinë.

“Gjithsesi se do të shihen të gjitha mundësitë që do të dalin, propozimet të cilat do të përafronin qëndrimet e të dyja palëve. Kjo paraqet një nismë pozitive, duke filluar nga lista e projekteve për mirëbesim dhe diskutimi se duhet krijuar një atmosferë për gjetjen e zgjidhjeve konkrete edhe për çështjen e emrit”, shtoi Besimi.

Ndryshe ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, në Maqedoni ka udhëtuar me makinë, për të shmangur aeroportin “Aleksandri i Madh”, për shkak të qëndrimit grek për këtë figurë historike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG