Ndërlidhjet

Shoqëria civile: Raporti i Freedom House, kryesisht real


Raporti i fundit i organizatës Freedom House, që flet për “Vendet në Tranzicion”, Kosovën e ka renditur në kategorinë e vendeve me regjime gjysmë-autoritare së bashku me Armeninë dhe Kirgizinë.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në Kosovë thonë se raporti në pjesën më të madhe të tij mund të jetë real.

Drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Fol, Petrit Zogaj në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se raporti mund të jetë real, por siç thotë ai, ka edhe disa çështje që nuk është dashur të renditen në mënyrën siç janë bërë.

“Pa diskutim kemi probleme të cilat kanë të bëjnë me qeverisje, kemi probleme që kanë të bëjnë me demokraci, kemi probleme që kanë të bëjnë me institucionet e pavarura demokratike. Megjithatë, nuk e besoj që ne dallojmë aq shumë sa të vendosemi në këtë metodologji siç ka bërë Freedom House me vendet me regjime gjysmë-autoritare”, tha Zogaj.

Sipas raporti të Feedom House, asnjë nga vendet tjera të Ballkanit nuk është në kategorinë që është Kosova.

Shqipëria dhe Maqedonia vazhdojnë të jenë pjesë e grupit të vendeve me regjim tranzicional dhe hibrid, ku bëjnë pjesë edhe Bosnja e Hercegovina, Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina.

Zogaj konsideron se pavarësisht që problemet në vend me mënyrën e funksionimin të institucioneve janë evidente, me të tilla probleme përballen edhe vendet në rajon.

“Nuk shoh dallime substanciale në mes të funksionimit të shteteve të rajonit dhe Kosovës, në mënyrë që Kosova të mbetet regjim gjysmë-autoritar, në ndërkohë që vendet e tjera, si Serbia, të mbeten në demokraci gjysmë të konsoliduar. Ka një problem me mediat se si funksionojnë në Maqedoni dhe gjyqësor; ka probleme me sistemin gjyqësor se si funksionon në Shqipëri, e unë nuk e besoj se kemi dallime aq të mëdha ne si Kosovë, në krahasim më këto vende të tjera”, tha Zogaj.

Albert Krasniqi hulumtues nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se Kosova si një shtet i ri dhe në konsolidim e sipër të demokracisë, ka mbetur mbrapa në disa drejtime në krahasim me vendet e rajonit.

“Ne jemi mbrapa në shumë sektorë me vendet e rajonit. Kosova nga viti paraprak është në gjendje të njëjtë, nuk ka lëvizur për ta konsoliduar demokracinë në këto fusha. Renditja që i është bërë Kosovës që të jetë pranë Krigizisë dhe Armenisë, me disa prej sektorëve që janë vlerësuar, konsideroj se është shumë real dhe duhet të punojmë shumë më shumë për të dalë nga kjo hapësirë ku kemi mbetur”, tha Krasniqi.

Krasniqi konsideron se niveli i lartë i korrupsionit dhe mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë janë faktorë që ndikojnë negativisht për vendin në shumë raporte ndërkombëtare të cilat hartohen.

“Perceptimi për korrupsionin në Kosovë është jashtëzakonisht i madh. Ky nivel i lartë i korrupsionit nuk përmendet vetëm në raportin e Freedom House, por edhe në raporte të tjera ndërkombëtare. Gjyqësori asnjëherë nuk ka arritur që t’i dokumentojë këto raste, e aq më pak t’i ndëshkojë, sidomos zyrtarët e lartë të cilët po e shumëfishojnë pasurinë për një kohë të shkurtër”, tha Krasniqi.

Në raportin e organizatës Freedom House, një vlerësim më i lartë se sa ai i regjimeve hibride, këtë vit bëjnë pjesë Serbia dhe Mali i Zi, por edhe vende të Bashkimit Evropian, si Bullgaria, Kroacia, Hungaria dhe Rumania.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG