Ndërlidhjet

Kosova (s')do ta marrë kodin e telefonisë


Në takimin e dy grupeve punuese, të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve që ende po zhvillohet në Bruksel, për çështjen e telekomit dhe kodit telefonik është arritur mjaft përparim, por ende mbetet të bisedohet në të ardhmen, kanë konfirmuar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Valon Murtezaj, këshilltar për çështje të jashtme i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, i cili është pjesë e grupit punues të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se të dy grupet, të Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe palën e Brukselit si ndërmjetësuese dhe lehtësuese e bisedimeve, janë duke punuar në planin e veprimit, në mënyrë që “të përgatitet terreni para takimit të dy kryeministrave, të Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet me 23 qershor’.

Murtezaj i ka pohuar deklaratat e ministres për Dialog Edita Tahiri, e cila ka theksuar se “ Kosova do ta marrë kodin telefonik 383 direkt nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU) dhe se kërkesa në emër të Kosovës do të bëhet nga ana e Austrisë”.

“Ashtu si ka thënë edhe ministrja Tahiri, të gjitha ato qëndrojnë. Kosova do ta marrë drejtpërdrejtë kodin nga organizata botërore përkatëse - ITU. Mbeten tash disa hapa deri në atë moment, por ajo do të ndodhë. Austria do të aplikoj se vend anëtar i ITU-së, sepse Kosova nuk është pjesë e Kombeve të bashkuara dhe këto janë disa barriera praktike që po i vështirësojnë gjërat”.

Në anën tjetër, Marko Gjuriq, i cili i prin grupit punues të Serbisë, i ka cilësuar si gënjeshtra deklaratat zyrtarëve të Kosovës në grupin punues në Bruksel. Ai, të mërkurën, ka theksuar se vetëm Serbia mund të kërkojë kod të telefonisë dhe atë mund ta përdorë për nevoja të veta.

“Nuk mund të bëhet fjalë për atë që Kosova, në mënyrë të drejtë për drejtë, të bëhet pronare e numrit të prefiksit. Kjo nuk është e mundur sipas të drejtës ndërkombëtare dhe sipas rregulloreve të vet organizatës për telekomunikim".

"Pjesëmarrja e Austrisë është përmendur ekskluzivisht në kontekstin e dërgimit të njëfarë letre Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikimeve, lidhur me qëllimet. Gjithçka tjetër është gënjeshtër. Kosova nuk mund të bëhet kurrë pronare e numrit të prefiksit. Pronar i tillë mund të jetë vetëm Serbia”, ka thënë Gjuriq.

Ai ka shtuar se Serbia mund ta kërkojë edhe një kod të telefonisë dhe ta përdorë atë si të dojë dhe sipas tij, “nëse shqiptarët duan t’i bindin autoritetet e Serbisë që ta kërkojnë dhe t’ua japin këtë kod të telefonisë, ata duhet të përpiqen dhe të japin shumë gjëra të mira”.

Murtezaj ka theksuar se nuk ka njohuri lidhur me deklaratat e Gjuriqit. Megjithatë, sipas tij, puna e palës së Kosovës nuk bazohet në deklaratat për medie që vijnë nga pala serbe.

“Nuk i kam lexuar deklaratat e tij (të Marko Gjuriqit), mirëpo, pala e Kosovës bazohet në punën e përditshme që e bën dhe në komunikimin që e ka me Bashkimin Evropian. Kjo është primare. Pjesa tjetër, është e dorës së dytë”, tha Murtezaj.

Ai ka shtuar se bisedimet me palën serbe do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, ndërkaq që sot do të bisedohet edhe për lëvizjen e lirë, heqjen e barrierave, përfshirë edhe atë në urën kryesore mbi lumin Ibër.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG