Ndërlidhjet

Haradinaj në pritje të procedurave ligjore


Ramush Haradinaj, foto nga arkivi
Ramush Haradinaj, foto nga arkivi

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj, është ndaluar të mërkurën pasdite nga autoritetet sllovene në aeroportin ndërkombëtar të Lubjanës.

Alban Dermaku, këshilltar politik i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili është duke e shoqëruar Ramush Haradinajn në Slloveni, tha për Radion Evropa e Lirë, se ende janë në pritje të ftesës zyrtare për të kaluar procedurat ligjore për lirimin e Haradinajt.

Ai ka thënë se bashkë me zotin Haradinaj janë në një nga hotelet e Lubjanës.

“Jemi në pritje të një njoftimi prej organeve gjyqësore. Komunikimi ynë zyrtar është përmes ambasadës së Kosovës dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me ambasadorin”, tha Dermaku.

Një ditë më parë, nga partia e zotit Haradinaj kanë thënë se ai është liruar pasi është paraqitur para një gjykate, e cila ka vendosur ta ndalë pasaportën e tij diplomatike deri në vendimin tjetër të gjykatës, i cili sipas AAK-së, pritet të mbahet të enjten.

Përmes një komunikate, AAK e ka cilësuar veprimin e autoriteteve sllovene si të "pakuptimë dhe të pafalshëm". Nga qeveria e Kosovës, kjo parti ka kërkuar t'i dërgohet një notë proteste qeverisë sllovene.

"Ky veprim nuk është vetëm fyerje për Kryetarin Haradinaj dhe për Aleancën, por është fyerje edhe për shtetin dhe qytetarët e Kosovës", është thënë në kumtesë.

Zoti Haradinaj ka qenë duke u kthyer nga një udhëtim zyrtar nga Berlini, përmes Lubjanës, ku edhe është ndaluar nga autoritetet sllovene në bazë të një fletarresti të lëshuar nga autoritetet e Serbisë në vitin 2004.

Këtë fletarrest dhe vetë ndalimin e tij, zoti Haradinaj për Radion Evropa e Lirë e ka cilësuar si qesharak, duke cituar vendet tjera të cilat tashmë kanë spastruar sistemet e tyre nga këto fletarreste.

I pyetur nëse ka kontaktuar me qeverinë e Kosovës, për të përshpejtuar procedurat rreth këtij rasti, Haradinaj ka thënë se "nuk i zë besë qeverisë së Kosovës".

Zëvendës Ministri i Punëve të Jashtme në qeverinë e Kosovës, Petrit Selimi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se janë në kontakt me autoritetet sllovene për lirimin e zotit Haradinaj, por edhe me policinë ndërkombëtare, Interpol.

Interpoli

Ndryshe, fletarrestet e lëshuara nga Serbia, anëtare e Interpolit, kundër disa udhëheqësve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë qenë arsye edhe në të kaluarën që disa nga këta udhëheqës të ndalohen në aeroporte të disa vendeve anëtare të Interpolit.

Rasti i fundit ishte në vitin 2009, kur autoritetet e Bullgarisë patën ndaluar ish udhëheqësin e UÇK-së, Agim Çeku.

Numri i saktë i qytetarëve të Kosovës, kundër të cilëve Beogradi zyrtar ka lëshuar fletarrest nuk dihet. Prokuroria e këtij vendi asnjëherë deri më tash nuk ka dalë zyrtarisht me të dhëna për këtë numër.

Kosova nuk është ende anëtare e Interpolit dhe si e tillë, nuk mund të kërkojë e vetme shfuqizimin e fletarresteve të Serbisë, të cilat autoritetet në Kosovë në vazhdimësi i kanë cilësuar si të pavlefshme dhe politike.

Arsyeja e mosanëtarësimit të Kosovës në policinë ndërkombëtare, Interpol, por edhe atë evropiane, Europol, ka të bëjë me mosnjohjen e shtetësisë së Kosovës nga së paky dy të tretat e vendeve anëtare të këtyre dy institucioneve ndërkombëtare të rendit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG