Numri i zyrtarëve të lartë të institucioneve të Kosovës, të cilët nuk deklarojnë pasurinë, ka shënuar rritje në vitin 2015, thuhet në një hulumtim të bërë nga organizata joqeveritare “Çohu”.
Sipas këtij hulumtimi janë 71 zyrtarë, të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë.
Vendimet e buta të gjykatave, sipas këtij hulumtimi të titulluar “Procesi i deklarimit të pasurisë - Kontrolli dhe vërtetësia e të dhënave”, thuhet të kenë ndikuar që të ketë një rritje të numrit të mosdeklaruesve në vitin 2015.
Po ashtu, në numrin e lartë të mosdeklaruesve, veçanërisht të atyre që nuk e deklarojnë saktë pasurinë, mund të ketë ndikuar edhe pamundësia e Agjencisë Kundër Korrupsionit për të verifikuar saktësinë e të dhënave dhe për të siguruar kontrollin e origjinës së tyre.
Arton Demhasaj, përfaqësues ligjor në organizatën joqeveritare “Çohu”, ka theksuar se që nga fillimi i procesit të deklarimit të pasurisë e deri më tani, këtë proces e kanë përcjellë mangësi të mëdha.
“Një problem shumë i madh është edhe pamundësia e verifikimit të pasurisë jashtë vendit. Ligji për deklarimin e pasurisë, nuk ka paraparë mekanizma për të verifikuar pasuritë që zyrtarët e lartë mund t’i kenë jashtë vendit. Ky është një problem serioz, pasi që shumë zyrtarë mund të fitojnë në mënyrë të paligjshme brenda vendit dhe ta transferojnë atë jashtë vendit dhe askush nuk mund ta verifikojë”, thekson Demhasaj.
Nga të gjeturat e hulumtimit që ka bërë organizata joqeveritare “Çohu”, thuhet se prej 199 zyrtarëve që kanë qenë subjekt i hulumtimit nga ana e kësaj organizate, në 8 raste ka mospërputhje të deklarimit të pasurisë së patundshme që ata e kanë deklaruar krahasuar me të dhënat e siguruara nga zyrat kadastrale nëpër komuna.
Në 3 raste është vërejtur mosdeklarim nga ana e zyrtarëve të lartë publik, të pronësisë që ata kanë mbi biznese të caktuara, që paraqet shkelje të drejtpërdrejtë sipas kodit penal.
Kryetarja e Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur joserioze mënyrën e adresimit të çështjeve që kanë të bëjnë me mosdeklarimin e pasurisë apo deklarimin e rrejshëm të pasurisë.
“Me gjithë shkallën e lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit nëse e shohim raportin e Agjencisë Kundër Korrupsionit flitet për tri-katër dënime me gjobë; kjo është qesharake, sepse mosdeklarimi apo deklarimi i rrejshëm i pasurisë është vepër penale. Një zyrtar që nuk e deklaron pasurinë ai duhet të dënohet me burgim. Për një zyrtar që i ka milionat, ai nuk e ndjen nëse i paguan 150 euro apo 1 mijë euro gjobë”, ka theksuar Haxhiu.
Që nga janari i vitit 2013, mosdeklarimi i pasurisë dhe deklarimi i rrejshëm, sipas ligjeve në fuqi të Kosovës, janë vepra penale që sanksionohen me burg dhe me gjobë.
Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike, Shqipdon Fazliu, ka theksuar se kanë pasur shumë raste që kanë të bëjnë me mosdeklarim dhe deklarim të rrejshëm të pasurisë nga Agjencia Kundër Korrupsionit, por që rreth 60 për qind e tyre, qysh në fazën e parë janë hedhur apo pushuar.
“Për rastet e deklarimit të pasurisë, në vitin 2014 kanë ardhur gjithsej 151 raste ndaj 196 personave. Këto janë zgjidhur në këtë mënyrë: 26 hedhje, 37 pushime të hetimeve, 3 aktakuza për dhënie të urdhërit ndëshkimor, 12 aktakuza të drejtpërdrejta dhe 63 aktakuza pas zhvillimit të hetimeve. Pra, 45 për qind prej tyre janë hedhur poshtë që në fazën e prokurorisë”, bën të ditur Fazliu.
Sipas Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, këtë vit, deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë e kanë pasur për obligim ta bëjnë 4200 zyrtarë, kurse deklarimin e kanë bërë 4125 prej tyre.
Vitin e kaluar, ndërkaq, vetëm dy zyrtarë nuk e kanë deklaruar pasurinë.