Ndërlidhjet

Sa është real deklarimi i pasurisë?


Ende nuk dihet nëse pasuria e deklaruar e zyrtarëve të lartë të institucioneve të Kosovës është reale.

Agjencia Kundër Korrupsionit do të verifikojë në vazhdimësi deklarimin e pasurisë së tyre, bëjnë të ditur zyrtarë të këtij mekanizimi.

Megjithatë, ata kërkojnë edhe bashkëpunim nga qytetarët dhe institucionet tjera relevante për grumbullimin e informacioneve, që do të kontribuonin në hetimin dhe vërtetimin e vërtetësisë së pasurisë së deklaruar dhe prejardhjen e saj.

Lidhur me atë se sa reale është pasuria e deklaruar nga zyrtarët e lartë të institucioneve të Kosovës, drejtori i Agjencisë Kundër-Korrupsion, Hasan Preteni i ka thënë Radios Evropa e Lirë se për këtë duhet një angazhim i përgjithshëm.

“Për pasurinë që e kanë deklaruar këta zyrtarë për të gjithë ne mund të ketë punë dhe duhet të ketë punë. Duhet të bëhet një angazhim aktiv i të gjithë qytetarëve të vendit, që të gjejmë fshehtësitë e atyre të cilët nuk e kanë deklaruar tërë pasurinë. Ka punë edhe për gjyqësorin".

"Duhet të jetë një presion i përgjithshëm që të ndikojmë dhe të shikojmë se mos pasurinë e tyre e kanë bartur tek zyrtarët tjerë, tek personat tjerë, apo tek familjarët”, shton Preteni.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka bërë të ditur Preteni, është në përgatitje të hedhjes së shortit publik, që sipas ligjit ata obligohen 20 për qind të formularëve të deklarimit të pasurisë t’i kontrollojnë.

“Cilët zyrtarë apo formularë do të kontrollohen, do të vendoset me një short publik, ashtu siç kemi vepruar edhe në vitin e kaluar. Gjithçka çka deklarojnë këta zyrtarë, këto të dhëna i krahasojmë me të dhënat që i sigurojmë nga institucionet tjera, siç është Agjencia kadastrale, Administrata Tatimore e Kosovës, Doganat, Agjencia e regjistrimit të bizneseve, Zyra e regjistrimit të automjeteve si dhe Ministria e Financave”, bën të ditur Preteni.

Në rastet kur nuk ka përputhje mes asaj që kanë deklaruar dhe ajo që është siguruar nga institucionet kompetente, sipas Pretenit, Agjencia Kundër Korrupsionit do të ngrit kallëzim penale për deklarimin të rrejshëm.

Në vitin e kaluar, kjo agjenci ka ngritur më shumë se 90 kallëzime penale, që kishin të bënin me deklarim të rrejshëm.

Që nga janari i viti 2013, mos deklarimi i pasurisë dhe deklarimi i rrejshëm, sipas ligjeve në fuqi të Kosovës janë vepra penale që sanksionohen me burg dhe me gjobë.

Përfaqësues të shoqërisë civile, në anën tjetër konsiderojnë se është mjaft problematike të matet se sa është pasuria reale e zyrtarëve të lartë të institucioneve të Kosovës.

Fidan Kalaja, nga Lëvizja “FOL”, e cila merret me matjen e luftës anti-korrupsion, thekson se Agjencia Kundër Korrupsionit nuk ka standarde të verifikimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik.

Sipas tij, ka raste të shumta kur pasuria e deklaruar nuk është aspak reale.

“Ka raste kur zyrtarë të lartë publik, në mënyrë jo të saktë kanë vendosur shifra pa ndonjë vlerësim paraprak të pronave të tyre. Për këtë Agjencia Kundër Korrupsionit do të duhej të verifikonte vërtetësinë e vlerës së pronave të këtyre zyrtarëve që i kanë deklaruar".

"Agjencia Kundër Korrupsionit, përveç deklarimit duhet të fokusohet edhe në verifikimin e prejardhjes së pasurisë së këtyre zyrtarëve. Këtu edhe Prokuroria e Shtetit duhet të luajë një rol të rëndësishëm”, shton Kalaja.

Sipas ligjit, të gjithë zyrtarët e lartë, kanë për obligim ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre brenda afatit 30 ditorë, pas marrjes së detyrës.

Nga deklarimi i pasurisë që kanë bërë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, vërehet se zyrtarë të institucioneve, disa nga të cilët janë pjesë e legjislativit, kanë pasuri të paluajtshme, para të gatshme dhe vetura luksoze, ndërkaq, pagat vjetore sillen rreth 17 mijë euro.

Deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë qeveritarë bëhet që nga viti 2010.

Sipas drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, përgjatë periudhës 2010 – 2015 ka jo pak raste kur ka mos përputhje të të hyrave që i pranojnë dhe pasurisë që e krijojnë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG