Homazhe për Isa Boletinin
Në Kuvendin e Kosovës, ligjvënësit dhe përfaqësuesit e lartë shtetëror kanë bërë homazhe sot përreth arkivolit të Isa Boletinit, figurës kyçe të pavarësisë së Shqipërisë dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit të sotëm shqiptar. Homazhet kanë pasuar një seancë të posaçme në Kuvendin e Kosovës, kushtuar veprimtarisë së Isa Boletinit. Ai që njihet si hero kombëtar i shqiptarëve, ka lindur në fshatin Boletin, rreth 10 km në verilindje të qytetit të Mitrovicës, më 15 janar 1864. U vra në Podgoricë në vitin 1916, ku edhe qe varrosur. Rivarrimi i Isa Boletinit bëhet nën patronatin e qeverisë së Kosovës dhe ceremonia qendrore mbahet të mërkurën, më 10 qershor, në stadiumin e Mitrovicës. Prej andej, eshtrat e Isa Boletinit do të barten për në fshatin e lindjes, i cili gjendet në pjesën veriore të vendit.