Autoritetet kompetente në Prishtinë kanë filluar disa projekte për arsimim dhe aftësim profesional të qytetarëve të Kosovës me disa nga vendet e Bashkimit Evropian, si dhe me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se marrëveshjet e tilla më nuk nënshkruhen shtet më shtet, por përmes komunitetit të biznesit dhe agjencive të punësimit, mirëpo monitorohen nga kjo ministri.
Për këtë qëllim, në muajin prill të këtij viti, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, për zbatimin e projektit që ka të bëjë me arsimimin dhe aftësimin profesional të qytetarëve të Kosovës në Gjermani.
“Ne kemi arritur një marrëveshje me Odën Ekonomike Gjermane në Kosovë dhe në emër të trajnimit dhe punësimit sezonal, do të shkojë një numër i caktuar i punëkërkuesve dhe të interesuarve për trajnime në Gjermani. Procesi i seleksionimit tashmë ka filluar dhe besoj se nga vjeshta vazhdojnë obligimet që kanë në Gjermani”, ka thënë Abrashi.
Për këtë projekt, shumë të rinj kanë shprehur interesim dhe janë të gatshëm të shkojnë për aftësim profesional në shtetin gjerman.
Pas shpalljes së konkursit nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, kanë aplikuar 550 qytetarë të Kosovës, kurse 340 nga ta i kanë plotësuar kriteret e kërkuara.
Samir Krasniqi, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se procesi është duke vazhduar dhe pas një periudhe të shkurtër, të përzgjedhurit do të udhëtojnë për Gjermani, për t’u aftësuar në sektorë dhe profile të ndryshme.
“Kriteret fillestare të përzgjedhjes kanë qenë fare të thjeshta. Të gjithë të interesuarit është dashur të jenë mbi 18 vjeç, të njohin rrjedhshëm gjuhen gjermane dhe të kenë ambicie për të përfituar në përvetësimin e një zanati të caktuar”.
“Numri nuk është i përcaktuar nga ne, por është i varur nga kërkesa e ndërmarrjeve gjermane për të angazhuar kuadro nga Kosova në arsim dhe aftësim profesional. Ne jemi në kontakte të vazhdueshme me këto ndërmarrje për t´i njoftuar me profilin e aplikuesve, në mënyrë që ata të mund të përzgjedhin kandidatët më të mirë në mesin e tyre”, ka shpjeguar Krasniqi.
Qytetarët, të cilët përfitojnë nga ky projekt, në Gjermani do të qëndrojnë tre vjet e gjysmë dhe të njëjtit mund të kthen në Kosovë dhe të kontribuojnë në tregun vendor. Por, siç ka thënë Krasniqi, ata mund të përfitojnë të drejtën që të angazhohen me punë në kompaninë ku aftësohen apo edhe në kompanitë tjera.
Ai shton se të gjithë personat që përfundojnë këtë projekt, pajisen me një certifikatë në profile të caktuara, e cila do të njihet në tërë botën.
Ndryshe, biseda për projekte të tilla kanë filluar edhe me një shtet skandinav, kurse një organizatë e Emirateve të Bashkuara Arabe, tashmë ka hapur një zyre në Prishtinë, ka bërë të ditur ministri Abrashi.
“Ne kemi filluar bashkëpunimin me Emiratet e Bashkuara Arabe, një zyre partnere e Ministrisë, e një organizatë që merret me ndërmjetësim të punësimit, e cila tashmë ka hapur veprimtarinë e saj në Kosovë”.
“Tashmë ka filluar pranimi i aplikacioneve për punësim në Dubai dhe Abu Dabi. E di që një numër i vogël i qytetarëve dhe punë-kërkuesve kanë shkuar atje, janë disa dhjetëra, por është diçka që jemi duke punuar në baza ditore”.
Ministri Abrashi ka thënë se autoritetet kompetente janë të përkushtuara për gjetjen e mundësive për të rinjtë kosovarë për punësim në vendet evropiane dhe më gjerë, në mënyrë që edhe të rinjtë e Kosovës të bëhen pjesë e barabartë e tregut evropian.