Ndërlidhjet

Punësimi sezonal me kuadro joprofesionale


Ilustrim
Ilustrim

Numri i të punësuarve në Kosovë zakonisht rritet gjatë sezonit të verës, por jo në mënyrë të kënaqshme.

Sektori i bujqësisë, ndërtimtarisë, restorantet, hotelet, ambientet turistike, janë fushat ku nevojiten fuqi punëtore më e madhe gjatë kësaj kohe, thonë përfaqësues të punëtorëve.

Por, përfaqësues të kompanive që në këtë sezon kanë nevojë për punëtorë sezonalë, pohojnë se vazhdimisht kanë probleme pasi punonjësit e rinj nuk janë të profilizuar në sektorë të caktuar .

Alush Sejdiu, nënkryetar në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se edhe pse nuk kanë shifra se sa është numri i të punësuarve sezonalë, numri i punëtorëve që arrijnë të gjejnë punë është shumë i vogël.

“Rezultate nuk janë të dëshiruara, sidomos nëse flasim për vitin 2014, është një numër shumë i kufizuar. Sektori i ndërtimtarisë ka qenë sektori ku më së shumti bëhen punësime, në këtë fushë kemi një ngecje në zhvillimin e aktiviteteve të këtij sektori”.

“Kemi edhe shumë pak punësime sezonale në sektorin hotelerisë, turizmit. Kjo periudhë shumë pak i ndihmon uljes së shkallës së papunësisë në Kosovë”, thotë Sejdiu për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, kompani të ndryshme që iu nevojitet fuqi punëtore, thonë se numri i punëtorëve rritet për 20, eventualisht qind për qind.

Bedri Kasumi, pronar i kompanisë “Pestova” në Vushtrri që merret me prodhimin, përpunimin dhe shitjen e patates, tregon se numri i punëtorëve të përhershëm është 150, ndërkaq në kohën e kultivimit dhe përpunimit të patates, numri rritet edhe për 40 të tjerë.

Kasumi thotë se për çdo vit ka probleme sa i përket marrjes s punëtorëve të rinj, për shkak se nuk janë të përgatitur për tregun e punës – kjo, sipas tij, i kushton edhe financiarisht, pasi nevojitet realizimi i trajnimeve.

“Nuk kanë njohuri, nuk dinë t’i përdorin pajisjet. Na kushton shumë në efekte të punës, dëmtim pajisesh. Në teori të gjithë kanë diploma, në praktikë nuk kanë, në çdo profesion. Punëtorët, të cilët ne i marrim, duhet të trajnohen dy-tre muaj”, shpjegon Kasumi për Radion Evropa e Lirë.

Kompania e verarisë “Stone Castle” në Rahovec, thotë po ashtu ka nevojë për punëtorë sezonalë. I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Agron Aliçkaj, sekretar në këtë kompani, tregon se aktualisht numri i të punësuarve sezonalë është rreth 140. Por, në kohën e vjeljes së rrushit, angazhohen deri në 400 punëtorë sezonalë.

Megjithatë, Aliçkaj thotë se punëtorët sezonalë e njohin punën e vreshtarisë, por problem, sipas tij, është gjetja e punëtorëve nga komuna e Rahovecit, për shkak, siç thotë ai, shumica e familjeve kanë vreshtari individuale.

Kurse, punësimi i punëtorëve nga rajonet tjera të Kosovës, i kushton më shtrenjtë kompanisë.

“Për fat të keq, shumica e qytetarëve të Rahovecit kanë vreshta individuale, vetanake, kështu që ne duhet të marrim fuqi punëtore në komunën e Gjakovës, Prizrenit apo Malishevës. Kjo kushton për shkak se duhet paguar transportin për t’i marrë dhe kthyer punëtorët. Kështu që kemi probleme goxha të mëdha për fuqi punëtore”, thekson Aliçkaj.

Pronarë të kompanive kërkojnë nga autoritetet kompetente që qytetarët e papunë të trajnohen për profile të ndryshme, që në rast të kërkesës së punëdhënësve, angazhimi i tyre të jetë më i lehtë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG