Ndërlidhjet

Gjëndra tiroide, sëmundja e dytë më e shpeshtë në Kosovë


QKUK
QKUK

Gjëndra tiroide është një prej organeve më të rëndësishme endokrinologjike në trupin e njeriut dhe gjendet në pjesën e parme të qafës, njëherësh është përgjegjëse për secilën qelizë në organizëm, thonë ekspertë shëndetësorë të kësaj fushe.

Endokrinologët në Kosovë thonë se për këtë sëmundje nuk ka statistika të sakta se sa njerëz preken, por, sipas tyre, është sëmundja e dytë më e shpeshtë, pas sëmundjes së sheqerit.

Drita Mekuli, endokrinologe, thotë për Radion Evropa e Lirë se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kjo patologji trajtohet tërësisht, derisa tregon detajet e sëmundjes.

“Çrregullimet e gjëndrës tiroide janë të ndryshme, duke përfshirë pezmatime të ndryshme, por edhe tumoret malinje dhe beninje. Në Kosovë me saktësi të plotë mund të diagnostikohen, por edhe të trajtohen (rastet). Nuk ka pasur asnjë rast që ne ta dërgojmë pacientin jashtë vendit për mjekim, duke veçuar rastet me kancer të gjëndrës tiroide".

"Me këtë sëmundje njerëzit jetojnë normalisht, por duhet të marrin terapi. Kjo sëmundje atakon më shumë femrat sesa meshkujt. Nga rreth 8 femra të sëmura, është një mashkull i prekur me këtë sëmundje”, thotë Mekuli.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës, si i vetmi institucion terciar referent për tërë Kosovën, ka 10 mjekë endokrinolog. Derisa në spitalet rajonale nuk ekzistojnë shërbime të specializuara për këtë sëmundje.

Drita Mekuli thotë se janë 35 mjekë të rinj, të cilët kanë shprehur interesim të specializojnë në këtë lëmi dhe në të ardhmen do të ketë mjekë të mjaftueshëm.

Ndërkaq, për vështirësitë, me të cilat përballen mjekët gjatë trajtimit të kësaj sëmundjeje, tregon endokrinologia Merita Emini - Sadiku.

Trajtimet e gjëndrës tiroide janë të aplikueshme sikurse në vendet e rajonit dhe në botë, por ajo çka lë për të dëshiruar është mungesa e aparateve ekzaminuese si ultrasonografia e gjëndrës tiroide. Nevoja për këtë aparat bën që pacientët të lëvizin nga klinika në klinikë për të kryer këtë ekzaminim, me ç’rast ne shpesh edhe i humbim kontaktet me pacientë”, shpjegon Merita Emini - Sadiku.

Ajo flet edhe për rëndësinë e posedimit të një aparati të tillë në klinikë, në mënyrë që pacientët të përcillen pas intervenimeve të ndryshme:

“Nevoja është shumë e madhe që ta kemi një aparat për gjëndrën tiroide dhe për gjithë regjionin e qafës, në mënyrë që t’i përcjellim pacientët, sidomos ata që kanë sëmundje malinje. Gjithashtu, edhe kur ata operohen, duhet (bërë) përcjellja e tyre për praninë e metastazave, të cilat mund të mbesin pas operimit. Njerëzit përgjegjës kanë bërë kërkesë për aparat të tillë, por mbetet të shihet kur do të pajisemi”.

Ndryshe,Drita Mekuli shpjegon edhe për ndikimin e mjedisit në sëmundjen e gjëndrës tiroide.

“Mund të them se këtë vit ka qenë 25 vjetori i tragjedisë së Çernobilit,dhe para disa viteve shpërthimi në stacionin bërthamor në Japoni, ku për shkak të përhapjes së rrezatimit, është rritur dukshëm numri i tumoreve të gjëndrës tiroide në botë. Më 25 maj çdo vit përkujtohet në botë se sa janë të rëndësishëm faktorët e ambientit në sëmundjet në përgjithësi, e në veçanti tumoret e gjëndrës tiroide”, thekson Mekuli.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG