Ndërlidhjet

Terapi e kufizuar për të sëmurët me kancer


Vetëm në muajin janar të këtij viti, në Kosovë janë diagnostikuar 70 raste të reja me kancer. Këtë e bën të ditur ushtruesi i detyrës së drejtorit në Institutin Onkologjik të Qendrës Klinike Universitare, Ekrem Hyseni.

Në këtë Institut, gjatë ditës marrin kimioterapi rreth 180 pacientë, derisa rreth 60 të tjerë marrin radioterapi. Por barnat shpeshherë mungojnë.

"Disa lloje ilaçesh që janë në protokoll na mungojnë, derisa janë shumë të nevojshme për trajtimin e pacientëve. Disa ilaçe të shtrenjta, si herceptin, e disa të tjera, për momentin i kemi, dhe pacientët janë duke u trajtuar me to", thotë Ekrem Hyseni.

Ndryshe, gjatë vitit 2014, mbi 24,000 vizita mjekësore dhe protokolle terapeutike të zbatuara te pacientët, dhe mbi 3 mijë seanca radio-terapeutike, janë realizuar në Qendrën Klinike Universitare, përkatësisht në Institutin Onkologjik.

Ndërkaq, në Organizatën Botërore të Shëndetësisë thuhet se shpenzimet spitalore të barit të kancerit janë duke dëmtuar edhe ekonomitë e vendeve më të pasura dhe janë përtej mundësive të vendeve në zhvillim, si dhe po krijojnë barrë të papërballueshme për sistemet e kujdesit shëndetësor.

Në vitin 2010, shpenzimet ekonomike vjetore të kancerit ishin llogaritur të arrijnë rreth 1.16 trilion dollarë.

Skender Syla, udhëheqës i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë thotë për Radion Evropa e Lirë se ekzistojnë masa të ndryshme parandaluese, ndonëse kanceri është sfidë globale.

"Për të pasur sukses në kontrollin e kancerit, duhet të ekzistojnë programe gjithëpërfshirëse nacionale që kanë për qëllim parandalimin e kancerit. Ekzistojnë masa të ndryshme si mospirja e duhanit, aktiviteti i rregullt fizik dhe ushqimi i shëndetshëm, që mund të ndikojnë në parandalimin e kancerit, duke përfshirë këtu edhe përmirësimin e ambientit dhe reduktimin e ndotjes së tij", bën të ditur Syla.

Bazuar në të dhënat rreth incidencës dhe vdekshmërisë së lartë në mbarë botën nga kjo sëmundje, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë të Kosovës tashmë kanë miratuar Planin Nacional për Kontrollin e Kancerit, i hartuar nga Bordi Nacional për Kontrollin e Kancerit në Kosovë.

Për mungesën e terapisë së mjaftueshme për trajtimin e pacientëve nga kanceri, këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Valbon Krasniqi, thotë nevojat e pacientëve janë më të mëdha se sa planifikimi buxhetor.

"Buxheti i dedikuar për trajtimin e kancerit është rreth 5 milionë euro. Dhe pjesa më e madhe e buxhetit i dedikohet kësaj sëmundje, por prapë nuk po arrijmë t'i mbulojmë në tërësi nevojat e të sëmurëve me këto barna. Ne po punojmë në disa drejtime dhe ai kryesor është planifikimi më i mirë dhe më racional i shfrytëzimit të barnave për trajtimin e sëmundjes së kancerit. Vitin e kaluar janë shpenzuar 7 milionë euro për trajtimin e sëmundjes së kancerit", thekson Krasniqi.

Kanceri i gjirit zë vendin e parë në tumoret malinjë që prekin gratë. Shqetësues është fakti se në Kosovë çdo vit zbulohen rreth 200 raste të reja me kancer të gjirit.

Ndryshe, të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë flasin se brenda vitit, në botë regjistrohen rreth 10 milionë raste të reja me kancer.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG