Ndërlidhjet

Incidentet në veri, çrregullojnë “paqen e dyshimtë”


Incidentet që muajt e fundit kanë ndodhur në veri të Kosovës, nuk janë porosi të mira për qytetarët dhe në këtë kuadër hyn edhe incidenti që ka ndodhur ditën e diel në afërsi të Leposaviqit, me ç’rast me armë zjarri janë sulmuar dy vetura të misionit EULEX, vlerësojnë zyrtarë të institucioneve në veri dhe njohës të rrethanave të sigurisë në Kosovë.

Zyrtarët e EULEX-it ende nuk kanë ndonjë informacion të bollshëm lidhur me atë që ka ndodhur dje në afërsi të Leposaviqit.

Por, zëdhënësja e këtij misioni, Besa Domi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se rasti është cilësuar si incident dhe hetimet lidhur me të janë duke u zhvilluar.

“Dje, në orën 14 në afërsi të Leposaviqit, ka ndodhur një incident, ku janë të përfshira dy vetura të EULEX-it. Faktikisht, quhet incident, deri tash, sepse nuk e dimë se çka dhe si ka ndodhur. Hetimet janë duke vazhduar dhe në Mitrovicë është task forca e EULEX-it. Tash për tash, nuk mund të shtojmë asgjë më tepër”, ka thënë Domi.

Por, Adrijana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrative të Qeverisë së Kosovës në veri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se incidenti apo sulmi me armë zjarri mbi dy veturat e EULEX-it, po ndodhë në kohën kur udhëheqësit lokal të serbëve në veri, kanë arritur komunikim të rregullt dhe mjaft të mirë me EULEX-in.

Ajo ka kërkuar nga organet e rendit në Kosovë, që sa më parë ta zbardhin këtë incident dhe kryerësit e veprës të sanksionohen. Incidentet e tilla, sipas saj, po ngjallin pasiguri te qytetarët.

“Nuk do të thosha se ka tensionim, por gjithsesi, pasiguria është e pranishme. Te qytetarët ekziston brenga për sigurinë e njerëzve, pavarësisht se ata janë njerëz që punojnë në misione të ndryshme. Do të thotë, nga ana e qytetarëve këtu po pritet paqja dhe situata e qëndrueshme. Në këtë kuptim, sulmet e tilla e çrregullojnë atë shpresë për një të nesërme më të mirë”, tha Hoxhiq.

Ajo shtoi se ende nuk dihet se çfarë fshihet pas incidenti, por ai dërgon porosi se askush nuk duhet të jetë i qetë dhe se incidenti i tillë e çrregullon paqen e brishtë në veri.

“Jo vetëm paqen e brishtë, por unë këtë më shumë do ta quaja paqe e dyshimtë. Ekziston një dozë e pasigurisë për këtë”, tha Hoxhiq.

Ndryshe, në muajt e fundit kanë ndodhur një sërë incidentesh në veri. Në një incident, me 9 prill, në Mitrovicën e veriut, është plagosur me thikë një 17 vjeçar serb.

Më 11 prill, një i ri shqiptar, 17 vjeç, është regjistruar nga Policia e Kosovës si “‘person i humbur”, trupi i pajetë i të cilit është gjetur në lumin Ibër, pas disa javësh. Më 13 prill, policia pati raportuar incidentin, ku si rezultat i përleshjes së dy grupeve rivale serbe, janë plagosur 3 persona me armë zjarri.

Më 14 prill, në parkingun e stacionit të Policisë së Kosovës në Zubin Potok, nga persona të paidentifikuar ishte hedhur një granatë dore, ndërkohë që në vendin e ngjarjes ishin gjetur edhe pusulla ku shkruhej “Stop Policia e Kosovës”, “Stop EULEX”.

Naim Maloku, njohës i rrethanave të sigurisë në vend, vlerëson se incidentet e muajve të fundit në veri të Kosovë, përfshirë edhe atë të ditës së diel në Leposaviq, kanë qëllim të mbajnë gjallë tensionin dhe frikën në atë pjesë të vendit, por jo edhe të nxisin konflikt të përmasave më të mëdha.

“Kjo për shkak se është territori i vogël dhe popullata e vogël numerikisht dhe e dinë që këtu e ka KFOR-i fuqinë e vet dhe mund të ndërmerr aksion. Pastaj mund ta pësojnë dhe të burgosen të gjithë ata, të cilët janë të njohur për organet e rendit dhe gjyqësisë në Kosovë. Edhe shërbimet e KFOR-it, që janë me detyrë në Kosovë, i kanë emrat dhe listën e të gjithë atyre, prej të cilëve priten incidente të tilla”.

Maloku ka vlerësuar se tensionimi i situatës në veri, nënkupton presionin për Kosovën në dialogun me Serbinë, presion për ndarjen e Forcës së Armatosur të Kosovës, në të ardhmen, si dhe krijimin e mundësive për një ndarje të vendit ose krijimin e një entiteti të ri brenda Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG