Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, nuk e përjashtojnë mundësinë që në gjykata mund të ketë ndikime dhe ndërhyrje nga politika.
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ka kërkuar në vazhdimësi, por edhe gjatë dekretimit të 41 gjyqtarëve të ri ditën e martë, që ata të jenë të pavarur, profesional dhe të ndershëm gjatë kryerjes së detyrës së tyre.
Jahjaga ka kërkuar nga gjyqtarët dhe të gjithë punonjësit në sistemin e drejtësisë që të punojnë drejtë, në mënyrë që qytetarët të kenë besimin në gjyqësor.
“Të gjithë ne duhet të punojmë së bashku për të nxjerrë një sistem të drejtësisë nga mendësia e vjetër, duke e rindërtuar dhe duke e bërë atë një sistem të drejtësisë të pa kompromis, duke e bërë një sistem të drejtësisë të fortë, një sistem të drejtësisë të bazuar në vlerat e profesionalizimit dhe në vlerat e paanshmërisë politike”, ka deklaruar Jahjaga.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Kosova është një vend i vogël dhe mund të ketë ndikime të ndryshme.
Ai tha se çështjet buxhetore për gjyqësorin dhe emërimet e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, mund të konsiderohen si ndërhyrje në ketë sistem.
“Nuk përjashtohen mundësitë. Përveç aspekteve politike, ndërhyrjeve politike, ju e dini që Kosova është e vogël dhe mundet të ketë interferime familjare miqësore e këto të ngjashme, të cilat nganjëherë ndoshta mund të ndikojnë në punën e gjyqtarit. Mirëpo, nëse gjyqtari është i vendosur në punën e vet dhe duke respektuar ligjin mund t’i eliminojë të gjitha, do të thotë këto ndikime të mundshme”, tha Peci.
Cenim i pavarësisë së gjyqësorit konsiderohet çdo veprim i ekzekutivit apo legjislativit, i cili minon efikasitetin e punës së gjyqësorit, si pasojë e resurseve të mangëta që ndahen për gjyqësorin.
Efikasiteti, paanshmëria dhe pavarësia e gjyqësorit paraqesin kusht themelor për të siguruar se të drejtat dhe liritë e individëve realizohen, zbatohen dhe mbrohen në kohë të arsyeshme nga gjykata dhe gjykatës të pavarur dhe të paanshëm, thonë njohësit e çështjeve juridike.
Visar Sutaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se ndikimet politike në gjyqësor shkojnë në dy drejtime.
E para, sipas tij, është ndikimi i drejtpërdrejtë buxhetor dhe e dyta, siç thotë ai, është përzgjedhja e anëtarëve të gjyqësorit.
Sutaj konsideron se ndikimet në Këshillin Gjyqësor, kanë bërë që të ketë vonesa në përzgjedhjen e gjyqtarëve të ri.
“Komisioni Evropian i ka kritikuar mjaft liderët politik që po ndërhyjnë në përgjithësi në pavarësinë e gjyqësorit”, tha Sutaj.
Kurse, Ejup Musolli qytetar nga Prishtina, edhe pse nuk ka pasur ndonjë rast me gjykata apo prokurori, shprehet i pakënaqur me mënyrën se si funksionojnë ato.
“Besim nuk kam askund në këto institucione, gjithçka është e falsifikuar jo vetëm në gjykata, por kudo. Njëherë për njëherë ketë mendim e kam”, tha Musolli.
Përfaqësuesit ndërkombëtarë nga institucionet e Kosovës, kanë kërkuar në vazhdimësi forcimin e sundimit të ligjit dhe ndërtimin e një sistemi të drejtësisë në të cilin qytetarët të mund të kenë besim.