Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës konfirmojnë se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk janë ndërprerë, por, sipas tyre, marrëveshjet e arritura deri më tash në kuadër të dialogut në Bruksel, duhet të zbatohen para se të bëhen hapat e mëtutjeshëm.
Reagimet e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, vijnë pas deklaratave të drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ka theksuar se “Prishtina, duke e shkelur ashpër marrëveshjen e Brukselit, ka vendosur që t’i anulojë bisedimet për Bashkësinë e komunave serbe, të cilat është dashur të mbahen të martën e javës së ardhshme”.
“Prishtina ka vendosur që t’i anulojë këto bisedime, duke shkelur marrëveshjen e Brukselit dhe dispozitat e marrëveshjes që kanë të bëjnë me krijimin e Bashkësisë së komunave serbe. Ekziston dinamika apo rrjedha lidhur me këto bisedime, e cila është konfirmuar disa javë më parë dhe është dashur që të martën t’i fillojmë bisedimet për draftin e statutit të Bashkësisë dhe të bisedojmë për atë se si mund të duket ai statut”, ka thënë Gjuriq, duke shtuar se Prishtina, pa paralajmërim i ka anuluar bisedimet.
Por, Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk ka hequr dorë nga bisedimet me Serbinë.
Por, sipas tij, paraprakisht duhet të zbatohen marrëveshjet e arritura deri më tash, sidomos ajo për gjyqësinë në veri, si dhe për lirimin e urës kryesore mbi lumin Ibër.
Gecaj thotë se, tash për tash, janë duke u negociuar disa marrëveshje, sikurse ajo për telekomin dhe për energjinë.
“Të gjitha këto çështje janë të tilla që i shtyjnë këto çështjet tjera, por nuk ka ndërprerje të bisedimeve. Absolutisht nuk ka. Ne tash jemi në fazat fillestare ku duhet t’ia nisim që të mendojmë për çështjen e Asociacionit (të komunave me shumicë serbe), por është mirë që marrëveshjet që i kemi nënshkruar përpara, të zbatohen para se të hyjmë në një çështje aq serioze, siç është çështja e asociacionit”, thotë Gecaj.
Në anën tjetër, Gjuriq ka thënë se Prishtina i ka anuluar bisedimet për Asociacionin për një kohë të pacaktuar dhe sipas tij, ajo po përpiqet të bllokojë formimin e këtij Asociacioni, si dhe integrimin evropian të Serbisë, gjë që është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit.
“Me këtë anulim të njëanshëm nga ana e Prishtinës të bisedimeve për Bashkësinë e komunave serbe, mund të themi se në kuptimin politik, kemi të bëjmë me tentimin e Prishtinës që vendin tonë ta fus në një krizë pengu, në të cilën ne duhet të jemi peng i Prishtinës edhe kur bëhet fjalë për formimin e Bashkësisë së komunave serbe, por edhe kur bëhet fjalë për integrimin evropian të Serbisë”, ka theksuar Gjuriq.
Por, zëvendësministri Gecaj, i cilëson si politike deklaratat e Gjuriqit, duke thënë se nuk është që Serbia nuk ka pasur dijeni për situatën. Sipas tij, autoritetet serbe janë njoftuar se nuk mund të shkohet tutje me marrëveshje të reja, para se të zbatohen ato të cilat janë arritur deri tash.
“Pra, është e drejtë që edhe ne, edhe Beogradi, aspirojmë drejt Bashkimit Evropian, por këto janë probleme praktike, të cilat ne duhet t’i rregullojmë për çështjen e qytetarëve, në mënyrë që jeta e qytetarëve të jetë më e mirë. Pastaj, këto do të ndikojnë që ne të shkojmë drejt Bashkimit Evropian, si ne ashtu edhe pala serbe”, është shprehur Gecaj.
Ai shton se tashmë ekziston përvoja jo e mirë sa i përket zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, e cila është arritur në vitin 2013. Sipas tij, ka pasur mjaft aspekte të marrëveshjes, të cilat është dashur të zbatohen po atë vit, ndërkohë që ato nuk janë zbatuar dhe po diskutohen edhe në vitin 2015.