Ndërlidhjet

IS-i po rekruton mjekë për trajtimin e luftëtarëve të huaj


IS
IS

Një militant nga Çeçenia që po lufton përkrah Shtetit Islamik në Siri, ka bërë thirrje publike përmes rrjeteve sociale për të gjithë ata që janë të shkolluar për mjekësi, që t’i bashkohen “batalionit mjekësor” në grupin ekstremist.

Adam al-Almany, çeçen etnik, që sipas emrit të luftës, ka mundësi të jetë nga Gjermania, e ka vendosur thirrjen e tij në rrjetin social rus, Vkontakte më 23 prill.

"Vëllezër dhe motra që po vendosen në Siri dhe që kanë shkollim për mjekësi, ju lutem më kontaktoni, pasi brigada mjekësore është duke mbledhur disa specialistë në rajone të ndryshme”, ka shkruar Almany.

Sipas Almanit, puna që po ofrohet është në “nivel shtetëror”, ndërsa mjekët që i bashkohen batalionit mjekësor të Shtetit Islamik, do të punojnë vetëm me luftëtarët e huaj.

Mjekët e Shtetit Islamik kanë një mori përgjegjësish, Almany ka thënë që janë nga dhënia e ndihmës së parë në betejë, e deri te trajtimi i familjeve të luftëtarëve të huaj.

Nëse këto benefite nuk mjaftojnë për të tërhequr mjekë të huaj që t’i bashkohen IS-it në Siri, Almany ka ofruar këtë ofertë shtesë, “detyra ndaj ‘kalifatit’, emri që Shteti Islamik u ka thënë tokave që i ka nën kontroll.

“Ne duhet të bëjmë atë që kemi mundësi dhe të japim maksimumin për kalifatin”, ka sqaruar Almany.

Thirrja e këtij militanti të Shtetit Islamik nuk është e para e bërë nga grupi ekstremist, në përpjekje e sipër për të rekrutuar mjekët dhe profesionistë të tjerë mjekësorë.

Disa analistë argumentojnë se IS-i, para së gjithash ka cak të rinjtë që ndihen të lënë anash nga shoqëria, grupi militant ka pasur gjithashtu sukses në rekrutimin e profesionistëve të rinj.

Muajin e kaluar, një grup i studentëve të mjekësisë dhe të sapodiplomuarve në mjekësi nga Britania, Amerika dhe Kanadaja, është marrë vesh që kanë shkuar në Siri, që të punojnë në spitalet e kontrolluara nga Shteti Islamik.

Ky grup përfshinte shtatë britanik, një kanadez, një amerikan dhe dy studentë nga Sudani që besohet se kanë udhëtuar përmes Turqisë për të hyrë në Siri.

Pjesëtari kanadez i këtij grupi, besohet të jetë Ismail Hamdoun, një burrë nga Toronto që besohet se ka arritur në Tel Abyad në pjesën veriore të Sirisë.

Shteti Islamik besohet se po bën përpjekje që të rekrutojë palestinezët që janë qytetarë të Izraelit dhe që kanë shkuar në Jordani të studiojnë për mjekësi dhe farmaci.

Militantët e IS-it raportohet se kanë pasur cak studentët përmes rrjeteve sociale, derisa kanë përdorur vargje kuranore që të bindin ata duke iu thënë se e kanë “obligim islamik” që të trajtojnë myslimanët e lënduar raporton Business Insider.

Studentëve iu është kërkuar që të fluturojnë drejt Turqisë dhe më pas të shkojnë në Irak apo Siri që të fillojnë punën nëpër spitalet e Shtetit Islamik.

Një anëtar i afërt i familjes së një prej studentëve të mjekësisë, i ka thënë një televizioni izraelit se rekrutuesit e IS-it kanë bërë përpjekje që të “ndërtojnë lidhje personale” me studentët.

“Atyre iu përmenden të gjitha llojet e vargjeve të Kuranit për të thelluar në ta besimin se atë që ata po e bëjnë është gjëja e duhur dhe një veprim i madh, derisa iu sqarohet se atyre nuk po iu kërkohet të luftojnë”, citohet të ketë thënë ky pjesëtar i familjes së një prej studentëve të rekrutuar.

IS-i, gjithashtu, pretendon se tashmë e ka themeluar shkollën e vet të mjekësisë në atë që Shteti Islamik e konsideron si kryeqytet të vetin, Raka.

Aktivistët thonë se grupi militant ka vendosur reklama nëpër këtë qytet duke treguar për hapjen e kësaj shkolle përmes së cilës iu bëhet thirrje personave të moshës nga 18 deri në 30 vjeç të aplikojnë për studime. (a.haraçia)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG