Ndërlidhjet

Kush janë gratë që i bashkohen IS-it dhe pse?


Gratë e militantëve të Shtetit Islamik në rrjetet sociale
Gratë e militantëve të Shtetit Islamik në rrjetet sociale

Gjatë javëve dhe muajve të kaluar, ka pasur një valë raportesh për vajza të reja – përfshirë nga Evropa Perëndimore dhe Australia – që kanë udhëtuar drejt Sirisë për t’iu bashkuar grupit militant të Shtetit Islamik (IS).

Këtë javë, një 15-vjeçare nga Afrika e Jugut ka tentuar t’i bashkohet IS-it, por është parandaluar nga autoritetet në Kejp Taun.

Adoleshentet britanike, Kadiza Sultana, 16 vjeçe, Shamima Begum dhe Amira Abase nga 15 vjeçe, kanë hyrë në Siri në muajin shkurt, pasi kanë udhëtuar nga Londra për në Stamboll.

Gratë perëndimore, të cilat kanë udhëtuar në zonat e kontrolluara nga IS-i dhe janë martuar me militantë, atje ofrojnë këshilla për nuset potenciale xhihadiste, përmes mediave sociale, ndërsa gratë rusishtfolëse në IS, ftojnë “motrat” e tjera që t’iu bashkohen.

Por, kush janë gratë dhe vajzat që i bashkohen IS-it dhe si i josh grupi militant ato?

Joana Cook, kandidate për doktoraturë në Deparatamentin për Studime të Luftës në Kolegjin Mbretëror në Londër dhe hulumtuese në Rrjetin Kanadez për Kërkime në lidhje me Terrorizmin, Sigurinë dhe Shoqërinë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se shumë prej grave që udhëtojnë për në Siri kanë lidhje personale me një anëtar ekzistues të IS-it dhe kanë tendencë të jenë pak më të reja se burrat që i bashkohen IS-it.

E pyetur se përse IS-i ka rritur rekrutimin e grave dhe vajzave, Cook thotë se ka një numër arsyesh. Sipas saj, një nuse është nxitje për personat që duan të luftojnë me IS-in.

Këto gra mund të shërbejnë edhe si “shpërblim” për fituesit e betejave apo të konvertuarit; ato martohen posa arrijnë në front, lindin fëmijë dhe kështu kanë më pak gjasa të bëjnë përpjekje që të ikin nga grupi, thotë Cook.

Cook thekson se gratë ndihmojnë edhe në rekrutime të mëtejshme, si dhe në logjistikë dhe transportim të individëve. Një gjë e tillë synon të përjetësojë tregimin se IS-i është një shtet “i ligjshëm” dhe ka aftësinë të kapërcejë të qenët vetëm një organizatë terroriste.

E, çfarë i tërheq gratë nga Evropa Perëndimore dhe Amerika e Veriut, përfshirë adoleshentet, që të bëjnë një hap të tillë drastik, duke iu bashkuar IS-it?

Cook thotë se çdo grua ose vajzë ka histori dhe motiv unik.

“Derisa shumë janë tërhequr fillimisht për arsye humanitare dhe shkuarja për t’iu ndihmuar civilëve në Siri, të prekur nga lufta, së voni janë shfaqur tre motive kryesore: ndjenja e obligimit fetar, pjesëmarrja në ndërtimin e një shteti të ri dhe motivet personale si ndjenja e avanturës, diskriminimi në shtëpi e kështu me radhë”, thotë Cook, duke mos e përjashtuar mundësinë që disa tërhiqen edhe nga dhuna apo interpretimi radikal i Islamit.

Ajo po ashtu thotë se mediat sociale janë një nga mjetet më të fuqishme të IS-it për të rekrutuar gra dhe vajza nga Evropa Perëndimore dhe Amerika Veriore. Grupi xhihadist ka qasje direkte te individët përmes Facebook-ut, Tëitter-it e të tjerave.

Cook thotë se janë disa pozita që përdoren për gratë, pasi i bashkohen IS-it; ato kanë të bëjnë me mësimdhënie dhe shëndetësi, por shumica kufizohen në sferën e brendshme, duke u fokusuar në rritjen e gjeneratës së re të ushtarëve dhe në mbështetjen për burrat e tyre. C

Cook kujton se ka edhe një forcë policore, krejtësisht me gra, në Raka, që quhet Brigada Al-Khansaa, edhe pse ajo është e vogël dhe një shembull i rrallë.

Cook thekson se gratë mund t’i nënshtrohen edhe dhunës seksuale dhe interpretimeve tepër të rrepta dhe konservatore të asaj se si duhet të sillen atje.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG