Ndërlidhjet

Pasaporta - e pafuqishme, por e dashur


Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, kemi marrë mendimet e të rinjve lidhur me atë se sa ata e duan pasaportën e Kosovës.

Ndryshe, së fundmi Kompania këshillëdhënëse financiare amerikane “Arton Capital”, ka krijuar një databazë hulumtimi për fuqinë që ka pasaporta e një vendi në botë.

Radhitja tregon se cila pasaportë i ofron bartësit mundësinë të udhëtojë në shtete të ndryshme të botës, pa pasur nevojë për vizë ose duke u pajisur me të, me të arritur në destinacion.

Pasaporta e Kosovës ka radhitjen më të ulët, mban vendin e 76-të dhe ofron qasje vetëm në 41 vende. Kurse, vendi i 80-të shënon radhitjen më të dobët.

Për këtë temë do të flasin të rinjtë, ku shumica thonë se ndonëse të kufizuar për të lëvizur nëpër vende të ndryshme të botës, prapë e konsiderojnë si të fuqishme , pasi që në të është emblema e shtetit të Kosovës.

Artan Krasniqi, student i Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, ka një dëshirë të veçantë për pasaportën e tij:

“Sikur pasaporta ta kishte shqiponjën shumë më shumë do ta doja. Pasaporta e Kosovës tash është renditur në një ranglistë, prej nga ka dalë ndër më të pavlefshmet; e 80-ta apo e90-ta në rend. Jemi të kufizuar, por derisa e mban emblemën e shteti është e vlefshme”.

Adnan Mala studion Administratë Publike. Pasaportën e Kosovës thotë se së fundmi është pajisur me pasaportë dhe ai tregon për Radion Evropa e Lirë se sa vlen ajo për të.

“Qe një muaj e kam marrë pasaportën e Kosovës dhe e dua shumë. Krejt Ballkanin e kam shëtitur. Sa i përket vizave, është pak problem mendoj, edhe pse s’e kam provuar asnjëherë”, thotë Adnani.

Por, ka edhe të tillë që mendojnë se pasaporta e Kosovës është njëra nga më të pafuqishmet në botë. Kështu shprehet Kushtrim Kadriu:

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:10 0:00
Shkarkoje

“E vlefshme mendoj se nuk është, edhe mendoj se është pasaporta më e pavlefshme në Evropë. Na kufizon shumë”.

Ngjashëm mendon edhe Kujtim Vrajolli, 24-vjeçar:

“Mendoj se jemi shumë të kufizuar në krahasim me evropianët. Me pasaportën e Kosovës mund të shkosh në Maqedoni, në Shqipëri, në shumë pak vende. Unë kam qenë në Gjermani për vizitë. Kam aplikur në mënyrë të rregullt edhe kam shkuar, por procedurat janë të vështira”.

Ndër të rinjtë që takuam në rrugët e Prishtinës, kishte shumë nga ta që ndonëse mbi 18 vjeç, ende nuk kishin pasaporta.

Një nga ta ishte edhe Besa Morina, 19-vjeçare.

“Jo s’e kam pasaportën, edhe pse i kam 19 vjet. Mirë do të ishte po ta kisha, por ende s’kam aplikuar për t’u pajisur me pasaportë”, tregon Besa.

Edhe Adelina Salihu, 20 vjeçe thotë se nuk është pajisur ende me pasaportë.

“Unë nuk kam pasaportë, ende s’kam aplikuar, edhe pse mendoj që është mirë që ta kesh. Po presim liberalizimin... S’jam pajisur me pasaportë se nuk më është nevojitur, sepse unë mendoj se të rinjtë nuk duhet të dalin jashtë për të jetuar, por duhet të kontribuojnë në vendin e vet”, thotë Adelina.

Ndërkaq, Endrit Beqiri, pasaportën e Kosovës e sheh si shumë të vlefshme:

“Po e kam pasaportën e Kosovës edhe e dua, normalisht. Është e vlefshme për mua. Nëse ke viza, shkon ku të duash i lirë edhe nuk të pengon askush”.

Për fuqinë dhe dashurinë ndaj pasaportës së shtetit të Kosovës flet edhe Besim Hajdari, i diplomuar në Fakultetin Ekonomik, por i papunë.

“E vlefshme dhe e fuqishme është, sa për nevoja të mia është OK, edhe është e domosdoshme. Dy herë kam provuar të marr vizë, të dy herët ma kanë lejuar. Por, tash nuk mendoj se po të aplikoj do të ma jepnin, pasi që nuk jam duke punuar. Studimet i kam përfunduar, por jam i papunë”, thekson Besimi.

Vendin e parë ndër vendet e zhvilluara në aspektin demokratik dhe ekonomik, në të dhënat e fundit e ndajnë Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, pasaportat e të cilave u japin qytetarëve qasje në 147 vende.

Pasaporta e Serbisë mban vendin e 31-të dhe ofron qasje në 104 vende.

Ajo e Maqedonisë në vendin e 33-të, me qasje në 101 vende, kurse e Bosnjë e Hercegovinës në vendin e 38-të, duke ofruar qasje në 94 vende. Pasaporta e Shqipërisë, ndërkaq, gjendet në vendin e 40, me qasje për bartësit e saj në 91 vende.

XS
SM
MD
LG