Ndërlidhjet

Qytetarët nuk i fajësojnë ata që po migrojnë


Pamje nga Stacioni i autobusëve në Prishtinë, prej nga nisen qytetarë të nga Kosova për në Serbi e Hungari...
Pamje nga Stacioni i autobusëve në Prishtinë, prej nga nisen qytetarë të nga Kosova për në Serbi e Hungari...

Largimin e qytetarëve nga Kosova për të migruar ilegalisht në vendet e Bashkimit Evropian, të rinjtë, por edhe persona më në moshë nga Komuna e Vushtrrisë i arsyetojnë, pasi që, sipas tyre, ata nuk kanë zgjidhje tjetër për të jetuar në Kosovë.

Qytetarët nga Vushtrria në një anketë për Radion Evropa e Lirë, kritikojnë institucionet e Kosovës se nuk kanë bërë dhe nuk janë duke bërë asgjë për krijimin e vendeve të reja të punës dhe hapjen e një perspektive më të mirë në vend.

Sami Musa nga fshati Dumnicë, komuna e Vushtrrisë, thotë se para pak ditësh ka përcjellë djalin e tij për në Gjermani. Ai tregon se përmes rrugëve ilegale djali i ka arritur në qytetin që ka dëshiruar.

“Ka shumë familje që kanë ikur nga Kosova. Edhe djali im ka migruar jemi rast social, kemi gjendjen shumë të vështirë. Djali më ka dalë për një kafshatë buke ... të dalë dhe të humbë krejt...të qëndrojë në tenda të Hungarisë... Ka ndodhur që 3-4 disa ditë të qëndrojë për ngrënë. Tash djali ka arritur në Gjermani dhe po pret për një vend pune”, thotë Sami Musa.

Mungesa e vendeve të punës dhe kushtet e vështira ekonomike kanë bërë që disa familje të iknin nga Kosova, thotë Riza nga Vushtrria.

“Ka shumë familje që kanë ikur. Edhe unë e pata vendosur të dal, por tash jo se nuk ke kah të shkosh. Biletën në xhep e kam pasur për t’u nis të nesërmen, por i rashë pishman. Këtu gjithë ditën sillesh pa punë pa asgjë hiç”, shprehet Riza duke treguar se ka të kryer vetëm shkollën e mesme.

Shyqyri Voca, po ashtu, nga Vushtrria thotë se po të kishte mundësi dhe pak para, do të migronte pa menduar shumë gjatë:

“Me 50 euro social në muaj, ai nuk ka çare pa ikur nga Kosova. Varfëria dhe mos-hapja e vendeve të punës, kanë bërë që qytetarët të ikin nga vendi i tyre se askush nuk besoj që do të merrte një vendim të tillë për të ikur nga Kosova. Unë, po të kisha mundësi, sot do të isha nisur për në mërgim”.

Arsim Istrefi, 27 vjeç, tregon se njeh shumë familje që kanë shitur gjithë pasurinë që kanë pasur, për të marrë rrugën e migrimit.

“Njerëzit po dalin, por mendoj se pa liberalizim problem është kjo punë. Të drejta nuk ke, strehim jo, ku shkon. Me shpresa njerëzit po shkojnë. Këtu kanë humbur çka kanë pasur, e kanë shitur krejt edhe atë çka e kanë pasur... e tash kur të kthehen, nuk do ta kenë. Kjo do të jetë problem”, tregon Arsimi.

Edhe Fitimi, një tjetër i ri nga Vushtrria, thotë se ka të përfunduar vetëm shkollën e mesme dhe deri tash ka punuar ngapak në disa ndërmarrje private.

“Ata që po ikin, kërkojnë një jetë më të mirë, nuk kanë faj. Puna private këtu është: sot e ke - nesër nuk e ke”, thekson Fitimi.

Komuna e Vushtrrisëthuhet se është më e prekura nga dukuria e migrimit. Sipas deklaratave të zyrtarëve,numri më i madh i qytetarëve, të cilët kanë migruar jashtë vendit, janë nga komuna e Vushtrrisë.

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos e braktisin vendin, por ta punojnë tokën.

“E kemi një gjendje tepër brengosëse në komunën tonë, sikurse në të gjithë Kosovë, sepse kemi një fluks shumë të madh të migrimit në Perëndim dhe kjo është brengosëse. Megjithatë, ju ftoj të gjithëve që të qëndroni, sepse kemi qëndruar në Kosovë në rrethana shumë më të vështira, edhe atëherë kur na kanë larguar me dhunë”, ka bërë thirrje Mulaku.

Autoritetet në Kosovë nuk kanë shifra të sakta, por flasin për mijëra persona që kanë marrë rrugën e migrimit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, 5200 është numri i nxënësve që tashmë kanë braktisur shkollimin.

Deri më 19 dhjetor 2014, kur ka përfunduar gjysmëvjetori i parë, numri i nxënësve që kanë braktisur shkollën ka qenë 1300, kurse ky numër, deri më 4 shkurt 2014 ka arritur në 5200.

XS
SM
MD
LG