Dialogu politik, i cili po zhvillohet ndërmjet shtetit të Kosovës dhe të Serbisë, në shumë drejtime ka pasur rezultate, madje ka ndihmuar për paqe dhe stabilitet në rajon, deklarojnë përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës.
Sipas tyre, në rend të parë, dialogu po shkon në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe vënien e reciprocitetit në bashkëpunim.
Ministrja për Dialogun, në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë, se dialogu ndërmjet dy shteteve i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka ndihmuar edhe në normalizimin e gjendjes në veri të Kosovës, pjesë kjo e banuar kryesisht me shumicë serbe.
“Ka qenë një progres, ka shuarje të disa prej strukturave paralele siç është shuarja e policisë paralele dhe integrimi i policëve serbë në institucionet e policisë shtetërore të Kosovës. Tani po vendoset sistemi unitar i drejtësisë në këto katër komunat veriore dhe gjykatësit dhe prokurorët serbë që kanë punuar ne struktura paralele, e që janë shuar gjatë vitit 2013, po integrohen në sistemin e drejtësisë së Kosovës”, tha Tahiri.
Ajo theksoi se dialogu i Brukselit, i ka mundësuar përparim Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Si ecje përpara në ketë drejtim, ajo përmend marrëveshjen për Stabilizim-Asociim, e cila pritet të nënshkruhet në muajt e ardhshëm.
“Në lëvizjen e lirë dhe në tregtinë e lirë kemi reciprocitet, kemi njohje reciproke të dokumenteve shtetërore. Në kuadër të bashkëpunimeve rajonale ka një normalizim ku Serbia ka filluar të heqë pengesat për pjesëmarrjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata rajonale”, u shpreh Tahiri.
Ndryshe mendojnë përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, parti politike në opozitë. Sipas tyre, dialogun politi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, Kosovës nuk i ka sjellë asgjë të mirë.
Aida Dërguti deputete nga ky subjekt politik, njëherësh nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, thotë se dialogu e ka thelluar ndarjen në mes të shqiptarëve dhe serbëve në Kosovës.
“Çdo gjë që ka nis me dialogun e Brukselit e ka thelluar ndarjen. Nëse qëllimi fillestar i këtij dialogu ka qenë integrimi i serbëve të Kosovës, praktikisht ka treguar të kundërtën në të gjitha fazat që ka kaluar. Ka vazhduar më tutje me thellimin e ndarjes me krijimin e asociacionit, fondin për veriun e të tjera që është duke shkuar në drejtim të një republike serbe brenda Kosovës”, tha Dërguti.
Dërguti konsideron se si pasojë e dialogut politik është rritur prania dhe ndikimi i Serbisë në Kosovë.
“Prania e Serbisë është rritur edhe në nivel të institucioneve. Tash kemi brenda Kuvendit të Kosovës Listën Serbe, e cila hapur e thotë se nuk e njeh Republikën e Kosovës; përfaqësojnë drejtpërdrejtë interesat e Serbisë brenda Kuvendit të Kosovës dhe janë të interesuar vetëm për çështje të cilat janë në agjendë të Qeverisë së Serbisë, lidhur me interesat e saj brenda Kosovës e të cilat interesa nuk janë në përputhje me interesa të qytetarëve serbë për të vazhduar integrimin e tyre në shoqërinë kosovare”, u shpreh Dërguti për Radion Evropa e Lirë.
Disa nga marrëveshjet e arritura në mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut, vazhdojnë të mos zbatohen.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian edhe në takimin e fundit, të mbajtur më 21 prill, që është zhvilluar në Bruksel midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq kanë thënë se nuk duhet të ketë vonesa në zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
Dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pritet të jetë afatgjatë dhe sipas paralajmërimeve që janë dhënë nga Bashkimi Evropian si ndërmjetësues, do të përfundojë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Ky normalizim, nga Brukseli shihet si i domosdoshëm nëse Serbia dhe Kosova duan të jenë një ditë pjesë e Bashkimit Evropian.